• Qazim Doda

KUJTIM I PËRJETSHËM PËR DR. SHAQIR SHEHUN

Updated: Aug 23

Nga Besim R CENGU (Gjashtë muaj pa këtë Misionar të Madh) Në New York në verën e vitit 2017 jam njohur me Qazim Dodën, gazetarin e mirënjohur të kohërave të vështira dhe pjesëtarin aktiv në ngjarjet dramatike të vitit 1999 në Kosovë. Njëlloj si në luftën e atij viti, edhe tani pas 18 vitesh ishte njëlloj aktiv e i gjindshëm, me të njëjtin ritëm e të njëjtat energji dhe me të njëjtin emocion. Edhe në New York, Qazimi, merret me gazetari e publicistikë. Hulumton dhe publikon çdo gjë në nxjerrjen e së të vërtetës në atë periudhë për kombin tonë. Ai drejton edhe një televizion në këtë qytet, i cili jo vetëm që është epiqendër e të gjithë Amerikës e planetit, por është edhe shteti që ka në gjirin e tij pjesën më të madhe të emigracionit shqiptar të vjetër e të ri. Ishte data 21 nëntor 2020, dita kur ne i dhamë lamtumirën mjekut të njohur Shaqir Shehu. Ne shokët e tij nuk e besonim se ka ndodhur kjo mandatë kaq e befasishme. Por kjo është jeta; krejt e paparashikuar. Ishim të trumhasur prej kësaj ikje të beftë, por diku nga darka e asaj dite ia përcolla lajmin e vdekjes edhe Qazim Dodës, këtij gazetari që ishte shumë i interesuar. Të sistemonte informacion real për luftën në Kosovë. – Mos bre, çfarë me the, -shkroi dhe për një copë herë heshti.. ah, çka po më vjen keq. U shukat nga ky lajm: Mos bre Besim çka m’kallxove… shkroi edhe një herë i trishtuar Qaza. Paska ikë nga kjo botë një njeri shumë i rëndësishëm… dhe me pas shton: – Unë kam punuar 5 vite me Dr. Noyes për ta përgatitur si dëshmitar në gjykatën speciale për të kundërshtuar tezën e Dick Martit. Mirëpo sapo filluan arrestimet, Dr. Noyes ndërroi jetë. Kështu qe na shkoi puna shume keq… Edhe me Dr. Shaqirin me mbeti një intervistë shumë e rëndësishme pa realizuar. – Noyes ka vdekur në korrik të vitit 2019, e tani edhe Dr. Shaqa. Krejt fjalimet në funeralin e Dr. Noyes ishin për Kosovën, – shtoi Qazimi. Gjithashtu thotë se “i kam siguruar mbi 2000 fotografi që familja e Dr. Noyes i ka publikuar para do kohës. Ai më nisi edhe disa foto që i kishte marrë nga mjeku amerikan, miku i madh i shqiptarëve dhe Qytetari i Nderit të qytetit të Kukësit (2016). I kërkova leje që t’i publikoj këto foto dhe me zemërgjerësi. Disa foto po i botoj në këtë shkrim për herë të parë. Janë kujtim i madh për spitalin dhe mjekët e Kukësit, për të gjithë ne dhe historinë tonë të përbashkët. SHAQIR SHEHU KISHTE DEPËRTUAR NË KOSHIENCËN E NJERËZVE SI NJË SIMBOL I SË MIRËS NJERËZORE… Doktor Shaqir Shehun sikur e dërguar Zoti për tu shërbyer njerëzve. Ai ishte shpirt i paqetë. Edhe në gjumë jetonte me profesionin e tij, lindtte dhe vdiste te pacienti i vet, vuante dhe gëzohej bashkë me të. Kjo qe jeta e tij, bota dhe aktiviteti i pandalshëm human. Ky njeri kishte depërtuar në koshiencën e njerëzve si një simbol i së mirës njerëzore… Topojani, Shtiqni, Hasi, Shishtaveci, Bushtrica, Shëmrija, Tropoja… gjithë Kukësi… Nuk kishte shtëpi që të mos i ketë shërbyer. Misionar dhe humanist i madh. Si ai. Vështirë t’i gjindet shoku… KOSOVA – NJË DASHURI E PËRJETSHME Në luftën e Kosovës qe një nga mjekët e palodhur dhe të përkushtuar në ndihmë të luftëtarëve të lirisë në UÇK. Atë botë u shndërrua në engjëlli mbrojtës për gjithë ato të dëbuar dhe ushtarë të cilët nuk kishin asnjë përkrahje. Dr. Shaqiri ka mjekuar dhe trajtuar të plagosurit që i vinin me shpirtin e madh sa një det e humanizmin qe e karakterizonte. Ditë e natë ka pritur e operuar me dhjetra e qindra të plagosur me plagë shumë të rënda e deri pa gjymtyrë. Unë kam shumë fakte të pabesueshme dhe lemeritëse për atë kohë, shumë prej të cilëve janë botuar edhe te “Përmasat e Mbijetesës” (2003). Shokut të tij Zekri Palushit që jeton në Australi, me një fjalë prapa Diellit, kur ishte për vizitë atje, si shprehje e dashurisë për atdheun i bëri dhuratë një pjesë të Kosovës të përjetuar në art (një hartë n’reljev të Kosovës, të “qendisur” me gurët e Trepçës), një shishe konjak Rahoveci, si këngët e Ilir Shaqirit, ndër të tjera edhe këngën “Poçari” të të këtij këngëtari që aq shumë e donte. Me sytë e mi e kam parë Dr. Shaqirin të derdhë lotë kur dëgjonte “Poçarin” e Ilirit me tekst të Dritëroit të madh. NJË INTERVISTË QË FLET SHUMË Është e rëndësishme intervista e Qazim Dodës me Dr. W. Noes. Ajo jep shumë informacion duke ndriçuar shumë skuta të errëta të asaj kohe, aq më tepër kur një mjek i panjohur sllovenoastriak sillej si hijenë nëpër zonat e luftës dhe shpërndante çmun helmin kundër popullit shqiptar, UÇK dhe personelit të spitalit të Kukësit. Në intervistë del në dritë kontributi, rëndësia dhe vendi meritor i doktor Shaqir Shehut. Fragmente plot fakte… të Dr. Noyes Dr. Noyes. … Nuk kisha dëgjuar kurrë për Kosovën më parë me sa mbaj mend dhe nuk dija pothuajse asgjë për Shqipërinë. Nuk jam shqiptar me gjak, por u bëra pothuajse njëherësh kurioz ndërsa kisha dy vjet që kisha dalë në pension, prandaj mendova se kishte një vend më të mirë për të kryer punën që unë dija ta bëja, pra mjekësinë dhe kirugjinë. Të nesërmen mora në telefon Mjekët pa kufi, për të pyetur nëse donin të vija dhe unë dhe më thanë po. Më thanë se do të duheshin tre muaj që të procesonin aplikimin tim dhe unë thashë që doja të shkoja në Kosovë dhe në Shqipëri tani, sa më shpejt të mundesha. Kështu mora në telefon trupin ndërkombëtar të mjekëve në Los Angelos dhe ata ishin shumë më mikpritës. Dy ditë më vonë lashë Las Vegasin dhe të hënën, ata më dërguan një aplikim. Të martën, e mbusha dhe e dërgova mbrapsh të mërkurën dhe kështu e lashë aeroportin Kenedy të enjten e arrita në Shqipëri të premten. Arrita tek kampi i parë nga pesë kampet refugjate të nesërmen e asaj dite. Kështu arrita. AA Vision. Pra, ju arritët në Tiranë me erën e luftës, nëse mund ta quajmë kështu. Dr. Noyes. Po. AA Vision. Pra pasi shkuat aty, kërkuat spitalin në Tiranë. Dr. Noyes. Prita deri sa më morën…jo nuk shkova në spital por më morën dhe më çuan tek zyrat kryesore të trupit ndërkombëtar të mjekëve të cilët më dërguan aty ku do të qëndroja në një vend të vogël me dy dhoma që i ndaja me më duket tre mjekë të tjerë. Por ata ishin punonjës të organizatës. Nuk