Njeriu i mirë dhe atdhetari i madh Gjergj Kalaj

gj kalaj

Nga: Xhevdet Shehu

 

Shënime për librin me kujtime “Gjergj Kalaj – Homazh për njeriun dhe patriotin e shquar”, i cili promovohet sot në  Tuz, me një pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti i shqiptarëve të atjeshëm, intelektualëve nga Shqipëria, Kosova e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk kam patur rast ta njoh personalisht Gjergj Kalajn. Por portretin dhe personalitetin e tij ma solli të qartë libri i dalë tani së fundi me një titull sa të thjeshtë aq dhe domethënës “Nderim për burrin fisnik Gjergj Kalaj”. Ky libër është botuar në Tiranë dy vjet pas ndarjes nga jeta të Gjergjit. Një libër për një njeri si Gjergji nuk është pak për të krijuar një përfytyrim, për të ngjallur simpatinë për heroin e librit, për të ruajtur të gjallë kujtimin e njeriu të mirë dhe me vlera të spikatura, për të cilët ka shumë nevojë shoqëria jonë e kërcënuar në shumë aspekte të saj.

Metaforat dhe hiperbolat e mundshme vetëm mund ta zbehnin figurën e tij. Në faqet e këtij libri të përgatitur me dashuri nga Nasho Jorgaqi, Kristina Jorgaqi dhe Luan Pobrati është portreti real i njeriut Gjergj Kalaj, me një kontribut të çmuar për propagandimin e dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare e në veçanti atë të Kosovës. Këtë kontribut ai e ka dhënë sidomos atje në zemrën e Amerikës së madhe ku shkëlqeu si një veprimtar dhe atdhetar i madh së toku me shumë bashkëkombas të tjerë, por edhe në Shqipërinë amë që edeshi si rrallëkush, në Kosovë për të cilën sakrifikoi aq shumë, por edhe Malin e Zi e kudo që ka shqiptarë.

Fjala “fisnik” ka dy kuptime: 1. Ai që ka veti të larta morale, që është i ndershëm a zemërgjerë; bujar.

  1. Ai që bënte pjesë në shtresën me të lartë e të privilegjuar të klasës shfrytëzuese në shoqërinë feudale ose feudalo-borgjeze; pronar i madh tokash; titulli që u jepej njerëzve të kësaj shtrese. Shtresa e fisnikëve. Nga radhët e fisnikëve.

Pa dyshim që Gjergji hyn në radhën e kuptimit të parë të kësaj fjale. Sepse ai e meritoi këtë titull jo si latifondist, pra si pronar i madh tokash apo pasuritë përrallore, si aristokrat. Jo. Ai e meritoi këtë titull për vlerat e larta morale që manifestoi dhe shpërfaqi gjatë gjithë jetës së tij, për zemërgjerësinë dhe shpirtin bujar, duke mbetur shëmbëlltyrë e një njeriu model jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për pasardhësit.

Do të mjaftonte përcaktimi emblematik që bën Akademiku Rexhep Qosja në kujtimet e tij, që botohen në hyrje të këtij libri, për të kuptuar përmasat e këtij burri: “Në qoftë se mund të themi sot se shqiptarët e Nju Jorkut dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi kanë luajtur rol vendimtar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare e, në kuadrin e saj, sidomos të çështjes së Kosovës, atëherë duhet të dihet se roli i Gjergj Kalajt në këtë veprimtari ishte shumë i madh – ishte historik.”

Portreti i këtij veprimtari të shquar të çështjes kombëtare plotësohet më mirë dhe kompletohet me kujtimet që botohen në këtë libër. Aty shkruajnë bashkëshortja e tij, Gjyste Kalaj, Ramiz Llapashtica, Luan Pobrati, Gjergj Uli, Nasho Jorgaqi, Bardhyl Reso, Sadije Agolli, Pal Neçaj, Skënder Duka, Naim Balidemaj, Rexhep Vuçetaj, Indrit Reso, Ndue Sinishtaj, Bruno Selimaj, Ejllo Berishaj, Jorgo Melica, Shpend Haxhaj si dhe nga fjalimet që kanë mbajtur Gjeto Sinishtaj, Dilaver Avdiu, Dedë Camaj, Ndue Kalaj në ceremoninë mortore të Gjergj Kalajt.

