KUSH MUND TË QËNDROJË PRAPA SKANDALIT ME PROKURORINË?

agim sylejmani

 Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

 

TOP titujt e TOP temat e ditës - prokurori i ikur në SHBA dhe listat e fryra të veteranëve të luftës!

U mendova shumë dhe u përpoqa të kap një fije për të shtjelluar problemin e krijuar, por sikur më ngatërrohej lëmshi. Disi sikur po mjegullohet i gjithë procesi. Sikur në një fushëbetejë, ku kundërshtarët hedhin mjete shpërthyese me tym për të kamufluar lëvizjet e ushtarëve dhe pozicionin e vertetë të tyre. Kështu m’u dukën në shikim të parë mua këto TOP lajmet e ditës. U përpoqa të gjejë kush kujt po i hedh pluhur dhe tym për të fshehur pozicionin prej nga don të veprojë kundër të gjithëve, sepse sot të gjithë veprojmë kundër të gjithëve. U ktheva në kohën e rinisë sime, në kohën kur ne detyroheshim të mësonim leximin në mes rreshtave, për të analizuar dhe vlerësuar situatën.

Sa u përket listave të veteranëve të luftës, unë jam për hapjen e dosjeve dhe që tërë rasti të i lihet drejtësisë për ta ndriçuar dhe këtë ta bëjë në mënyrën sa më të hapur, apo siç po kanë dëshirë gazetarët dhe politikanët të shprehen, transparente. Ndërsa të gjithë ata që ua mundësuan këtyre mashtruesve batakxhinj të bëhen “veteranë”, të hidhen në burg dhe t’i nxjerrin para drejtësisë. Ata duhet të dënohen me dënime kapitale për dëmin e shkaktuar shtetit dhe shoqërisë, e para se gjithash imazhit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranëve të vërtetë të kësaj lufte titanike. Natyrisht që mashtruesit për të futë në dorë librezën e veteranit nuk duhet lënë vetëm me gjoba, por ata duhet të dënohen sipas ligjit deri në tre vite burg për aplikim të rrejshëm si dhe të detyrohen të kthejnë të gjitha paratë e përfituara pa të drejtë nga arka e varfër e shtetit të Kosovës.

Këtu m’u duk se edhe përfundon krejt “meselja” e listave të veteranëve.

Por çfarë ndodhi dhe si rodhën ngjarjet pas arratisjes së prokuririt Elez Blakaj në SHBA?

Të parët vërshuan politikanët me fjalorin nga më të ultin e mundur para ekraneve televizive. Ison ua mbanin “gazetarët” dhe anal-istët e paguar të tyre. Kryeministri Ramush Haradinaj, e qebesa edhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk mbeti mbrapa tij, nuk ngurroi ta quaj prokurorin Blakaj edhe hajn e pishpirik, e edhe mashtrues. E kush nuk foli e kush nuk tha çfarë i vinte në maje të gjuhës, se gjuha tek e fundit është prej tuli!

Para ekranit na doli edhe vetë kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, i cili pa pikë turpi deklaron se as që brengoset për shoqërinë civile e as për partitë politike dhe as nuk i shkon në mendje të jap dorëheqje. Në krah e kishte si “shtyllë të fortë” askend tjetër pos Reshat Millakun (!), kryeprokurorin special në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Për këtë Aleksandër Lumezi nuk kurseu lëvdatat, duke e vlerësuar lart “përvojën” e tij 35 vjeçare, por duke harruar njëherësh të tregojë se ai ishte prokuror me përvojë që në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke dënuar me dhjetra e qindra djemë e vajza shqiptarë me dënime kapitale. Si shembull po e përmend vetëm grupin e PKMLSHJ-së me në krye Rexhep Maqedoncin në Prishtinë, Tahir Gecajn me shokë, e shumë e shumë grupe tjera të të rinjve e të rejave shqiptare, të cilët nuk kërkonin asgjë tjetër pos Republikë për Kosovën, prokuror i së cilës republikë është sot vetë Reshat Millaku! E që ironia të jetë edhe më e madhe, ish i akuzuarai Rexhep Maqedonci sot punon në të njëjtën zyre të prokurorisë speciale me ish prokurorët e tij që e akuzuan dhe dënuan me shumë vite burg politik, Reshat Millakun dhe Ruzhdi Kozmaqin!!!

