• Qazim Doda

Flaka e Janarit në Gostivar



Shkruar nga Agim Sylejmani


Të dashur vëllezër e motra të gjakut!

Luftëtarë e veteranë të të tri luftërave çlirimtare, veprimtarë të çështjes kombëtare

Mirë se ju gjeta në Gostivarin shqiptar, në këtë çerdhe të atdhetarisë e patriotizmit


Për mua është një nder i madh që kam rastin të jam sërish në mesin tuaj, për të shënuar këta përvjetorë të janarit të përflakur shqiptar. Prandaj ju përshëndes nga zemra të gjithë të pranishmit. Një përshëndetje të veçantë veprimtarit të palodhshëm të çështjes kombëtare Fazli Veliu.

Manifestimet për “Flakën e janarit”, askund në trojet shqiptare nuk bëhen kaq bukur e me kaq dinjitet sa në Gostivar, për çka edhe duhet të ndjeheni krenar.

Një fjalë e popullit thotë, se: „Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë, nuk ka mortje kurrë!“

Prandaj edhe po tubohemi në këta përvjetorë të shumtë, tmerrësisht të shumtë e të hidhur duke i përkujtuar dëshmorët e rënë në luftë për liri e pavarësi kombëtare, duke shpresuar dhe uruar që përvjetorët e të rënëve të kombit të na gjejnë sa më shpejt të bashkuar njëherë e përgjithmonë!

Ka qenë një dëshirë e flaktë, një dhembje e pashuar vëllezërore që të rënët t'i qajmë e përkujtojmë bashkërisht. T'i ndajmë vëllezërisht dhembjet dhe hallet tona kombëtare. Shqiptarët e shpërndarë anë e kënd rruzullit tokësor kanë një dhembje të vetme e të përbashkët - çështjen e unitetit dhe bashkimit mbarëkombëtar, bashkimin e Shqipërisë së copëtuar dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare.



Sot na bashkoi këtu në “Flakën e janarit” 40 vjetori i rënies së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, si edhe 38 vjetori i Epopesë së 11-12 janarit 1984, kur në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ranë dy kolosë të Lëvizjes sonë Kombëtare, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha.

Janari, ky muaj i terrorit e masakrave të papara ndaj popullit tonë ndër vite, ka shkaktuar shpesh dhimbje të mëdha e plagë të cilat edhe sot e asaj dite nuk janë shëruar, ato kullojnë akoma gjak. Janari i vitit 1982 ishte një janar i dhimbjes së madhe, kur në Untergruppenbach afër Stuttgardit në Gjermani UDB-ja vrau në pusi tre drejtuesit dhe prijësit kryesor të Lëvizjes sonë Kombëtare në mesin e kurbetçarëve tanë, Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën.

Jusuf Gërvalla, ky poet i Kosovës martire, pena e të cilit rëndonte fort sa ishte në Kosovë, në shkrimet e tij në të përditshmen "Rilindja" ai kamxhikoste dukuritë negative të shoqërisë jugosllave, sidomos kulturën dekadente me të cilën regjimi jugosllav mundohej të helmatiste rininë tonë revolucionare, ai godiste gjithmonë aty ku më së tepërmi e kërkonte interesi kombëtar.

Me zemër të thyer u detyrua ta lëshojë Kosovën në vjeshtën e vonë të vitit 1979. Ai nxori disa numra të "Lajmëtarit të lirisë” derisa ra në kontaktet e para me patriotin dhe revolucionarin e palodhur dhe të përkushtuar Kadri Zekën dhe gazetën “Liria”. Këtu ai filloi një bashkëpunim të ngushtë me Kadriun, i cili që nga viti 1978 kishte dalë në mërgim në Zvicër.

Kadri Zeka punonte si gazetar në radio Prishtina, ku drejtonte emisionin për bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme. Ai emigroi në Zvicër në fund të pranverës së vitit 1978, ku zhvilloi një aktivitet të ngjeshur atdhetar e patriotik në mesin e kurbetçarëve tanë, duke mbajtur gjallë frymën patriotike në mesin e tyre. Pos botimeve tjera ai u mor edhe me nxjerrjen e gazetës “Liria”, Organ i OMLK-së, që filloi të dilte në vitin 1980. Ndërsa me shpërthimin e demonstratave gjithpopullore të Pranverës së Kuqe të vitit 1981, Kadriu u vu në ballë të kurbetçarëve duke i organizuar ata për tubime, protesta e demonstrata nëpër metropolet evropiane, e me këtë t’u dilnin në krah vëllezërve në Kosovë dhe kërkesave të tyre më se të ligjshme. Vetëm në periudhën prill – dhjetor 1981 ai organizoi dhe udhëhoqi tetë demonstrata në vende të ndryshme në Zvicër dhe shtete tjera evropiane.