Në këtë libër zbërthehet shpirti i një njeriu fisnik, formimi dhe përkushtimi i tij në disa gjëra madhore. Për ta kuptuar më mirë qartësinë dhe devotshmërinë e Gjergjit për çështjen tonë kombëtare, duhet të saktësojmë se ai këtë veprimtari e kreu në një periudhë të zymtë dhe kur nuk vërehej asnjë rreze shprese në horizont. Shqipëria ishte nën regjimin e Enver Hoxhës, ndërsa Kosova nën Jugosllavinë e Titos. Pra një qëndresë midis dhe nën dy diktatura. Ky është një libër i vërtetë për një njeri që e kanë njohur dhe ruajnë respektin mijëra vetë. Pikërisht këtu buron dhe vlera e njëmendët e këtij libri: paraqet një model të kundërt me ata që e kanë shitur Shqipërinë dhe kombin e tyre nëpër kohëra dhe që vazhdojnë ta shesin edhe sot e gjithë ditën.

Ja pse ky libër i ngjan një monumenti. Këtë monument më së pari e ngriti Gjergj Kalaj dhe mandej e lartësuan të njohurit e tij të shumtë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi e deri në Shtetet e Bashkuara.

***

Nga ky libër del se Gjergj Kalaj ka qenë një njeri i suksesshëm në jetë. Nuk është e lehtë të fitosh dashurinë, respektin dhe simpatinë e kaq shumë njerëzve që shkruajnë e flasin pareshtur për të. Është një rrugë e mundimshme deri te ky sukses i lakmueshëm. Unë i besoj asaj që shkruan një nga miqtë e Gjergjit se pas një burri të suksesshëm, qëndron një grua e devotshme.

E tillë paska qenë dhe mbetet Gjyste Kalaj. Ajo është pjesë e kësaj historie suksesi të ish-bashkëshortit të saj me plot virtyte. E duke folur për vlerat dhe virtytet e Gjergjit, pa dashje ajo u jep një shkëlqim rrezatues edhe vlerave të saj si bashkëshorte që, edhe pse nuk pati fatin të kishte fëmijë me të, e adhuron Gjergjin duke i vënë në dukje të gjitha tiparet e tij njerëzore, atdhetare e shoqërore.

Dhe Gjergji, sipas bashkëshortes së tij, Gjystes, ka qenë një njeri mjaft shpirt mirë dhe bujar, i prirur për të ndihmuar të tjerët, sidomos shqiptarët që shkonin në Amerikë. Këtë shërbim human ai e bënte pa kurrfarë shpërblimi. “Shpejt kuptova se ai kishte lindur vetëm për të ndihmuar të tjerët, – shkruan Gjyste Kalaj në kujtimet e saj. – Nuk vonoi shumë dhe ai u hapi shqiptarëve nevojtarë edhe derën e shtëpisë, ku unë nisa të prisja e të përcillja me dhjetëra sosh…”

“Për 45 vjet rresht dera e shtëpisë së tij mu në mes të Manhatanit ka qenë e hapur për të pritur e përcjellë me qindra shqiptarë. Aty kanë bujtë me javë të tëra edhe personalitete të shquara të kulturës dhe artit shqiptar, si shkrimtarë, poetë, gazetarë, këngëtarë, muzikantë, koreografë,aktorë etj. Ata ishin nga e gjithë Shqipëria, nga ajo shtetërore, por edhe nga Kosova, Malësia e Malit të Zi, Maqedonia, Presheva dhe deri nga Çamëria”, shkruan Pal Neçaj.

“Urdhëroni në shtëpinë e kombit!” u uronte mirëseardhjen Gjergji mysafirëve të tij të shumtë që si me magji shndërroheshin në miq të përhershëm të tij dhe të Gjystes.

Në këtë libër shkruan kujtimet e saj për Gjergjin edhe Sadije Agolli. Ajo gjen rastin të flasë edhe në emër të Dritëroit për mbresat që i ka lënë familja Kalaj gjatë qëndrimit të tyre për disa ditë në Shtetet e Bashkuara në gjysmën e parë të viteve 90. Ishin vite të vështira për Dritëroin ato kur demokratët e sapo ardhur në pushtet e kishin vënë në shënjestër shkrimtarin e shquar si ish-komunist, si ish anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe si ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ata kanë bujtur në familjen Kalaj ku të ftuar nga Gjergji dhe “për aq ditë sa qëndruam në apartamentin e tyre, i harruam fëmijët dhe hallet, telashet, shqetësimet, sharjet e gazetave në Shqipëri”, shkruan Sadija.

