KUR HASHIM PASHA E BËN KOSOVËN HASHA

Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

 

Parlamenti Evropian e kishte paraparë pas disa muajve të vë në rend dite dhe të shqyrtojë e ta hedhë në votim çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Por, më 12 shtator 2018 në lajme u njoftua se çuditërisht të nesërmen në rendin e ditës në mbledhjen e Parlamentit Evropian do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën! Kjo më zgjoi kurreshtjen, se çfarë e shtyri Parlamentin Evropian që ta hedh me kaq nguti në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën? Para pak më shumë se një viti, në qershor 2017, Parlamenti Evropian kërkonte me urgjencë që të formohet i ashtuquajturi Asociacion i komunave serbe në Kosovë, për t’ia lëshuar rrugën liberalizimit të vizave:

“Parlamenti Evropian me projektrezolutën e cila është miratuar nga këshilli për Politikë të Jashtme, kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më parë të themelohet Asociacioni me një afat të kufizuar kohor për hartimin e statutit të Asociacionit si dhe i njëjti të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, – kështu u tha më 12 qershor 2017.

Pra, kjo lë të kuptohet se veç i është prerë kërthiza e Republika Sërpskas në veri të Kosovës dhe për ndrikullë është zonja Mogherini, prapa së cilës qëndron Parlamenti Evropian.

Para ca ditësh me pompozitet thuhej se pritet që me rastin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, hiç më pak se 250’000 shqiptarë do të ikin nga Kosova!

Pra, janë bërë plane që Kosovën ta braktis shtresa e mesme e shoqërisë, ajo që ka mjaft mjete financiare për të përballuar shpenzimet e udhëtimit. E në anën tjetër, pikërisht kjo shtresë është ajo që i shtynë proceset, shtresë e cila edhe është e predisponuar për të protestuar kundër dukurive negative në shoqëri. Kështuqë shumë shpejt të “gjithë” do të “jemi të kënaqur”! Bile edhe varfanjakët që nuk kanë bukë me ngrënë do të “kënaqen” se Kosovës i janë hequr vizat e udhëtimit nëpër Evropë!!!

Evropa, kjo plakë e mrrytë, / së cilës dreqi ia plasi dy sytë / një tash e svoni e boni gjyqin / që nipat e Kastriotit urt të rrinë mas sodit…!!!!

Ky lajm për mua është një ogur i zi për Kosovën! Nuk ishte i rastit formimi i delegacionit qeveritar në krye me Fatmir Limajn për bisedime me Serbinë dhe sabotimi i Kuvendit të Kosovës edhe nga pozita edhe nga opozita. Nuk ishte pa gjë vizita e Vuçiqit, as skenari i protestave për të kërkuar “falje” Vuçiqi, as shkuarja e Vuçiqit në digën e Ujmanit, as fjalimi i tij në Mitrovicë. Nuk janë të rastit edhe blic vizitat e krerëve të Kosovës në Shqipëri e Maqedoni… dhe defilimi i gati gjithë spektrit politik në Shqipëri e Maqedoni para kamerave televizive…

Gjithë kësaj i parapriu lajmërimi se Aleksander Vuçiq do të vizitojë Kosovë. Para kamerave televizive defiluan paria e vendit duke u krekosur si gjelat para dyluftimit, se Vuçiqit nuk do t’i lejohej hyrja në Kosovë. Kadri Veseli shkumonte para kamerave televizive jo vetëm duke ia mohuar hyrjen në Kosovë Vuçiqit por edhe ia kujtonte ministrin e tij Gjuriqin se si e paskan “arrestuar” dhe tërhequr zvarrë…!!! Athua çfarë do të thoshte sot ose nesër në mëngjes për këtë??!