Pra, UDB-ja nuk kishte shënjestëruar kuturu këta dy udhëheqës dhe prijës të kurbetçarëve, Kadri Zekën e Jusuf Gërvallën. Me vrasjen e tyre UDB-ja mendonte se do shuante edhe shpirtin luftarak e patriotik të kurbetçarëve tanë. Ngjarjet e mëvoshme dëshmuan se sa kishin gabuar në llogaritë e tyre shovinistët serbomëdhenj në Beograd dhe veglat e tyre qorre në Prishtinë.

Por, flakë janarit i dha flaka e ndezur në Prishtinë, në Kodrën e Trimave, natën në mes të 11 dhe 12 janarit 1984, duke përflakur kështu janarin e janarëve të përflakur ndër vite.

Në janarin e dimrit të egër të vitit 1984, si edhe shumë herave tjera, gjaku i bijve më të mirë të kombit skuqi sërish borën e atij të ftohti të acartë, gjaku i atyre që kurorëzuan me qëndresën heroike në luftë me fashistët jugosIlavë duke na lënë shembullin më të mirë të sakrificës, flijimit dhe trimërisë në luftë për liri se si duhet luftuar dhe vdekur për atdhe. Ishin, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha ata që dridhën themelet e regjimit fashist—titist të Beogradit me krismat e tyre të lirisë. Qëndresa heroike e dëshmorëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha shënoi epopenë nga më të lavdishmet e luftës për çlirim kundër regjimit serbomadh pas luftës së dytë botërore, duke përsërtur kështu epopetë e Vojo Kushit, Perlat Rexhepit, Qemal Stafës e shumë e shumë të tjerëve.

Si 17 vjeçar në Gjilanin kryengritës Rexhep Malaj i printe demonstratës së 27 nëntorit 1968. Edhe pse i ri për nga mosha, ai grumbulloi rreth vetes shokë e shoqe të moshave të ndryshme, duke krijuar në fillimvitet e ‘70-ta Grupin Revolucionar të të Rinjve në trevat e Gjilanit, ndërsa në vitin 1972 dhe 1973 ai me grupin e tij u bashkua në Grupin Revolucionar të Kosovës, grup në të cilin ai dha një kontribut të pakrahasueshëm, duke u bërë edhe promotor i gati të gjitha aksioneve që ndërmori ky grup. Në aksionet e mëdha të shpërndarjes së trakteve dhe shkrimit të parullave gjatë viteve 1973-1974, Rexhepi u dallua për trimëri, gjakftohtësi dhe udhëheqje të shkëlqyer. Aksioni i 24 dhjetorit 1974, i cili ishte një ndër aksionet më të mëdha të atyre viteve, u organizua dhe u udhëhoq drejtpërsëdrejti nga Rexhep Malaj.

Më 23 maj 1975 ai arrestohet dhe pas torturava të egra e dënuan me 9 vite burg. Pjesën më të madhe të dënimit e mbajtën të izoluar dhe në vetmi. Gjatë këtyre viteve ai bëri më se gjashtë muaj greva të shumta urie për përmirësimin e kushteve të jetës brenda burgjeve serbo-sllave. Sapo doli nga burgu, ai filloi menjëherë veprimtarinë e tij, të cilën nuk e kishte ndërprerë për asnjë çast as prapa grilave të burgut. Në këtë kohë, në maj 1983, nga burgu doli edhe kolosi tjetër i Lëvizjes Kombëtare, themeluesi dhe udhëheqësi i Grupit Revolucionar të Kosovës, Kadri Osmani. Krah i djathtë i tyre u bë Nuhi Berisha, i cili kishte dy vite që ishte hedhur në ilegalitet të thellë.

Virtyte të tilla bujare e fisnikërie plot zjarr, dashuri për atdheun e urrejtje të pakufijshme për gjithë armiqtë e popullit tonë, edhe pse i ri për nga mosha, kishte edhe Nuhi Berisha. Si i ri ai u njoh me idetë revolucionare dhe i përkrahu ato pa hezitim duke ia kushtuar jetën e tij rinore idealit të lartë për çlirim e bashkim kombëtar. Gjatë vitit 1981 ai mori pjesë aktive në demonstratat e përgjakshme popullore duke organizuar dhe bashkuar rininë, u kacafyt edhe me policinë fashiste serbomadhe që kishte ardhur për të vrarë rininë tonë trime e të pamposhtur që kërkonte të drejtat e veta kombëtare të mohuara.

