ATHDHETARIZMI DHE HUMANIZMI I GJERGJ DHE GJYSTE KALAJT I PËRJETËSUAR NË NJË LIBËR

Duke lexuar librin me kujtime “Gjergj Kalaj-homazh për njeriun dhe patriotin e shquar”, të përgatitur nga Nasho dhe Kristina Jorgaqi, botuar nga OBRA GVG, Tiranë, 2018

 

Nga: Dr. Besim Muhadri, Nju Jork, Tetor 2018

 

Gjergj Kalaj, ky atdhetar e humanist dhe mbi të gjitha njeri, bashkëshort dhe shok e mik i përkushtuar, na vjen përmes këtij libri, si një figurë që duhet admiruar dhe përkulur para tij përjetësisht. Libri në fjalë, i përgatitur nga profesor Nasho Jorgaqi dhe e bija e tij, Kristina, është një libër i veçantë. E veçanta e tij nuk është vetëm se përjetëson një nga figurat interesante dhe emblematike të mërgatës shqiptare, siç ishte Gjergj Kalaj, por njëherësh edhe për arsye se ai është një libër që siç e thotë edhe historiani Pëllumb Xhufi, “i shkruar nga shumë autorë”. Autorët e këtij libri janë shokë e miq të protagonistit: akademikë, shkrimtarë, studiues, poetë, piktorë, punëtorë, politikanë nga të gjitha viset shqiptare. Të gjithë këta, secili në mënyrën e vet, përmes kujtimeve, rrëfejnë histori të ndryshme që ndërtojnë figurën e heroit apo personazhit të këtij libri. Në këto rrëfime nuk ka hiperbolizime, ka vetëm të vërteta që ndërlidhen me jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kalajt, këtij kalorësi të atdhetarisë, fisnikërisë, bujarisë e të zemërgjerësisë së malësorit shqiptar. Të dashurisë e të respektit të këtij njeriu me zemër të madhe që  i rrahte vetëm për një gjë: për atdheun e tij dhe për njerëzit e tij për të cilët u mundua të jepte gjithçka kishte mundësi, në kohë dhe situata të ndryshme.

Përjetësimi në monument libri

Gjergj Kalaj, i përjetësuar tashmë në monument libri, na vjen i thjeshtë, i qetë, i dashur dhe i palodhur, ashtu siç ishte. Madhështor. Madhështinë ia shtojnë fjalët e atyre që njohën e që bashkëvepruan me të. Të atyre që e njohën në kohë e situata të ndryshme. Janë 19 autorë të cilët përmes kujtimeve të tyre rikthejnë kujtesën në ato vite, për të kaluar edhe një herë nëpër ato shtigje jete e historie nëpër të cilat kaloi Gjergji dhe ata. Janë po ashtu edhe katër fjalime me rastin e ndarjes së tij nga jeta, por janë edhe disa poezi e këngë që flasin aq shumë për figurën e këtij shqiptari të madh. Të këtij simboli e kreshniku malësie, që tërë jetën derdhi mundin për sendërtimin e ëndrrës së madhe të bashkimit kombëtar. Këtë e tregon edhe angazhimi i tij permanent për çështjen shqiptare, për të drejtat e shqiptarëve në ish viset e Jugosllavisë, e veçanërisht atyre në Kosovë e Mal të Zi.

Libri hapet me fjalën e akademik Rexhep Qosjes, për të vazhduar pastaj me kujtimet e bashkëshortes dhe bashkëveprimtares së tij, të Gjyste Kalajt, të kësaj gruaja e cila i dha shpirt e jetë në rrugëtimin e tij të gjatë,  pastaj të piktorit Ramiz Llapatinca, të Luan Pobratit, Gjergj Ulit, profesor Nasho Jorgaqit, Dr. Bardhyl Resos, Pal Neçajt, Skënder Dukës, Sadije Agollit, poetit e publicistit Naim Balidemaj, Rexhep Vuçetajt, Indrit Resos, Ndue Sinishtës, Bruno Selimajt, Ejllo Berishajt, Jorgo Melicës, Shpend Haxhajt e Qazim Dodës.

