• Qazim Doda

Drejtësia (e njëanshme) speciale - padrejtësi totale



Shoqata e ish të Burgosurve Politikë Deklaratë Të lodhur nga masat ngulfatëse dhe pasojat rrënuese të Pandemisë dhe nga kriza e gjithanshme politike, ekonomike e shoqërore, qytetarët e Kosovës, ka kohë që janë të shqetësuar e të trazuar edhe me sfidat dhe sherret e llojllojshme të dialogut djallëzor alias diabologut të tipit :"Delja dhe ujku..." Thuase kjo nuk mjafton, njerëzit tanë ngarkohen çdo ditë, edhe me zhvillime skanadaloze nga të ashtuquajturat "Dhoma të specializuara per krime të luftes", të cilat, qe sa vjet e mbajnë peng Kosovën dhe kanë zgjedhur pikërisht këtë kontekst të rënduar, për të shkallëzuar dhe ndërlikuar edhe më shumë fushatën shumëvjeçare të diskreditimit, demonizimit dhe praktikisht, dënimit dhe ndëshkimit aprioristik dhe ekskluzivist të pjesëtarëve të Luftës çlirimtare dhe sidomos protagonistëve dhe kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës... Në të njëjten ditë, u dërguan në Hagë, para Trupit gjykues për krime lufte, shefi i UÇK- së Agim Çeku dhe njëri nga drejtuesit e Shqatës së Veteranëve të UÇK-së Nasim Haradinaj. Një ditë më parë u nxorr para gjyqit luftëtari Sali Mustafa, një nga funksionarët e Forcës se sigurisë ndërsa Kryetari i Shoqatës Gucati dhe të tjerë, presin kur do të pëballen me trupin gjykues. Për ish të burgosurit politikë, është befasuese dhe e pakuptueshme përzgjedhja e të shënjestruarëve të parë, nga një anë një ish i burgosur politikë, si i mitur, i viteve tetëdhjetë, bir i një familjeje të përndjekur, të persekutuar dhe të martirizuar, dhe, nga ana tjetër, një ushatark i karierës, me përvojë të vlerësuar dhe të dekoruar si të lavdishme, në luftën në Kroaci... Shoqata e ish të Burgosurve Politikë ka tërhequr, me kohë, vërejtjen për rrezikun e injorimit të luftës së shumanshme speciale kundër Kosovës, të kaluarës dhe të ardhmës se saj, por, për fat të keq, vërejtjet dhe sygjerimet tona, jo vetëm që nuk janë marrë në konsideratë, por, për më tepër, janë shpërfilluar, dhe janë keqkuptuar e keqinterpretuar me djallëzi dhe keqadashësi, edhe nga ata që apostrofoheshin dhe shënjestroheshin si objekt i goditjeve të projektuara, madje edhe atëherë kur koha ka dëshmuar drejtësinë e rekomandimeve tona dhe pasojat e rënda të gabimeve të përfaqësuesëve politikë e diplomatikë të Kosovës. Zhvillimet aktuale rreth të ashtuquajturave "Dhoma të specializuara", (që, jo rastësisht, po quhet "Gjykatë speciale..." ngase po funksionon " de facto" si Gjykatë speciale!) janë vetëm edhe një nga dëshmitë e patologjisë së pashëruar të qasjes plangprishëse që ka paralizar Kosovën dhe shtetësinë e saj të brishtë, ka dëmtuar ndjeshëm reputacionin dhe besueshmërinë ndërkombëtare në imazhin dhe besueshmërinë e përspektivës shtetërore të Kosovës dhe Republikës së saj. Vite më parë, shoqata e Burgosurve Politikë, i drejtohej Kreut politik të Kosovës me vërejtjen dhe paraljmërimin për "...pasojat dhe rrezikun e nënvlerësimit dhe neglizhimit të ndërhyrjeve dhe sfidimeve obstruktive e diversive të revanshizmit serbomadh dhe mentorëve e avoketërve miq të tyre, kunder Republikës së brishtë të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Qasja