Për një kohë të shkurtër, për sa vepruan Rexhepi e Kadriu me Nuhiun dhe shokët e tyre, ia arritën ta tmerronin armikun e përbetuar të popullit tonë me aksione të përditshme dhe të guximshme. Ndërsa vepra madhore e tyre ishte edhe krijimi i Partisë së Luftës së Kosovës dhe Fronti Antirevizionist i kësaj Partie. Rexhepi me Nuhiun u ngarkuan me krijimin dhe udhëheqjen e njësiteve të para guerile të Partisë së Luftës dhe në këto cilësi ata bënë epopenë e lavdishme në Kodrën e Trimave më 11 e 12 janar 1984, kur u rrethuan nga të katër anët me forca të shumta ushtarake e policore, në ballë të të cilave prinin njësia famëkeqe speciale e ushtrisë jugosllave e drejtuar nga Tahir Zemaj dhe njësia speciale e policisë së Kosovës e drejtuar nga Nuredin Ibishi. Me këngë në gojë ranë në fushën e nderit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, këta patriotë e revolucionarë të paepur e të palodhshëm, për t’u ngritur e për të mos vdekur kurrë, duke na lënë shembullin më të mirë se si duhet luftuar dhe vdekur për idealet më të larta për çlirim e bashkim kombëtar.

I frymëzuar nga qëndresa heroike e shokëve Rexhep e Nuhi, , më 8 shkurt 1984, trimi Bajram Bahtiri do të përsëriste aktin heroik të shokëve të vrarë duke iu përgjigjur armiqve me flakën e armëve dhe duke rënë edhe ai në fushën e nderit.

Duke e shndërruar dhimbjen dhe pikëllimin në forcë populli i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë e intensifikuan luftën e organizuar edhe më me hov, duke kulmuar me luftën titanike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK Kombëtare dhe UÇPMB, luftë falë së cilës ne sot po frymojmë shqip në trojet tona arbërore.

Të flasësh për jetën dhe veprimtarinë e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit duhen libra të tërë, sepse çuan një jetë të tërë në shërbim të luftës për liri e pavarësi. Ndërsa për luftën e Rexhep Malajt e Nuhi Berishës edhe shumë libra do jenë pak, krahasuar me veprimtarinë aq të bujshme patriotike e revolucionare, ani se jeta e tyre ishte e shkurtër.

Por, jeta dhe veprimtaria e tyre na mëson se, një popull, sado i vogël qoftë, kur ngritet për liri e të drejta kombëtare, kurrë nuk mund të mposhtet. Kur një popull bëhet i vetëdijshëm për të drejtat e tij të mohuara, për situatat e krijuara, për sundimin e shfrytëzimin nga pushtuesi e kolonizatori, ai gjithnjë bëhet grusht i bashkuar e s'ka forcë ushtarake e policore, s'ka pushtues në botë që mund ta ndalë e ta mposhtë vullnetin liridashës të tij.

Duke mos i harruar të rënët, ne i shtojmë shpresat se populli ynë nuk do të vdesë kurrë. Sepse kur i kujtojmë këta martirë e dëshmorë deshëm s’deshëm do të kujtojmë amanetin e tyre të shkruar me gjak:

„Të vazhdohet lufta deri në fitore!“

E kjo fitore e plotë për popullin tonë është realizimi i aspiratave shumëshekullore – bashkimi i kombit të copëtuar nga të huajt në një shtet të vetëm, në një Shqipëri të bashkuar!

Fjalën time dua ta përfundoj me disa thënie të dëshmorëve që ne sot po i kujtojmë:

Jusuf Gërvalla shkruante: „Në ballë të këtij populli dhe të këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën!“

Kadri Zeka shkruante: „ Vetëm bashkimi i gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamje politike mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armikut. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë!“

Rexhep Malaj shkruante: „Është bërë e qartë se përballë nesh qëndron një armik i egër, që zbaton një politikë shoviniste ndaj popullit tonë trim e liridashës. Duke parë peshën shkatërruese të kësaj politike, ne bijtë e Kosovës trime duhet të gjejmë mënyra dhe forma për t’ia prerë njëherë e mirë hovin e saj fashist!“

Nuhi Berisha: „Pa sakrifica lufta nuk bëhet dhe thuhet se sa më të mëdha të jenë sakrificat aq më e afërt është liria!“

I përjetshëm kujtimi për dëshmorët e kombit: Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe të gjithë të rënët në altarin e lirisë

Rroftë kombi ynë shqiptar!

Rroftë bashkimi kombëtar në një Shqipëri të bashkuar!


17 janar 2022, Gostivar, në Flakën e Janarit!















37 views0 comments