Miku i ngushtë i Boris Jelcinit dhe vetë Sllobodan Millosheviqit, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm në qeverinë e Kosovës Begjet Pacolli u krekos fillimisht para kamerave se gjoja Vuçiqit ia kishin refuzuar kërkesën për të vizituar Kosovën ndërsa në digën e liqenit të Ujmanit tha se nuk vjen në shprehje të vie. Pas dy tre orësh, pa pikë turpi dhe pa u skuqur fare u deklaroi gazetarëve se Aleksander Vuçiqit do i lejohej vizita në Kosovë dhe në digën e liqenit të Ujmanit “me sugjerimin e ndërmjetësueses të BE-së dhe aleatëve të Kosovës, të cilët janë të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve tona”! Nuk u mor vesh fare, kur u lëshua leja që Vuçiqi të vizitojë edhe digën e Ujmanit? A dinin gjë për këtë edhe Ramush Haradinaj e Kadri Veseli? Apo Pacoll(v)i (ky titist i përkushtuar) e ka vendosur pa i pyetur fare dhe i ka sjellur para aktit të kryer? Sikur të ishte sado pak në nivelin e përgjegjësisë Ramush Haradinaj, do duhej ta shkarkonte këtë batakçi e dallaveraxhi prej tuxhari duke e anuluar edhe lejen që ia paska dhënë Vuçiqit! Por, logjika më thotë se Pacoll(v)i nuk ka lëshuar asnjë leje pa rekomandimin e tyre.

Edhe vetë kreu i Agjencionit të Inteligjencës serbe (BIA), Bratislav Gašić, ishte me eskortën e tij në sigurimin personal të Vuçiqit. Athua a ka kërkuar edhe ai leje hyrje në Kosovë? Nëse jo, kush e lejoi dhe si hyri? Dihet se ai ka hyrë në portën 31 në Bërnjak me disa vetura dhe një xhip? Ku ishte policia e Ramushit dhe Kadrisë në këtë kohë? Apo ndoshta fshihet gjë pas kësaj hyrje-dalje pa “viza” e pa “leje” sipas ndonjë marrëveshjeje të fshehtë që popullit tonë nuk po ia thonë?

Duke kujtuar këto ngjarje të freskëta, kokën ma gërvishtën skandalet në prokurorinë e Kosovës, listat e fryra të veteranëve të UÇK-së, ikja e prokurorit Elez Blakaj, fill pas kësaj “shpërthimi” i protestave të “shoqërisë civile”, me të cilën Hashim pasha po luan k… sa herë po don! “Ikja” e prokurorit special në SHBA dhe “shpërthimi” i “aferës” së vjetëruar tanimë me listat e veteranëve të UÇK-së, mund të jetë edhe grushti i fundit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë asaj lufte titanike që bënë djemtë e vajzat më të mira të Kosovës!

Mendoj se pas gjitha këtyre “aferave” e “skandaleve” mendohet të arrihen fillimisht dy objektiva dhe përfundimisht të finalizohet objektivi i tretë:

E para, spostimi i vëmendjes së opinionit të brendshëm, pas dështimit të turpshëm të Hashim Thaçit me “idetë e tija të reja” për copëtimin e Kosovës, ide të cilat në fakt janë ide të vjetra serbe! Me spostimin e vëmendjes së opinionit, atij i krijoheshin mundësitë që lirshëm dhe më i papenguar të vazhdojë përfundimin e misionit që i ka vënë vetes. Kjo u dëshmua edhe me takimet e radhës në Bruxelles.

E dyta, të nxitet “shoqëria civile” të reagojë “furishëm” për të zbrazur mllefin e grumbulluar ndaj qeverisë, e që në fakt është menduar që të shtyjnë njerëzit të harxhojnë energjitë e tyre të akumuluara ndaj gjitha këtyre dukurive negative që kanë mbërthyer Kosovën. Këtu mendoj se Hashimi ka mundur të infiltrojë militantë të tij në mesin e shoqatave të shoqërisë civile për t’i nxitë ato të veprojnë aktivisht.