inferiore dhe pelëshuese, papërgjegjësia dhe dëgjueshmëria e verbër servile e vazale, pa principialitet e pa dinjitet nuk i kontribuojnë as shteformimit, demokratizimit dhe integrimit, as pajtimit dhe normalizimit të raporteve të brendshme e të jashtme dhe as paqes së drejtë e të qëndrueshme. Perkundrazi. Konçesionet e lira kapituluese nuk e ngopin shovinizmin, por i shtojnë oreksin... Pas "de fakto" vetëdënimit aprioristik të Luftës çlirimtare dhe krerëve të luftës çlirimtare nëpërmjet vetëthemelimit skandaloz e prejudikues të së ashtuquajturës "Dhomë e posaçme gjyqësore", që po disenjohej dhe po formësohej vërtetë si një Gjykatë speciale antishqiptare, që, ende pa filluar punën, dënon dhe dëmton imazhin e Kosovës dhe gjithë Kombit shqiptar. Deri sa burgjet e Serbisë dhe të Hagës, po zbrazen nga ata pak të gjykuar e të dënuar lehtë për krimet e kryera gjenocidale, burgjet e Kosovës janë plot luftëtarë lirie të burgosur, midis të cilëve pa asnjë dyshim ka mjaftë të burgosur e të dënuar pa asnjë faj e asnjë fakt. Ata që në raste tjera flisnin për shikim përpara, për paqe e pajtim dhe për respektim të të drejtave të njeriut, tani bëjnë të kundërten duke kurdisur e fabrikuar procese artificiale politike, penale e morale, madje edhe duke shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke diskreditur e rrënuar moralisht, paraprakisht dhe me fushata mediatike, tipike të luftës speciale deri edhe figura, deri dje, nga më të respektuarat..." Shoqata e ish të Burgosurve Politike nuk ndërhyn në fushë të drejtësisë dhe veçmas në procesin e ndarjes së drejtësisë nga gjykatësit e autorizuar. Ish të burgosurit politikë, si edhe në rastet kur janë dënuar vetë ata nuk kundërshtojnë drejtësinë, por kundërshtojnë padrejtësinë dhe kuazidrejtësinë selektive dhe ekskluzivisht njëetnike. Nuk mund të mos kundërshtojmë bazën dhe burimin e faktografisë inkriminuese me aq shumë të pavërteta frapante që duket qartë se janë marrë nga pamfletet propagandistike të luftës speciale të Serbisë kundër Kosovës dhe luftës çlirimtare. Si të kuptohet publikimi i herëpashershëm i listave të të inkriminuarëve shqiptarë nga burime të ndryshme serbomëdha që bënin edhe dosje të tilla kundër drejtuesëve politikë e usharakë të NATO-s dhe vendve anëtare të saj, pa u problemizuar asnjëherë, siç nuk u problematizua, këto ditë, as publikimi i të inkriminuarëve dhe i dëshmitarëve të ndryshëm me shifra dhe pa shifra dhe me emra dhe pa emra...?! Nuk mund të mos kundërshtohet fushata perfide e puropolitike për diskreditimin dhe komprometimin e pothuajse gjithë detashmentit drejtues të luftes çlirimtare të Kosovës, që praktikisht është jo vetëm dënim dhe ndëshkim moral por që është "de facto" edhe dënim penal dhe ndëshkim aprioristik, që është prezumim i qëllimshëm i fajësisë dhe shkelje me të dy këmbët e parimit juridik të prezumimit të pafajësisë. Si mund të kuptohen trajtimi me dy kute të ndryshme dhe krejt të kundërta, ndryshe i dëshmitarëve apo denoncuesëve, që mund të jenë edhe të porositur e të instrumentalizuar, dhe krejt ndryshe, të inkriminuarit, që, "De jure" janë të pafajshëm deri në shpalljen e fajsisë dhe që mund të jenë të pafajshëm dhe mund të vërtetojnë në gjyq