Dje kryeprokurori i shtetit “njoftoi” se është caktuar një prokuror tjetër special për rastin e listave të veteranëve, pa përmendur emrin se kush ishte ai prokuror, duke u përpjekur që të shuaj zjarrin e ndezur. Por, pa kaluar disa orë nga kjo deklaratë e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, u mor vesh se prokurori të cilit i është besuar dosja e përgatitur nga Elez Blakaj ishte askush tjetër pos Haki Gecaj, i cili për opinionin u bë i njohur pas arrestimit të djalit të tij, Valdrin Gecaj, të cilit iu zu drogë në makinë në dalje të Prishtinës, tek Rrethi i Flamurit. Por djali i Haki Gecajt nuk mbajti burg, sepse prokurorja e rastit, Arbëresha Shala, një “kolege” e mirë e tij, e mbylli rastin nën arsyetimin se “ai është penduar thellë për këtë veprim!”

Merreni me mend tash se kush do merret me “ndjekjen” e rrjetit mafioz shtetëror, rrjet i cili përfitoi para të majme duke ua mundësuar mashtruesve të marrin kartelën e “veteranit” të luftës, e në këtë mënyrë dëmtuan rëndë edhe arkën e shtetit.

Këto të gjitha nuk janë gjëra të rastit, por të orkestruara mirë e mirë. Kështu edhe lumin do ta kalojnë, por edhe nuk do lagen fare, ose do u “lagen” vetëm këpucët… Tek e fundit do gjejnë ndonjë kokë turku për ta mbyllur rastin!

Tash shtrohet pyetja: Athua pse e gjithë kjo pikërisht tash? Pse pikërisht këto ditë u arratis prokurori special Elez Blakaj? Pse ai nuk e bëri këtë ta zëmë para gjashtë muajve, në kohën kur ai veç i ka ditur të gjitha marifetllëqet lidhur me përfitimin e statusit të veteranit? Pse tani lënda t’i besohet pikërisht një “prokurori” i cili ka probleme me ligjin, ka “borxhe” ndaj “prokurorëve” tjerë të regjimit për mosndjekjen penale të djalit të tij? Që të mos ndiqen edhe ata që duhet ndjekur nga rasti i listave të veteranëve? Ose, thënë troç, kush ishte më i interesuari që të “shpërthente” një “aferë” e tillë pikërisht këto ditë? Po çfarë interesi do duhej të kishte ndokush që të “shpërthente” kjo “aferë” (aferë i thënçin, sepse për të është folur qe sa vite nëpër oda, nëpër kafene, gazeta e portale, e qebesa edhe nëpër televizione)?

Pikërisht kur të gjithë, pa përjashtim, u ngritën kundër idesë së copëtimit dhe ndarjes së Kosovës, ose shkëmbimit të territoreve, apo vetëm “korigjimit” të kufirit me Serbinë, në këto bisedime politike të pautorizuara të presidentit të vetëshpallur të Kosovës me kryetarin e Serbisë në Bruxelles!!!

Vetvetiu, duke i pasur të freskëta ngjarjet e këtyre viteve të fundit, më shkoi mendja se e gjithë kjo “aferë” u projektua, inicua dhe u riaktualizua, por tani me një përmasë krejt tjetër, dhe me situata të paparashikuara politike në vend, nga askush tjetër pos nga vetë i vetëshpalluri “president” i Kosovës Hashim Thaçi!

Këtu pata rastin të shoh se sa lehtë e hamë sapunin në vend të djathit!

Unë mendoj se me këtë “shpërthim” të kësaj “afere” është menduar të arrihen fillimisht dy objektiva dhe përfundimisht të finalizohet objektivi i tretë:

E para, të bëhej spostimi i vëmendjes së opinionit të brendshëm, pas dështimit të turpshëm të Hashim Thaçit me “idetë e tija të reja” (në fakt ide të vjetra serbe) për copëtimin e Kosovës! Për këtë ai kërkonte fillimisht vetëm Preshevën me disa fshatra! Për të kjo ishte e tërë Kosova Lindore! Duke e spostuar vëmendjen ai do vazhdonte lirshëm dhe me kokëfortësi e këmbëngultësi përfundimin e misionit që i ka vënë vetes, pa rënë fare në sy të opinionit. Bile ai është i vetmi politikan që nuk është prononcuar për “aferën” e prokurorit special Elez Blakaj. Kjo u dëshmua edhe sot, kur u njoftua për kontaktet e radhës në Bruxelles.