Dhe e fundit, e treta e vërteta, siç thonë në popull, do kurorëzohet Sërpska Republika në Kosovë dhe përfundimisht edhe bosnjëzimi i Kosovës. Krejt sipas planit të paraparë nga ideatorët dhe nga zbatuesi këmbënulës i këtij plani! Kur të zgjohemi pastaj në mëngjesin e parë, do ia urojmë njëri tjetrit sikur për pashkë e për bajram lindjen e Sërpska Republikës në veri të Kosovës!

Këto të gjitha nuk janë gjëra të rastit, por të orkestruara mirë e mirë. Kështu edhe lumin do ta kalojnë, por edhe nuk do lagen fare, ose do u “lagen” vetëm këpucët… Tek e fundit do gjejnë ndonjë kokë turku për ta mbyllur rastin!

Vetvetiu, duke i pasur të freskëta ngjarjet e këtyre viteve të fundit, më shkoi mendja se e gjithë kjo “aferë” u projektua, inicua dhe u riaktualizua, por tani me një përmasë krejt tjetër, dhe me situata të paparashikuara politike në vend, nga askush tjetër pos nga vetë i vetëshpalluri “president” i Kosovës Hashim Thaçi!

Para dy vitesh Hashimi pat dhënë fjalën se do të dorëhiqet nga posti i presidentit nëse nuk formohet Ushtria e Kosovës. Në ndërkohë siç duket ka harruar fare për këtë dhe për të mos ia përmendur ndokush ai po merret tash me “sporte të rënda”. Por, ambasadori amerikan i posaemëruar për Kosovë, para se të vie në Kosovë, deshi t’ia përkujtojë Hashimit se para demarkacionit të kufinjve duhet të formohet ushtria, e cila do të merret me ruajtjen e atij kufiri.

Në deklaratën e znj. Mogherini të premten e kaluar mund të gjeni arsyet e vizitës së Vuçiqit në Kosovë, vënien me nguti në rendin e ditës në mbjedhjen e Parlamentit Evropian çeshtjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, votimin e tre projektligjeve në qeverinë e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri, blic vizitat e Hashim Thaçit nëpër vendet e rajonit për përkrahje dhe mbështetje të marrëveshjes së tij me Vuçiqin, ku në deklaratë më tej thuhet se “… besoj në vendosmërinë e dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur në muajt e fundit një MARRËVESHJE LIGJËRISHT TË DETYRUESHME për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, në PËRPUTHJE ME LIGJIN NDËRKOMBËTAR…“!!!!

Pra, marrëveshja që do arrihet dhe do nënshkruhet (nëse ajo nuk është nëshkruar deri më tani!) do të jetë marrëveshje ligjërisht e detyrueshme në përputhje me ligjin ndërkombëtar! Të paktën kështu e thotë ndrikulla e këtyre takimeve në mes të Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiq. Kjo do të thotë se mosfunksionimi i qeverisë, e sidomos Kuvendit të Kosovës, i lë hapësirë tejmase Hashim Thaçit që të bëjë me Kosovën sikur të ishte një çiflig që ia ka lënë baba i tij.

Kur qeveria e Ramush Haradinajt e votoi projektligjin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, Hashim Thaçi reagoi në mënyrë histerike kundër! Njëherë ai bënte be e rrufe se do ta formojë ushtrinë e Kosovës brenda një kohe shumë te shkurtër, bile edhe është kërcënuar se në rast se nuk votohet në Kuvend edhe do te jap dorëheqje nga posti i kryetarit te shtetit! Nga ajo kohe kanë kaluar dy vite e ushtria nuk u bë e nuk u bë, ndërsa Hashimi sikur ka harruar se kërcënonte me dorëheqje! Pasi doli para gazetarëve dhe reagoi në mënyrë histerike, si gjithmonë pasi të pështyjë diçka Hashimi shpejt edhe e lëpinë!, duke e parë se “gaboi” shpejt shkruajti në profilin e tij në facebook krejt diçka tjetër!