pafajësinë, siç ka ndodhur në disa nga rastet e ngjashme inkriminuese të ushtarakëve të njohur të UÇK-së.?! Nuk mund të mos konstatojmë me shqetësim dhe të kundërshtojmë edhe faktin se e gjithë kjo padrejtësi ndodh si e kurdisur, pikërisht në kohën kur zhvillohet i ashtuquajturi dialog problematik, herë teknik e herë politik, midis Kosovës së sapo çliruar dhe Serbisë pushtuese destruktive dhe revanshiste, ndërkaq midis të apostrofuarëve dhe të inkriminuarëve ka edhe protagonistë aktivë të politikës dhe përfaqësimit diplomatik të Kosovës, dhe procesi i kurdisur mund të jetë një faktor presioni, frikësimi dhe shantazhimi. Çuditërisht, diçka e tille nuk ndodh me Serbinë, por nuk ka dyshim.... që kjo i levërdisë shumë palën negociuse serbe. Nuk mund të mos kundërshtojmë sërish, atë që kemi kundërshtuar që në nismë, që një format i tillë drejtësie të padrejtë, eksluzivisht jo kosovare si gjykatë dhe eksluzivisht shqiptare si shënjestrim, dhe, siç po duket, edhe eksluzive në qasje, i imponohet vetëm Kosovës së shumëvuajtur dhe të martirizuar dhe jo vendeve tjera përreth dhe poashtu viktima të hegjemonizmit serbomadh, dhe madje, nuk i imponohen as vetë Serbisë, faktorit të pakontetsueshëm përgjegjës për të gjitha luftërat në këto hapësira dhe për pjesën më të madhe të të gjitha krimeve dhe mizorive të kryera në këto hapësira! Nuk mund të mos kundërshtojmë mostrajtimin e faktit të freskët të publikimit, nga burime zyrtare serbe, të dokumenteve zyrtare serbe, nga emra funksionarësh të ish regjimit serb dhe, aktualisht, bartës funksionesh zyrtare, me shpejgime të detajizuara për kohën, vendin dhe autorët e krimit , të rasteve monstruoze, si rasti i ekzekutimit mizor të qytetarëve krejtë të pafajshëm, bashkë me liderin e shquar të Lëvizjes çlirimtare shqiptare, Profesor Ukshin Hotin, menjëherë pas mbarimit të dënimit të burgut dhe lirimit zyrtar nga burgu... Nuk mund të mos kundërshtohet heshtja e plotë jo vetëm nga ana e drejtësisë serbe, por edhe nga ana e asaj ndërkombëtare, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, edhe për rastet ende të pa trajtuara dhe të paproceduara edhe pse janë publikuar fakte e dëshmi të rëndësishme rreth vrasjeve të personaliteteve të rëndësishme si Xhavit Haziri, Prof.Fehmi Agani, Dr. Hafir Shala, Prof. Latif Berisha, Prof. Bardhyl Çaushi, Agim Hajrizit, Bajram Kelmendit me gjithë dy djemë, si dhe sa e sa raste të ngjashme? Dhe jo vetëm kaq! Jo rastësisht, para drejtësisë ende nuk janë nxjerrë edhe dhjetëra e qindëra raste të faktura dhe të verfikuara të masakrimeve kolektive dhe monstruoze të familjeve shqiptare ose të turmave të qytetarëve të dëbuar a të rrëmbyer me dhunë nga formacionet vrastare ushtarake e policore shoviniste. Vazhdojnë të mbeten të patrajtuara edhe krime gjenocidale si masakrimi i qindëra të burgosurve politikë në Burgun e Dubravës, ose krimi i paparë shtetëror i shpërndarjes së organizuar të mijëra qytetarëve civilë të pafajshën, të gjallë e të masakruar, nëpër varreza kolektive ose nëpër hangare e furrënalta fabrikash, për t' u humbur gjurmët dhe për të fshehur vërtetën për megakrimet gjenocidale dhe monstruozitetin e trajtimit të pengjeve dhe, sipas të gjitha gjasave edhe të trupave dhe