i mbaj mend emrat se isha me ta vetëm për disa ditë. AA Vision. Ishin të huaj gjithashtu? Dr. Noyes. Nuk ishin amerikanë. Më duket se njëri a dy ishin anglezë por nuk e mbaj mend se ishte 15 vjet më parë. Pra isha në Tirana në këtë apartament të vogël, me dy tre veta që flinin në një dhomë. Dhe ajo që më kujtohet është se ata kishin një koleksion me instrumente të papërdorura kirurgjikale dhe mjekësore. ato ishin pajisje shumë të mira dhe unë vrisja mendjen pse ishte aty kjo kuti dhe nuk po përdorej gjëkundi tjetër në atë kohë lufte. dhe kam një histori të mëvonshme sesi unë më në fund lashë Kukësin dhe Shqipërinë për t’u kthyer në familjen time pas gjashtë dhe u fala personelit të spitalit shumë pajisje mjekësore. Po kjo është tjetër bisedë. AA Vision. Dhe nga aty ju shkuat në Kukës. a e dinit që ishte zonë luftë aty? Dr. Noyes. Po unë prandaj shkova. AA Vision. Shkuat të shihnit realitetin? Dr. Noyes. Prandaj vajta aty për të vizituar Kosovën e Shqipërinë gjatë luftës dhe për t’u kujdesur për luftëtarët e UÇK-së. . Më duket se më çuan me tre katër veta të tjerë në një Land Rover, ishte një anglez, një skocez dhe një australian. Unë isha mbrapa dhe e mbaj mend si dje. Ata po flisnin me dialektet e tyre dhe unë mezi i kuptoja. çfarë thashë”. Keshtu ndodhi. … AA Vision. Pra shkuat në Kukës, në spital? Dr. Noyes. Po. AA Vision. Dhe ishte afër kufirit? Dr. Noyes. Më duket se është 6 milje? 7 milje? AA Vision. 7 milje. Si ishte përvoja juaj e parë atje? Dr. Noyes. Kur isha në Tiranë, manaxherja e trupit ndërkombëtar të mjekëve, që quhej Keit, erdhi tek unë pasi kisha vizituar kampet refugjate pesë ditët e para dhe më pyeti nëse doja të shkoja në Kukës si kirurg, sepse aty po zhvillohej lufta. Unë i thashë po se për atë kisha ardhur. dhe më tha se para se të shkoja duhet të më thoshte ç’kishte ndodhur aty disa ditë më parë dhe më tha se titulli i faqes kryesore të gazetës së Kukësit lexonte: “spitali i Kukësit, kampi i vdekjes për refugjatët”. Ai artikull ishte shkruar nga një kirurg i ri australian, që kishte qenë aty si edhe një anestezist amerikan, më duket. AA Vision. Craig Jurishiç, diçka e tillë. Craig apo jo? Dr. Noyes. Nuk e di se nuk e njihja. Ai kishte ikur kur mbërrita unë. Por ata kishin shkruar një artikull tepër negativ për spitalin e Kukësit. Dhe unë isha nga e njëjta organizatë, prandaj menaxherja në Tiranë mendoi se do të kisha probleme kur të mbërrija atje sepse nga ato që kishin shkruar kolegët e mëparshëm se sa i keq ishte spitali i Kukësit. Po unë thashë “jo dua të shkoj. ” Nuk e dija ç’më priste, por nuk e vrava shumë mendjen për këtë. Kisha besim në vete se do të isha në gjendje të hyja në spital dhe të bëja atë për të cilën kisha ardhur. Prandaj një ditë pasi arrita në Kukës, shkuam në spital dhe gjetëm një rrëmujë aty në atë që e quanin dhoma e urgjencës, por që ishte thjesht një dhomë me një barrelë në të, dhe aty ishte një djalë i vogël 7-8 vjeç, të cilit i kishte shpërthyer granata në dorë dhe ia kishte prerë dorën e djathtë. Copëzat e metalit e kishin dëmtuar dhe verbuar, e kështu me radhë. Unë