Kjo më ktheu në kujtesë se edhe shpalljen e pavarësisë e pat propozuar i pari Ramush Haradinaj që në vitin 2006, por Hashim Thaçi bëri çbëri e kundërshtoi dhe e shtyu shpalljen e pavarësisë për dy vite! Siç duket të njëjtën gjë bëri edhe dje. I dogji fort që formimi i ushtrisë mund të shkojë si meritë e dikujt tjetër! Koinçidenca është se edhe atëherë e edhe sot në pyetje është Ramush Haradinaj!

Se lajmi që Parlamenti Evropian e ka hedhur me ngut në rend dite liberalizimin e vizave për Kosovën për mbledhjen e sotme, mund të tregojë se prapa perdeve “marrëveshjet” që kanë hallakatur opinionin këto kohëve të fundit, mund të kenë përfunduar e përforcon edhe njoftimi se Qeveria e Kosovës ka votuar sot për projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri. Ndërsa të gjithë e dimë se kusht për transformimin e FSK-së në ushtri ka qenë pikërisht “republika Sërpska” në veri të Kosovës, ose ndryshe e njohur dhe përfolur në opinion si “Zajednica” e shkijeve në Kosovë, këtij kanceri në metastazë në trupin e Kosovës!

O “MILET”, HAPNI SYTË O TË MJERË, SE KOSOVËN HASHIM PASHA E BËRI HASHA!

Mjetet e informimit gjithandej nëpër Evropë kanë konstatuar se nga Kosova pas liberalizimit mund të ikin rreth 250’000 veta. Kjo tek e fundit edhe është e vërtetë, duke u bazuar vetëm në ekzodin e fillimvitit 2015, kur me çmime bukur të larta e lëshuan Kosovën mbi 150’000 veta. Ndërsa pas liberalizimit të vizave mendohet se do të bëhet më e lehtë ikja nga Kosova, pa u munduar të kalohen kufinjtë ilegalisht dhe pa pasur nevojë të përfundohet nëpër kampet e shumta të refugjatëve nëpër Evropë.

Flej “milet”, flej! Nëse nuk ke djath, futja ndonjë rriskë sapuni e të bëftë mirë me Sërpska Republikë!

Aq më tepër, sipas njoftimeve të të huajve, ky asociacion formohet me kompetenca ekzekutive dhe që pas 20 vitesh të shfrytëzojë të drejtën e referendumit deri në shkëputje nga Kosova. Të gjithë këtë është duke ia bërë Kosovës i vetëshpalluri president Hashim Thaçi, në kohën kur spektri politik i Kosovës, i cili është lëshuar në një revan vetëm për të mbajtur me çdo çmim “pushtetin” ose me e marrë këtë “pushtet”!- është më i përçarë se kurrë më parë. I përçarë në kohën kur duhet të jetë më i bashkuar se kurrë, sepse Atdheu është në rrezik!

Por, shtrohet pyetja, a ka ligj në Kosovë dhe çfarë parasheh ky ligj në rast të shkeljes nga ana e presidentit të vendit? Sipas gazetës zyrtare të Republikës së Kosovës Nr. 19/ 13 korrik 2012, Kodi nr. 04/L-082, Kodi Penal i Kosovës ështëmiratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kapitulli i XIV-të i Kodit Penal Penal parashesh veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa Neni 124 i këtij kapitulli (XIV) parasheh veprën penale të tradhtisë ndaj vendit, dhe ate, në pikën 2 të këtij neni shkruan decidivisht:

“Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërko-mbëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm.”

Fakte e dëshmi ka mjaft, aq shumë sa presidentin e vetëshpallur me forcën e policisë dhe me vota të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë të Kosovës, mund ta hedhin para gjyqin dhe ta dënojnë disa herë për vepër penale në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për tradhti ndaj vendit. Kjo tani është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës tëkërkojnë shkarkimin e këtij presidenti dhe t’i dorëzohet lënda në Prokurorinë e Shtetit.

