Shpirti protestues ndaj dukurive negative në shoqëri po bartet edhe në diasporën tonë të shpërndarë

 

agimi 1

Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

 

Kurbetçarët tanë kanë filluar të vetëdijësohen me lojën e çmimeve të zyrave të ushëtimit, por edhe të vetëorganizohen. Çmimet e biletave të udhëtimit me aeroplan janë shkaku i revoltimit dhe indinjatës së kurbetçarëve, duke i shtyrë ata të organizojnë një protestë të hapur, të parën e këtij lloji dhe të kësaj natyre.

Kështu dje në mbrëmje, në ora 18:00, sheshi Altstetterplatz në Zürich ishte vendgrumbullimi i qindra kurbetçarëve shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Zvicrës për të protestuar kundër zyrave shqiptare të udhëtimit dhe politikave të tyre zhvatëse me çmime astronomike.

Ata shprehnin indinjatën e tyre me lojën grabitçare dhe zhvatëse të këtyre zyrave shqiptare të udhëtimit, të cilat, sidomos këto dy vitet e fundit, kanë bërë ngritjen enorme të çmimeve dhe në mënyrë të koordinuar mes vete po i mbajnë çmimet e fryra.

Këto çmime të larta e kanë sjellur në pyetje edhe shkuarjen në vendlindje dhe shumë sish veç janë duke menduar që pushimet e tyre t’i bëjnë nëpër vende tjera, ku me vetëm çmimin e biletave të zyrave shqiptare të udhëtimit për në vendlindje mund të financojnë udhëtimin dhe të paguajnë edhe hotelet dhe shpenzimet tjera për hiç më pak se dy javë.

Kjo edhe ishte një mesazh për Kosovën dhe pushtetarët e saj, se kurbetçarët do të organizohen para pushimeve të vitit të ardhshëm dhe do fillojnë edhe me bojkotimin e udhëtimeve në vendlindje nëse çmimet enorme të biletave nuk zbresin në çmimin e arsyeshëm dhe të përballueshëm. Ta zëmë, nga Zvicra mund të udhëtohet edhe me 400-500.- CHF për në New York të SHBA-ve, udhëtim që zgjatë afro 9 orë. Ndërsa udhëtimi me aeroplan për në Prishtinë, ku nuk zgjatë më shumë se dy orë, duhet të pagajmë çmime deri 800.- CHF.

Shkaku i këtyre çmimeve shumë familje po i detyron të marrin në sy rrugën e gjatë e të mundimshme në atdhe me vetura, gjë e cila kohëve të fundit është bërë vdekjeprurëse për shumëkend. Ka raste kur familje të tëra po shuhen nëpër rrugët drejt vendlindjes. Sidomos ky vit ishte vit tragjik për kurbetçarët tanë, kur rrugës për në vendlindje ose në rrugën e kthimit nëpër vendet ku ata jetojnë e punojnë, të pësojnë aksidente të shumta edhe me fatalitet, duke shtuar kështu numrin e kurbetçarëve të vrarë nëpër rrugët e këtij udhëtimi të plagës së pashëruar.

Ideja e bojkotimit të pushimeve në Kosovë ka filluar të shpërndahet këto vitet e fundit nëpër shumë rrethe të kurbetçarëve, për shumë arsyera. Arsyeja kryesore janë çmimet enorme të shtrenjta të biletave. Merreni me mend, me një biletë udhëtimi deri në Prishtinë, mund të bëhen pushime dyjavore “All inklusiv” me të gjitha shpenzimet e hotelit, ushqimit, pijeve, çadrës dhe shtratit në plazh si dhe udhëtimit nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas. Një arsye tjetër është edhe zhgënjimi i shumëkujt për shkak të zhvatjes që në kufi të Kosovës për gjoja “sigurimin” e veturave, edhe pse të gjitha veturat janë të siguruara, si dhe maltretimi nëpër kufinjtë e shumtë, e sidomos në ata të Serbisë, por edhe të Kosovës. Shto gjithë kësaj edhe injorimin, përçmimin dhe fyerjen që ua bëjnë sidomos të rinjve e të rejave kur vijnë në Kosovë, “shacat”, duke i përqeshur edhe për mos shqiptimin e drejtë të fjalëve, etj. etj. kanë nxitur indinjimin e shumëkujt.

Të mos harrojmë se këto vitet e fundit një numër i madh janë duke bërë pushimet nëpër vendet e tjera, si në Turqi, Spanjë, Shqipëri (pa shkuar fare në Kosovë), Itali, Greqi, e qe besa edhe në Egjipt e Dubaj.

Edhe mediat zvicerane, gazetat dhe televizionet, njoftuan për protestën e pazakontë të kurbetçarëve shqiptarë, duke e potencuar faktin se ata po grabiten dhe zhvaten nga vetë zyrat shqiptare të udhëtimit. Them protestë e pazakontë për zviceranët, sepse ata janë mësuar që t’i shohin kurbetçarët shqiptarë të protestojnë vetëm për pakënaqësitë dhe kundër padrejtësive politike. Nuk janë mësuar të shohin kurbetçarët shqiptarë që dalin dhe protestojnë kundër dukurive të tilla negative në shoqëri.

Mediat zvicerane njoftuan për protestën, por nuk njoftuan edhe mediat shqiptare, duke përjashtuar TV shqiptar AA Vision me seli në New York të SHBA-ve, ku protesta e organizuar mbrëmë nga kurbetçarët tanë nën drejtimin e moderatorit të njohur televiziv shqiptar Altin Marku në Altstetterplatz në Zürich, u transmetua pas disa orësh, duke e njoftuar kështu edhe opinionin shqiptar përtej Atlantikut. Të paktë ishin gazetarët shqiptarë që kishin ardhur për të përcjellur këtë protestë, edhe pse të gjitha mediat kanë qenë të njoftuara me kohë.

Lidhur me protestën kanë qenë të njoftuar edhe përfaqësia diplomatike e Kosovës, Konsullata në Zürich. Por ata as që denjuan të vijnë e të dëgjojnë hallet dhe ankesat e bashkëqytetarëve të tyre. Dy punonjës të konsullatës ishin parë dhe i kishin fotografuar duke pirë kafe në një lokal që nuk ishte larg as 50 metra nga vendi ku kurbetçarët tanë protestonin.

Protestuesit i bënë thirrje edhe qeverisë së Kosovës që të ndërmarrin masa në mbrojtje të kurbetçarëve, por edhe paralajmeruan aksionin e bojkotimit të udhëtimit në Kosovë nëse çmimet nuk zbresin në nivelin e arsyeshëm.

Në anën tjetër u kërkua edhe nga aerokompania zviceriane e fluturimeve SWISS të lëshojë linja të rregullta të fluturimeve për në Prishtinë.

Protestuesit u ndanë me zotimin se do protestojnë sërish duke menduar edhe për heqje dorë nga pushimet në Kosovë.