rashë mu në mes të rrëmujës. Spitali ishte plot me anëtarët e familjes dhe kalimtarë dhe mjekët shqiptarë ishin aty. Dr. Shaqir Shehu ishte kirurgu ortopedik aty në spitalin e Kukësit dhe po kujdesej për djalin. Ai e kishte çuar në sallën e operacionit, ndërsa unë kur e mora vesh ku ishin, i ndoqa me vrap e u prezantova me dr. Shehun ndërsa ai bëhej gati për të nisur operacionin te djali i vogël. I thashë që edhe unë isha kirurg e dëshiroja ta ndihmoja. Ai më ftoi të merrja pjesë në operacion si asistent dhe unë e bëra. Ai ekzaminoi dorën e prerë te kyçi dhe unë hoqa copat e metalit nga gjoksi i djalit si edhe mjekova plagët në fytyrë dhe gjoks. Dhe si përfundim ai donte të priste. AA Vision. Pastaj çfarë ndodhi? Dr. Noyes. Me dorën e majtë dhe unë i thashë që nuk duhet ta bënte atë, dhe ai më tha ta riparoja atë, gjë që e bëra duke menduar se ai e kishte humbur tashmë dorën e djathtë dhe nëse mundeshim t’ia shpëtonim gishtat e mbetur në dorën e majtë do ishte shumë mirë, dhe nëse gishtat përkeqësoheshin mund t’ia prisnim pas dy-tre ditësh po të paktën t’i jepnim një mundësi më shumë. Unë i mjekova plagët e dorës së majtë dhe ai kishte gjak të mjaftueshëm për ta shëruar plagën më tej dhe kështu ia shpëtuam dorën. Më duket se ditën tjetër apo fundjavën tjetër, duhet të kontrolloj shënimet e mia: tre ose katër ushtarë të plagosur të UÇK-së erdhën në klinikë. Kryekirurgu i Tiranës ishte në Kukës atë fundjavë kur i sollën ushtarët. Më kujtohet njëri ishte qëlluar në kokë dhe na erdhi i vdekur, një ishte qëlluar në kraharor dhe tjetri në anën e djathtë të barkut. Mjeku nga Tirana po punonte me të plagosurin në bark. Unë i vura një tub në kraharor ushtarit që ishte plagosur atje, dhe po mjekoja atë. Pastaj ne u futëm në sallën e operacionit ku e asistova kirurgun nga Tirana dhe pastruam zorrën nga ana e djathtë nga pjesët e plagosura dhe rirregulluam aparatin tretës, pasi hoqëm pjesën e plagosur, por edhe ai ushtar jetoi. Kjo ishte njohja ime me spitalin. Mendoj se në ato kushte dhe çfarë kishte ndodhur më parë me artikullin e gazetës, nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur më parë. Unë mbase nuk do të isha lejuar në atë spital për të mjekuar sepse unë ishta nga e njëjta organizatë dhe në atë kohë asnjë mjek i huaj nuk lejohej të punonte aty. Vetëm mjekët shqiptarë që punonin në spital. Kishte të bënte respekti, krenaria e spitalit, prandaj ata u fyen me të drejtë nga ai artikull, sepse unë nuk pashë gabimet e përshkruara gjatë kohës që isha aty për 6 javë. Mjekët ishin shumë të përkushtuar , një kirurg i ri 32 vjeçar dhe Shaqir Shehu veçanërisht. Ata ishin mjekë shqiptarë tepër të aftë e të përkushtuar. Pra ata nuk e vërtetonin profilin e keqpërshkruar në gazetë nga ata mjekët e tjerë që ishin larguar. Sipas atyre që dëgjova, ata nuk donin të ishin më aty dhe shihej lehtësisht pse. AA Vision. Pra, ju patë gjithë ata ushtarë gjithashtu, të cilët ishin të plagosur. A patë dikë që vdiq aty? Dr. Noyes. Po! Siç e thashë, ditën e parë që isha aty, një nga ushtarët e goditur në kokë ishte i vdekur në urgjencë. Pas