Veprimet dhe përpjekja e Hashim Thaçit këto ditët e fundit për të qëndruar në sipërfaqe të ujrave politike në Kosovë si dhe për të shpëtuar kokën e tij edhe me çmimin e shkaktimit të ndonjë konflikti rajonal, dëshmon fillimin e fundit të tij në skenën politike të Kosovës.

Loja e rrezikshme e tij këto ditë treguan sa i zellshëm është ai për të ngopur orekset serbe ndaj Kosovës, aq sa edhe vetë Vuçiq deklaroi se do të marrin shumë më shumë se sa e kishin planifikuar. Dhe e gjithë kjo si fryt i punës së zellshme të vetëshpallurit “president” i Kosovës Hashim Thaçi.

Kam frikë se me këto veprime çmendurake të Hashimit do të vie në pyetje edhe qenësia e liqenit dhe hidrocentralit të Ujmanit si dhe të Trepçës brenda shtetit të Kosovës. Ndërsa pak kush e di historikun dhe sidomos rëndësinë jetike të këtij liqeni për Kosovën, për energjinë dhe ujin e pijshëm në Kosovë. Pikërisht këtë Hashimi me veprimet e tija të fundit i sjell në pikëpyetje të pashpjegueshme. Ndërsa të tjerët akoma heshtin. Po hesht edhe Kadri Veseli. Dhe sa kohë që të hesht Kadri Veseli do të radhitet krah për krah me Hashimin në teposhtëzën drejt humnerës ku ai është duke rënë. Me vete sipas të gjitha gjasave do ta marrin edhe Ramushin avdall, të cilit duan t’ia lënë këmbët e arushës në dorë…

Ditët në vijim Hashimit nuk i ngelet gjë tjetër pos të hallashtiset me presidencën dhe karrigen e presidentit, sepse as partia e tij nuk besoj se do ta përkrah në këtë përmbysje të tij drejt humnerës ku përfundojnë të gjithë ata politikanë që veprojnë në dëm të vendit dhe popullit të vet.

Në një situatë të tillë të krijuar sikur në Kosovë, mblidhet me urgjencë parlamenti (në rastin tonë Kuvendi). Hapi i parë i deputetëve dhe Kuvendit do të ishte formimi i një qeverie të shpëtimit, një qeveri gjithëpërfshirëse. Menjëherë pas kësaj do t’i ndalohej presidentit të udhëtojë jashtë shtetit dhe t’i anulojë çfarëdolloj marrëveshje të cilat t’i ketë nënshkruar. Pra, anulohen marrëveshjet e presidentit kokë më vehte. Formohet një komitet i shpëtimit, nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik dhe nga shoqëria civile për të përcaktuar platformën e bisedimeve për marrëdhëniet me fqinjët, në rastin tonë konkret me Serbinë. Në të njëjtën kohë, nëse presidenti kundërshton vendimet e qeverisë së shpëtimit kombëtar dhe të komitetit të shpëtimit kombëtar duhet të shkarkojë një president të tillë dhe të caktohet një ushtrues detyre të presidentit. Në të njëjtën kohë qeveria e shpëtimit kombëtar do të përgatiste zgjedhjet e parakohëshme dhe vendi do duhej të shkojë në zgjedhje. Kuvendi i ri i zgjedhur do bënte hapin e parë, reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit të vendit me votim të drejtpërdrejt nga qytetarët, për të evituar përplasjet ndërpartiake për këtë pozitë, e cila i takon në fakt një figure që konsiston në unitetin e popullit dhe të spektrit politik.

Këto do ishin veprimet e një kuvendi të ndërgjegjshëm për situatën e krijuar. E sa do i përgjigjet kuvendi i Kosovës një situate të tillë është një pikëpyetje e madhe!