Donika e Era Hoxhës

Shkruan: Nexhmije Hasani

 

Në sallën e Teatrit Strugan, spektatorët përcjellin emocione të forta të një shfaqe tepër të veçantë.

“Është shumë e bukur,  – dëgjova një zë mbas shpinës sime. Ka klas dhe rrezaton gjatë interpretimit”.

E kuptova menjëherë që po flisnin për sopranon Era Hoxha, ardhur posaçërisht, për të shfaqur dhe interpretuar sonte në qytetin e bukur historik Strugan,në vendlindjen e të parëve të saj.

Vajza e bukur strugane, e cila është parë të shfaqet me talentin  e saj  në vegjëlnë e saj, në koncerte të njëpasnjëshme. Në Shkup, Kosovë, Strugë, Evropë e Amerikë. Çdo artisti, aktori a poeti, i ndodh në jetë të rend pas ëndrrave pas dëshirave, ku paralelisht me planet e tyre, iu duhen dhe të përballen me sakrificat e emigracionit që sot është aktuale. Ne rrugëtimin e tyre, udhëtojnë me një qëllim, i cili ka forcën e nje uragani dhe i jep jetës kuptimin e plotë. Një nga këto artiste është dhe Era jonë. Për këtë qëllim, rreh çdo ind i zemrës dhe dhemb çdo qelizë gjaku. Është dashuria për Atdheun, për vendin, ku lind dhe rritesh. Ku për herë të parë belbëzon në shqip dhe i thërret “nënë” në gjuhën e nënës. Është kjo tokë e Arbërisë, e vaditur me gjak shekuj të tërë. I kuq si gjaku është flamuri ynë. Të kuqe çelin manushaqet në çdo rënie të një dëshmori. Sa shumë të kuqe janë trojet shqiptare.

Ja sonte, pikërisht Era Hoxha, shfaqet kaq magjike, e veshur me një xhubletë të kuqe, të qendisur në ar. Ish studentja e Akademisë së Arteve, fituesja e parë e Festivalit “Bilbilat këndojnë”, artistja e kompletuar , sonte ajo vjen ndryshe. Skena është e tëra e saj. Ndjehet frymëmarrja e spektatorëve të ul ritmin. Mbrëmja e kësaj nate flakëron me qiellin yjësor nga interpretimi brilant i sopranos shqiptare. Jo vetëm si këngëtare po, sonte ajo shfaqet edhe si aktore te  poema dramatike e shekullit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në Strugë ndjehet oshëtima e valës Joniane:

Vajza nga Kanina e Vlorës.

Nusja më e bukur labëreshe, “ringjallet” sonte nën interpretim te Era Hoxhës, dukesha e Principates Arianitase.

Nuk e kisha parashikuar kaq të  madhërishme të shfaqej në skenë. Nëse do të  mundnim të kthenim vitet, shekujt pas e të bashkonim kohët, vetë dukesha Donikë, do të  ishte befasuar nga ky interpretim kaq orgjinal.

Skena drithëron nën improvizimin e peshës së “patkojve” të kuajve.

Ai, vjen i gjallë në mes të gjallëve, për t’i treguar botës që nuk kishte vdekur kurrë, Skënderbeu ynë! Koha e kishte lënë, paksa në heshtje këtë figure e krenari kombëtare, a ishte mit apo legjendë…, aq më keq  lë të harruar figurën e kryegruas së Arbërisë. E njihnim madheshtinë e Heroit legjendar, Skënderbe,  forcën e tij, zgjuarsinë e mendimin, por i shfaqur në arie klasike dhe interpretim dramatik, ndodhte vetëm tani, në këtë shekull, në këtë kohë, ku Bota është ne ulje – ngritjet e saj.

Futja në rol dykahësh e sopranos si kengëtare dhe aktore, njëkohësisht, të lë të kuptosh e të ndjesh forcën e madhe, e simbolizon femrën shqiptare. Model i mirësisë, humanizmit, zgjuarsisë, e tillë ishte Donika e si ajo shumë femra shqiptare që kanë ndritur udhën e shqiptarizmit.

Shfaqje e tillë, me nivel të madh artistik, të tërheq magnetikisht në brendësi të magjisë së saj.

Ajo ishte kaq e bukur, si në rol e në zë, por dhe në hijshmërinë e saj. Kaq ëngjëllore, si në ditën e parë të martesës së vërtetë. Zonjës së Skënderbeut të madh, iu dha bekimi ungjëllor në Kalanë e Kaninës mbi Kishën e Bardhë. Në Ardenicë e Manastir, e tutje lart në Kalanë e Beratit, hidhej vallja e rëndë shqiptare, e ndjehet deri në Anadoll. Kjo ishte vërtet performanca më e mirë, në dramë e muzikë klasike. Donika, e bija e princit Gjergj Arianiti, gruaja besnike e Skënderbeut, sonte e solli kaq afër Era Hoxha. Jo vetëm e njohur si këngëtare klasike, po e konfirmuar, tashmë, në këtë rol edhe si aktore. Nuk është e lehtë të jesh në rol dykahësh. Ky interpretim ishte modern dhe do shumë punë të arrihet. Jo vetëm një artiste e bukur, po një zonjë, nënë e arrirë në jetë, prandaj dhe në rolin e Donikës, demostroi gruan e urtë, besnike, këshilltaren e parë të Skënderbeut. Përfaqësuesja e gruas labe, që gjithmonë ka treguar vlera të larta të trimërisë e inteligjencës, Mbretëresha nga fisi i Arianitasve: E përulur përpara lartësisë së zotërisë, por e fuqishme në fjalën e saj.

Një lidhje e fortë e mbajtur mbi besë, e palëkundur deri në ditën e fundit të jetës së heroit. Fitorja e një kombi është besimi.

Mbas asaj shfaqje, përjetuam, bukurinë, dhimbjen, trimërinë dhe besnikërinë e asaj kohe 500 vjeçare.

Në  buzën e liqenit të Ohrit, vazhdoi ceremonia e kësaj dasme 500 vjeçare. “Unë ndjeva të derdhej në cepin e buzës sime, verë “Parge” Çamerie dhe në “shqisat” e shijimit, mikpritje,  servirje asortimentesh festive  e mish dashi Labërie.