asaj patëm ushtarë të plagosur nga minat, sharapnelet, plumbat dhe kam foto të pothuajse të gjithë atyre që unë mjekova gjatë shërbimit tim në spital. Për ato 5 javë. AA Vision. A mund të na tregoni ca fotografi? Dr. Noyes. Po po i kam. AA Vision. Pra, le të shohim një video të shkurtër të luftës në Kosovë dhe çfarë ndodhi gjatë asaj kohe në Kukës. Do të shihni refugjatë që vërshojnë në Kukës dhe gjithashtu luftë në Kosovë përgjatë kufirit të kosovës dhe shqipërisë. Çfarë ndodhi aty dhe si u plagosën ushtarët? AA Vision. Dhe më parë më thatë se disa nga ata, dy ose tre nga ata humbën jetën aty, dhe shumica e të tjerëve kishin gjymtyrë të prera siç do ta shohim nga fotot, duar të prera, dhe plagë të rënda. Dr. Noyes. E vërtetë. AA Vision. Çfarë kujtoni nga ajo kohë? Dr. Noyes. Besoj se e mban mend se ushtarët që ishin nën kujdesin tim u sollën nga fusha e betejës ku ishin plagosur tek spitali që unë do ta quaja “strehim të sigurt” në Shqipërinë e veriut në Kukës. Pra them se isha shumë i lumtur që mu dha mundësia të bëja atë që bëra por gjithashtu kur vajta aty mendova se do të kisha qenë më i dobishëm po të më kishin çuar më pranë vijës së parë të luftës sepse mendoj se do të kisha mjekuar shumë më tepër të plagosur nga UÇK-ja që u sollën plot plagë nga fusha e betejës dhe aty ku isha unë, spitali ishte i mbrojtur dhe i sigurt aty ku silleshin ushtarët, ndoshta rreth 35 kilometra larg vendeve ku shumica e tyre ishin plagosur. Pra mendoj dhe do të doja të kisha mjekuar shumë më tepër ushtarë. Megjithatë, ne u kujdesëm për ushtarët që na sollën me plagë shumica të vogla, disa nga ata bile vazhduan të plagosen edhe pasi u nënshkrua pakti i paqes më 8 qershor 1999. por ata vazhdonin të kishin plagë prej plumbave erdhe shrapneleve, shpërthimeve etj. AA Vision. Na treguat disa foto gjatë kësaj bisede. gjatë kohës që ndihmuat ushtarët e UÇKsë që ishin të plagosur rëndë, sa e vështirë ishte ajo kohë sepse ishte e vështirë të udhëtoje për në Kukës nga zona e luftës, ishte shumë e vështirë. AA Vision. Po, por ju përjetuat të plagosurit dhe i patë ata. Dr. Noyes. Kur i pashë në spital në Kukës. po ata i pashë. i pashë rezultatet luftës në plagët e tyre. Por meqë kam qenë doktor fshati në Pensilvania, dhe doktor traume në shërbimet e urgjencës që kemi tani, në ato kohë që nga 1960-1971 unë isha i pari në aksidentet me makina, aksidentet kryesore dhe fëmijë që vriteshin në këto aksidente, pra isha i fortë nga ana shpirtërore dhe i përgatitur për ato që përjetova. Pra kur unë fillova të shikoja ushtarët, e ndjeja keqardhjen për ta nga ana emocionale, por detyra ime ishte të kujdesesha për ta se për ata kisha ardhur. Dhe atë bëra. … AA Vision. Doktor, profesioni juaj ka qenë në shumicën e kohës ushtruar nëpër spitale të ndryshme, dhe kirurgji të ndryshme. Dr. Noyes. Po. AA Vision. Dhe gjithashtu në Kukës dhe Tiranë patë realitetin e spitaleve gjatë luftës. prandaj dua t’ju pyes diçka tepër të rëndësishme për ne, që duhet ta dimë nga ju si mjek amerikan që shërbeu gjatë luftës në Kukës dhe patë ushtarët e UÇK-së dhe civilë të