• Qazim Doda

BARTËSI I FLAKADANIT TË PASHUAR


Prof. Fazli Veliu


Një i ri, nga shkolla e mesme, pa pasur përgatitjen për rrugën e gjatë të marathonit, e zgjodhi pikërisht atë, duke parë në garën e saj ata që ishin panteonët e zjarrit të pashuar, të udhëhequr nga bartësi i zjarrit të pashuar – REXHEP MALAJ, ngadhnyes mbi armiq e zjarrëfikës të revolucionit të zjarrtë... E caktuam një takim, pas atij në Gostivar, ku bartëm flakadanin e dritës së shtigjeve të lirisë, për t’u takuar kudo, në mërgim, më shumë atje ku kishin qenë të paepurit, në këmbë, ditë e natë, krushqit e lirisë, KADRI ZEKA, dy vëllezërit GËRVALLA, Jusufi e Bardhoshi, nga dardanët, ilirët tanë...

Zgjodhëm një vend të qetë, për të biseduar shtruar, si dikur, midis të paqetësuarve mërgimtarë, që i digjte malli për anëtarët e familjeve të ndjekura, herë nga krajli, herë nga mbreti, pa ditur, kush do të mbetej i gjallë.

Pranë ndodhej rruga, ku unë përcolla Nuhi Berishën syskifter, që mezi priste t'i niste hapat drejt Gjilanit legjendar, për të mbërri më afër Shkupit, ku, në burgun vrastar, ndodhej dikur vigani Rexhep Malaj së bashku me të ngjashmin nga Tetova historike Rafi Halilin e krismave të Sharrit mburojë.


Me veprimtarin e çështjes kombëtare dhe luftëtarin e lirisë Agim Sylejmani, me rastin e takimit më 13 shkurt 2022 në Zvicër

Agimi i ri dikur, tashti i zenitit të pjekurisë, nxjerr celularin, për të lexuar të palexuarat, unë i gatshëm për të thënë të pathënat. Disa nga ato, thamë, duhet ditur. Mua më kishte mbetur në mendje dasma e Kadri Zekës, ku isha njëri nga krushqit e lirisë, nga viset e Ilirisë. Në atë dasëm Manifest Kombëtar, dhëndrri Zeqa, Kadri Zeka, i dha përparësi nuses së tij, Saimes, të vallëzojë vallen e Shotë Galices me një valltar të veshur me veshje dardane.



Pas disa hapash vallja u ndërpre, mbasi valltari hapte krahët më shumë, ndërsa valltarja, Saimja, u shkëput që të hyjë nën krahët e të zgjedhurit të saj, Zeqës.

Vallja u ndërpre, ngjajshëm me ate të Shotë Galicës dhe Azem Bejtës, në mesin e dasmorëve nga të gjitha viset shqiptare...

Nga ai çast, krushku i parë Jusuf Gërvalla nuk këndoi, nuk i ra kitares, nuk e mori fjalën...

Agimi, në këtë takim, shkarkon një mal me shkrime nga dy celularë... Ishin shkrimet, sikur ato të Udhës së shkronjave, kur para dhe pas, ndodhin ndërprerje, ndjekje, thika pas shpine...

Ky i ri zgjodhi në fillim organizimin e drejtimit të majtë, të Rexhep Malajt, të Grupit Revolucionar të Kosovës. I qëndroi besnik.

Në kohën e emrimeve të Lëvizjeve tona gjatë dhe pas rënies ballë përballë me UDB-ashët dhe mashat e tyre në Stuttgart tre yje të pashuar, Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, ky i ri, Agimi, i ditëve të agimeve tona në mërgim, mbështeti Programin e Kadri Zekës, Revolucionarit në zë, të shqiptarëve nën robëri dhe të mbarë kombit tonë, madje edhe të Lëvizjeve Ballkanike e Evropiane...



Mua, që vija nga Uskana, më ra fati, detyra fisnike e Jusuf Gervallës, që drejtoi të djathtën, të nisur nga Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e shtrirë në mbarë hapësirën e robëruar shqiptare...

Të dy shpalosëm ato pjesë të cilat nuk kanë epilog.

Ky i ri, qendroi midis dy krahëve, për të bashkuar Lëvizjet tona, edhe atëherë, kur ishin në krizën e ndjeshme të pushimit, asgjësimit, nga anash dhe nga brenda. Pëlqeu ngjyrën e kuqe, për t'i dhënë dritë shtegut të Lirisë.

Kjo menyrë veprimi, e bën atë të jetë ndër më të adhurueshmit ndër vendorët dhe mërgimtarët të të gjitha dekadave.

Ndonëse ndodhemi në kohën e një epidemie biologjike dhe të një "epidemie" politike, s'mund të na pengojë, të na ndalë kushdo qoftë në rrugën e takimeve, të veprimtarisë e bashkimit tonë të natyrshëm kombëtar...

2 orë, sa 20 minuta, nën kulmin e Alpeve Helvetiane, për të vazhduar në kulmin e Alpeve Iliro-Dardane...


Prof. Fazli Veliu – Daja

Luzern, 13. shkurt 2022

292 views0 comments

Recent Posts

See All