organeve të tyre para dhe pas vrasjes mizore... Injorohen e tolerohen krime dhe mizori të tilla, edhe kur aktorët dhe përgjegjësit e tyre të pandryshuar, jo vetëm që nuk shfaqin keqardhje e pendim, por përkundrazi i mohojnë krimet e së kaluares, manifesojnë hapur etjen dhe gatishmërinë për përsëritjen e krimeve të tilla edhe në pritje të rastit e krijuar eventual, në të ardhmen. Kurse, këndej, në anën tjetër, ngritet në këmbë një alamet efektivi enigmatik i policisë speciale, për t'u futur me forcë, në zyret e Shoqatës së Veteranëve, inalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe, në prani të veteranëve dhe qytetarëve tjerë, për të arrestuar në mënyrë të vrazhdë e spektakulare, Kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës, invalidin e luftës me shkallë të lartë invaliditeti, me pretekstin se paskan keqadministruar sfiden e dosjes misterioze dhe enigmatike gjoja të dhomave të specializuara, të sjella, në zyret e Shoqatës së veteranëve, nga njerëz të paidentifikuar, (mbase edhe me sherr e provokim?!) dhe sepse paskan shprehur, në debate dhe konferenca shtypi, qëndrime e mendime të palejueshme nga dhomat e specializuara... Ne mund të mos pajtohemi me ndonjë deklaratë të nxituar e afektive dhe me ndonjë veprim të pamatur, por nuk mund të mos solidarizohemi me Shoqatën e Veteranëve dhe me drejtuesit e saj, të burgosur me aq bujë e spektakël, me pretekste të diskutueshme dhe mbase edhe të kurdisura qëllimisht nga segmente djallëzore të luftes speciale. Nuk mund të justifikohet burgosja teatrale e Drejtuesëve të veteranëve të luftes për ndonjë shkarje a lajthitje eventuale verbale, por pa faj të tillë, që do të justifikonte arrestimin e blinduar publik, aq brutal e diskreditues dhe jo pak edhe iritues. Shoqata e ish të burgosurve politike e Kosovës, është anagzhuar në vijimësi dhe vazhdon të angazhohet kundër burgosjeve me motive politike dhe për shkak të mendimit dhe shprehjes së lirë. Në këtë frymë, ne kërkojmë lirimin e drejtuesëve të Shoqatës se Veteranëve të Luftës çlirimtare dhe rishikimin e gjithë maskaradës së inicimit dhe kurdisjes me motive malicioze politike dhe marifete të luftes speciale propagandistike dhe revanshiste. Besojmë shumë në vlerat e drejtësisë demokratike dhe evropërndimore por kjo palodrejtësi që na është imponuar nuk shpërfaq dhe nuk premton drejtësi me vlera demokratike dhe as evroperëndimore. Prandaj trokasim në ndërgjegjen morale dhe parimësinë profesionale të komunitetit juridik e humanitar në Evropë dhe në Botë, me kërkesë për angazhim për të parandaluar fenomenin: Drejtësi e imponuar speciale si padrejtësi e njëanshme totale. Shoqata fton anëtarët e saj dhe qytetarët e shqetësuar që të përmbahen nga veprimet dhe deklarimet e pakontrolluara dhe të mos lejojnë të rrëshqasin apo tërhiqen në grackat e rrezikshme të luftes evidente speciale antishqiptare! "Mashtrimet e mashtruesit përballohen me drejtësi, sepse gjithçka mënjanohet me të kundërtën",- thoshte Sami Frashëri dhe porosiste: " Rruga e vërtetë është drejtësia; mos u ndani nga rruga për të hyrë nëpër rrugica".

Hydajet Hyseni Kryetar i SHBPK

3 views

Subscribe to Our Newsletter

  • White Facebook Icon

© 2020 by Albanian American Vision.