plagosur aty. Çfarë mendoni për akuzat e tanishme ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gjatë luftës, UÇK kishte të ashtuquajtur mjekë që morën pengjet serbe, qytetarët e thjeshtë dhe u hoqën atyre organet të cilat i shitën. A është kjo diçka që ishte e mundur në atë aktualitet, me ato që patë me sytë tuaj? Dr. Noyes. Dua të them që sot është hera e parë që kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë rreth kësaj çështje për të cilën po më pyesni. Më duket komplet e pabesueshme. Në atë kohë dhe në këtë kohë, në atë realitet dhe me ato kushte që mund të ndodhë diçka e tillë. Unë kam marrë pjesë në vjeljen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre pasi të vdisnin gjatë praktikës sime si kirurg në Pensilvania. procesi që ndodh gjatë vjeljes së organeve, përgatitja e organeve, ftohja dhe ngrirja e organeve dhe koha e transportit që nga aty ku kryhet operacioni deri tek aty ku duhet të shkojë, është e pabesueshme për mua që mund të ndodhë në atë vend për të cilin po më flisni ju, në Shqipëri, nga ushtarët e UÇKsë. së pari, unë nuk njoh asnjë mjek tjetër përveç një ose dy që ishin të përfshirë në luftën e shqiptarëve të Kosovës, në vende të tjera përveç atij ku isha unë, në zonën e luftës. Është e paimagjinueshme që edhe nëse kishte mjek aty gjatë luftës, si mund të kishte kohë dhe fuqi ai që të mundej ta bënte këtë gjë që po më thoni ju. Është e pabesueshme, nuk e besoj dot! Pra, jam plotësisht i mendimit që ajo gjë nuk ndodhi. AA Vision. Pra, ju po më thoni se ajo që po shohim tani në lajme dhe po lexojmë çdo ditë, raporti i Carla Del Ponte dhe Dick Marty kishte edhe një prokuror që nuk e miratoi raportin më në fund pas tre vjetësh ose katër vjetësh hetimesh, Williamson, një amerikan, sepse UÇK është akuzuar se është marrë me vjeljen e shitjen e organeve dhe të trafikut human gjatë luftës. Është thënë që ata kanë pasur një klinikë të veçantë në Shqipëri për këtë. por ju si mjek gjatë luftës e patë vetë aktualitetin. A mundej UÇK-ja të kishte një klinikë në Shqipëri gjatë luftës asaj kohe? A ishte e mundur? Ne e dimë që Kosova ishte në luftë, por në Shqipëri? E pamundur apo jo? Dr. Noyes. A po më pyesni nëse ishte e mundur se UÇK kishte një klinikë në Shqipëri, jo në Kosovë?. Atëherë? Gjatë luftës? Për të vjelë organe dhe për t’i shitur diku tjetër. Këtë po më pyesni? AA Vision. Po, pikërisht. Dr. Noyes. Nuk mund ta besoj dot. Siç e thashë kjo është hera e parë që po e dëgjoj këtë histori nga ju. Nuk e dija më parë. Ende nuk e di me përjashtim të atyre që po më thoni ju rreth akuzave që janë bërë. Por, si e thashë më parë nuk e besoj dot. Tani nëse ishte dikush që bëri një gjë të tillë në fshehtësi, pa dijeninë e UÇK-së…Unë i njoha njerëzit e UÇK-së, njoha ushtarët e saj, e dija për çfarë luftonin. Ata nuk luftonin për para, por për Atdheun dhe pavarësinë e tyre. Dhe kundra masakrave që po kryenin serbët etj. Nuk ishin aty për të bërë ndonjë lek. Nuk e di nëse kishte apo jo kriminelë, se kriminelë ka në çdo luftë, por nuk e besoj se po bënin atë që thatë ju dhe për akuzat për marrjen e