Të gjitha këto shkrime në formë kujtimesh kanë historinë e vet, janë interesante dhe, siç e thash edhe në një rast më lart, ndërtojnë figurën e heroit. Pothuajse në të gjitha këto rrëfime, është prezentë edhe bashkëshortja e tij, e fisshmja, apo siç e quajti dikush, burrnesha Gjyste Kalaj. Dikush madje këtë qift të mrekullueshëm e të admirueshëm bashkëshortor, i krahasoi edhe me Shotë dhe Azem Galicën e Nënë Terezën. Dhe ky krahasim, kaq i qëlluar, është i arsyeshëm, sepse ndërlidhet katërçipërisht me dashurinë dhe veprimtarinë e tyre. Të pandarë, ndër vite, ata dhanë kontributin e tyre shumë të çmuar, qoftë në aspektin kombëtar, qoftë në atë humanitar.

Atdhetarizmi-ideal i Gjergj Kalajt

Duke shkruar kujtimin e tij me rastin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kalajt, që ai do ta quan ndër lajmet më pikëlluese  të pranuara gjatë viteve të fundit, akademik Rexhep Qosja, në asnjë moment nuk e ndan edhe Gjysten nga Gjergji, të cilën do ta cilësonte me epitetet “bashkëshorte e çmuar, e hijshne dhe e fisme si vetë Gjergji”. Ai flet edhe për mikpritjen e tyre, bujarinë e treguar, sjelljet e tyre ndaj mysafirit, ndaj çdo të njohuri e të panjohuri. Por Gjergj Kalaj, në kujtesën e akademik Qosjes nuk mbetet vetëm për sjelljen e tij ndaj mysafirit në shtëpinë e tij, por edhe për karakterin e tij, për edukatën e tij, për kulturën e tij, për gjuhën e tij, për bujarinë dhe për fisnikërinë e tij, e mbi të gjitha për atdhetarizmin e pashoq të tij. Të gjitha këtë atribute të Gjergj Kalajt, Qosja është i bindur se ishin rezultat i lindjes dhe rritjes së tij në një krahinë historike shqiptare, siç janë Hoti e Gruda, nga e cila kanë dalë figura të mëdha të kombit, si Dedë Gjo Luli, Nora Kelmendi etj., me të cilat Gjergj Kalaj kishte jo vetëm lidhje shpirtërore e krahinore, por edhe familjare. Ai që e kishte pushtuar dhe nuk e lëshonte dot nga vetja Gjergj Kalajn, sipas Qosjes ishte atdhetarizmi: “Atdhetarizmi ishte ideali, të cilin Gjergj Kalaj e kishte marrë me vete, në mendje dhe në zemër, kur ishte shpërngulur prej vendlindjes për t’u vendosur në qytetin e madh, me të gjitha, më të madhin në planetin e Tokës, në Nju Jork. Me atë ideal Gjergj Kalajn e kishin edukuar këngët e ndryshme që këndoheshin atje, këngët kreshnike që këndoheshin me lahutë, këngët që këndoheshin majekrahu, si thuhet në Malësi, këngët e ndryshme historike, kallëzimet për ngjarje të ndryshme, kallëzimet për trimat që ishin flijuar për lirinë dhe pavarësinë e atdheut… etj”, shprehet në mes tjerash akademik Rexhep Qosja.

Interesantë janë edhe kujtimet e të tjerëve, ndërkaq, emocionues është kujtimi i bashkëshortes, Gjystes, ku rrëfen për njohjen e saj me Gjergjin, fejesën, martesën dhe rrugëtimin bashkëshortor e veprimtarinë atdhetare. Këtu natyrshëm shpërfaqet pandashmëria e këtij qifti ideal bashkëshortor gjatë pothuajse pesëdhjetë viteve bashkëjetese e bashkëveprimtarie. “Të dy bashkë iu përkushtuam idealit kombëtar dhe këtë e shprehnim, veç të tjerave, me pjesëmarrjen aktive në lëvizjen patriotike të komunitetit shqiptar në SHBA, veçanërisht në mbrojtje të kauzës së Kosovës”, thotë Gjysete Kalaj në kujtimet e saj.

Angazhimi kombëtar i Gjergj Kalajt dhe i Gjyste Kalaj shihet edhe në kujtimet e Ramiz Llapatincës, Luan Pobratit, Nasho Jorgaqit, Naim Balidemajt, Qazim Dodës dhe të të gjithë atyre që janë pjesë e këtij libri. Përveç të tjerave, Gjergj Kalajn, në këtë libër, e shohim në krye të aktiviteteve kombëtare, themelues apo bashkëthemelues të shoqatave atdhetare, siç ishte Klubi “Jusuf Gërvalla”, pjesëmarrja e tij në demonstrata dhe organizime të tjera të shumta në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Përveç karakterit të tij prej idealisti të pandalshëm në rrugëtimin tij atdhetar, tek figura e Gjergjit shohim edhe karakterin e tij burrëror të malësorit, të njeriut të besës e të fjalës. Të humanistit e të njeriut të përkushtuar fort në misionin e tij jetësor e kombëtar.