Por duke lexuar kujtimet e shumë miqve të tij, te Gjergji del se ka qenë një burrë i mençur, një filozof, një njeri që i njihte mirë doket zakonet e mrekullueshme shqiptarëve. Shpesh mendimet e tij me fjalë të kursyera ngjajnë me sentenca filozofike dhe urtësie popullore si ato të Saadiut apo Ezopit, të cilat pavarësisht se vijnë nga lashtësia janë të gjithëkohshme dhe nuk u humbet vlera asnjëherë. Ato mbahen mend vetvetiu dhe e mençurojnë njeriun, e bëjnë më të mirë në një botë të mbushur me prapësira, padrejtësi, kurthe e pabesira.

Ja se çfarë shkruan Luan Pobrati, i cili e ka patur mik Gjergjin qysh nga vitet 1980. “Po bëre mirë, ndonjëherë mund të veshin edhe qëllime të këqija; s’ka rëndësi, bëj mirë”, fliste Gjergji. “E mira mund të harrohet, por nuk ka rëndësi, bëj mirë.” “Pushteti dhe sinqeriteti të bëjnë të lakueshëm, por nuk ka rëndësi, ji i sinqertë”, porosiste ai.”Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh. S’ka rëndësi, lodhu!”…

E pra, ky ka qenë dhe mbetet Gjergji, i thjeshtë dhe i mençur, si vetë mirësia. Personalitetin dhe figurën e tij për ata që nuk patën fatin ta njihnin nga afër, na e sjell të gjallë Prof. Nasho Jorgaqi kur e përshkruan me fjalë zemre si “burrin e pashëm, shtatlartë, syshqiponjë, zemërartë, bujar të papërsëritshëm, burrin e fjalës e të besës, trimin, njeriun që të bënte menjëherë për vete e mbi të gjitha atdhetarin e përkushtuar dhe luftëtarin e përparimit.”

Ndue Sinishtaj e quan Gjergjin “zemërbardhi, zemërhapuri, tolerant, altruist, bamirës i pashoq…”

Fakt është se falë këtyre cilësive, të cilat nuk janë aspak epitete e figura letrare, por mishërim i ngjizur natyrshëm në personalitetin e tij njerëzor, ai kishte miq të shumtë dhe emra të mëdhenj të botës së kulturës, politike e religjioze. Ndër këta miq bënin pjesë Akademiku Rexhep Qosja, shkrimtarët Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi e Moikom Zeqo, At Artur Liolini, Antonio Bellushi, akademiku Jorgo Bulo, kongresmenin Joe DioGuardi, diplomatë si ish-ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani, ambasadorët Bashkim Pitarka e Pëllumb Kulla, Artistin e Popullit Sulejman Pitarka e sa e sa të tjerë. Madje ka takuar dhe është njohur edhe me ish-Presidentin Ramiz Alia me të cilin ka bërë edhe fotografi në vitin 1989 dhe 1992.

Te të gjithë këta personalitete ai i konsideronte miq, vëllezër shqiptarë, që përfaqësonin atdheun dhe kombin, pa ngjyrime politike. Dhe për Gjergjin, sikurse del nga ky libër Shqipëria dhe kombi shqiptar ishte mbi gjithçka.

Kam bindjen se askush nuk e ka tepruar me vlerësimet e dhëna për Gjergj Kalajn. Të gjithë ata që kanë shkruar në këtë libër i kanë bërë me vetëdije të plotë vlerësimet e tyre. Nuk ua ka imponuar kush. Gjergji e pamerituar një libër të tillë. Sepse, sikurse ka shkruar Gjeto Sinishtaj më 4 gusht 1983, “Në rrugë të drejtë janë të gjithë ata që ia dedikojnë jetën e vet interesave kombëtare e jo vetjake. Për  këtë arsye ata meritojnë çdo lëvdatë.”