organeve. Edhe nëse i morën këto organe, ato nuk ia dërguan askujt sepse duhet kohë dhe eksperiencë për të bërë këtë lloj pune.Nuk më duket e mundur… E them që duket e pamundur por nuk mund të them me bindje të plotë. Është e pamundur sepse bazohem në përvojën time dhe ato që kam parë, ka nevojë për mjeshtëri në këtë punë dhe nuk e shoh si mund të ndodhte atëherë. AA Vision. Duket se janë të motivuar politikisht nga serbët. Dr. Noyes. Nuk e di nga vjen por përsa u përket këtyre që më thatë, unë nuk u besoj atyre. Duhet të ketë patjetër prova faktike të drejtpërdrejta, foto të procesit, transanksioneve, ok? Para se unë ta konsideroj këtë si të mundshme. AA Vision. Është e çuditshme dhe e vështirë për për ta imagjinuar. Por unë doja t’ju pyesja ju si mjek që shërbyet gjatë luftës në Kosovë dhe e njohët realitetin. po të ndodhte diçka, do ta kishit vënë re. dhe jeni amerikan, nuk do të kishit frikë nga askush për të thënë të vërtetën. Prandaj ju pyeta ju dhe ju falënderoj që ma thatë këtë gjë sepse na duhej dikush që ka qenë në luftë, në atë luftë në kufi në Shqipëri, dhe na kuptoni ju lutem që këto akuza janë shumica me motive politike nga serbët dhe nga ata që kanë paguar për t’iu shërbyer interesave të tyre… … AA Vision. Ju faleminderit për kohën. A kishit diçka tjetër për t’ju thënë shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës. Dr. Noyes. I dua shqiptarët! I dua vërtet! Mendimi im i parë kur erdha nga Shqipëria ishte që do të doja ta sillja gjithë familjen dhe fëmijët e nipërit e mbesat atje dhe do të doja të shpenzoja dy javë në Shqipërinë e Veriut, që ata të shohin se ç’bëjnë fëmijët atje e çfarë iu duhet të bëjnë, fëmijët pesë vjeçarë, ky djalë i vogël mbante dyqanin përballë spitalit ndërsa i jati shkonte për të mjelë lopën, a për të bërë punë të tjera. Po ashtu, ajo që ata kaluan dhe nuk kishin as televizorin, as sendet e tjera speciale që kanë fëmijët tanë sot dhe që i marrin për të qenë çdo ditë…. KUKSIANI WILLARD NOYES – MIK I MADH I TË GJITHË SHQIPTARËVE Intervista e “Qytetarit të Nderit të Kukësit”, është e gjatë të cilën do t’ua bëjmë të njohur një kohë tjetër. Vetëm dua të them se ai ishte shumë i lumtur në atë fillimgusht të vitit 2016, kur i shoqërua nga miku i tij i ngushtë e kolegu Shaqir Shehu ditën kur u bë Qytetar i Nderit i vendit më human dhe mikpritës në botë. Ishte krenar deri në frymën e fundit për këtë fakt. Mbante në gojë Kosovën, Kukësin dhe Shqipërinë. Janë dhjetra publikime e fjalime të tij në mbrojtje të çështjes tonë kombëtare. Dr. Noyes vdiq në korrik të vitit 2019 me kokën nga Shqipëria, nga Kukësi prej edhe nga ishte prej vitit 2016. Iku i kallur i mbuluar me fjalë lavdie e krenarie për çka kishte bërë për vendin tonë. Por më falni se nuk mund ta lidh gjuhën: te varri i tij duhej të ishte vendosë një kurorë apo tufë lule nga Bashkia e Kukësit, se Kukësi kishte një qytetar të nderuar më pak. Por ky akt nuk kishte ndodhë… Sepse siç më pat thënë një herë baba “Asht kollaj me ba nji byrazel, more bir, por asht shum zor me e mbajt”.







10 views0 comments

Recent Posts

See All