Në këtë libër Gjergj Kalaj na vjen i kompletuar  si njeri dhe si shqiptar. Tek ai nuk shohim shenja ideologjie, siç do të dëshironin ta cilësonin disa. Tek ai, mbi të gjitha ishte atdheu – Shqipëria, të cilën e deshi më shumë se gjithçka në jetë dhe të cilën e vizitoi në kohë e në situata të ndryshme kur edhe nuk ishte ashtu sikurse e kishte dëshiruar ai. Por, megjithatë ai kurrë nuk u dëshpërua. Kurrë nuk e shprehi dëshpërimin apo zhgënjimin, sepse besonte fort në idealin e tij se Shqipëria do të bëhej ashtu sikurse e kishte dëshiruar. Për Gjergj Kalajn Shqipëria dhe shqiptaria ishin “ushqim dhe frymëmarrje dhe ai nuk vuante nga idoltaria, pasi e konsideronte veten një qytetar i zakonshëm shqiptar, që duhet të përmbushte detyrat e tij ndaj kombit”, do të shprehej në mes tjerash, miku i Gjergjit, poeti dhe publicisti Naim Balidemaj.

Gjergj Kalaj figurë emblematike e mërgatës shqiptare në Amerikë

Kompletimit të figurës së Gjergj Kalajt në këtë libër me krijimet e tyre poetike i kanë kontribuar edhe Nosh Rrok Camaj, Dedë Dushaj, Luigj Gjokaj, ndërsa poeti popullore, Isa Breçani na vjen me dy krijime këngësh, njëra për Gjergj Kalajan apo “atdhetarin e çështjes kombnëtare”, siç e ka titulluar ai dhe me krijimin e tij të parë, ndërsa të dytin ai ia kushton Norës së Hotit, që ishte familjare e Gjergjit. Emocionues dhe tepër përmbajtjesor është poezia e bashkëshortes së Gjergjit, Gjystes, përmes së cilës ajo shpreh dhimbjen për humbjen e më të dashurit të saj, humbje me të cilën vështirë e ka të pajtohet.

Një gjë që e bën interesant këtë libër, po ashtu të veçantë, është edhe botimi i monografisë “Nora e Hotit” e Sandër Gerës”, të cilën, siç e pohon edhe Nasho Jorgaqi, ” Gjergji e kishte fort për zemër dhe e quante “Bibla e Hotit” dhe të cilën e la amanet që të ribotohej, ndërkaq, fotoalbumi, pjesa që përmbyll këtë libër,  po ashtu paraqet një aspekt të rëndësishëm, ku, përmes fotografive shohim inserte nga jeta dhe aktivitetet e Gjergj e Gjyste Kalajt gjatë një periudhe gjysmëshekullore.

Në fund mund të themi se libri me kujtime “Gjergj Kalaj-homazh për njeriun dhe patriotin e shquar”, i përgatitur nga Nasho dhe Kristina  Jorgaqi, është një libër i rëndësishëm, një libër i llojit të vet, që i kushtohet Gjergj Kalajt, njërit nga figurat emblematike të mërgatës shqiptare që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri, ndonëse “na e sjell Gjergjin të gjallë”, siç shprehet Nasho Jorgaqi,  ndoshta do të ishte më i kompletuar sikur t’i bëhej një parathënie dhe një hyrje nga autorët apo përgatitësit e tij, ndërsa, në të ardhmen, nëse ribotohet, do të ishte  e domosdoshme që t’i shtoheshin edhe shkrimet e bëra për të me rastin e botimit, ashtu sikurse edhe fjalët e mbajtura me rastin e promovimit të tij në vendlindjen e Gjergj Kalajt, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme të jetës kulturore e akademike dhe që në fjalët e tyre tepër përmbajtjesore thanë shumë, jo vetëm për librin, por edhe për personalitetin e Gjergj Kalajt, të këtij kalorësi të atdhetarizmës, vdekja e të cilit la zbrazëtirë jo vetëm tek bashkëshortja e bashkudhëtarja e tij, Gjyste Kalaj, por edhe tek të afërmit e tjerë dhe të mërgata shqiptare këtu në Nju Jork e më gjerë.