E dyta, të nxitet “shoqëria civile” të reagojë furishëm për të zbrazur mllefin e grumbulluar ndaj qeverisë, për gjithë të këqijat që i janë bërë popullit deri sot që nga paslufta. Me këtë në fakt është menduar që të shtyjnë njerëzit të harxhojnë energjitë e tyre të akumuluara ndaj gjitha këtyre dukurive negative që kanë mbërthyer Kosovën dhe nuk e lënë të marr frymë. Unë bile ruaj të drejtën e dyshimeve të mia, se Hashimi ka infiltruar militantë të tij në mesin e shoqatave të shoqërisë civile për t’i nxitë ato të veprojnë aktivisht. Shoqëria civile do të vazhdojë me organizimin e protestave, si kjo e djeshmja, por pas një jave. Një javë e tërë do shpenzohen energji që protesta të ketë “sukses”. Ndërsa organizatorët e llogarisin “suksesin” e tyre me numrin e pjesëmarrësve në protesta! Bukur fort! Në protesta me 3000-4000 pjesëmarrës duan ta “gjunjëzojnë” pushtetin dhe vetë presidentin e vendit! Këta kanë harruar se ishte një kohë kur opozita e bashkuar arriti të organizojë protesta e demonstrata në gjithë Kosovën, ku merrnin pjesë me dhjetëra e mijëra protestues. Për të përfunduar në Prishtinë me mbi njëqindmijë protestues! Dhe prap se prap nuk e rrëxuan dot qeverinë! As në burg nuk e dërguan dot askend! Pra, nuk u kanalizua siç duhet energjia e grumbulluar e masave të gjera të gatshme për ndryshime shoqërore e politike në vend, për të përmbysur pushtetin. Sepse këto protesta ishin të qeta dhe “paqësore”(!). Paqësisht deshën të detyrojnë pushtetmbajtësit t’i lëshojnë karriget e pushtetit, gjë e cila deri më sot nuk ka ndodhur në asnjë shtet të botës, as në ato shtete me demokraci të theksuar!

Hashim Thaçi tash i fërkon duart, sepse e kanë njoftuar se nesër nuk do të ketë protesta, por tek në mesin e javës tjetër! Kështuqë ai jo rastësisht njoftoi për vazhdimin e kontakteve në Bruxelles.

Kryeprokurori i shtetit dhe prokurorët “special” sot njoftonin se nuk do i japin llogari askujt, duke treguar se ndaj prokurorisë po bëhej presion nga ana e politikës. Pikërisht atë që e tha edhe prokurori i arratisur Elez Blakaj.

Tash e në ditët në vijim, shpesh do i shohim prokurorët nëpër konferenca shtypi. Bile shpesh do jenë edhe mysafirë të studiove televizive. Do bëhen tamam yje televizive, apo siç kanë dëshirë disa t’i quajnë, do bëhen “star” televiziv! Hashimi sërish do i fërkojë duart në presidencë dhe do ngris dolli që akoma mund të ulë prapanicën në karrigen e presidentit! Por edhe “punën” e filluar me “idetë” e tija të “reja” do i çojë përpara, tamam ashtu siç janë planifikuar!

Dhe e fundit, e treta e vërteta, siç thonë në popull, do kurorëzohet Sërpska Republika në Kosovë dhe përfundimisht edhe bosnjëzimi i Kosovës. Krejt sipas planit të paraparë nga ideatorët dhe nga zbatuesi këmbënulës i këtij plani! Kur të zgjohemi pastaj në mëngjesin e parë, do u urojmë njëri tjetrit sikur për pashkë e për bajram lindjen e Sërpska Republikës në veri të Kosovës!

Kjo e fundit, mendoj unë, është edhe arsyeja kryersore dhe shkaku i “ikjes” së prokurorit special në SHBA dhe “shpërthimi” i “aferës” së vjetëruar tanimë me listat e veteranëve të UÇK-së. Sikur pika që vehet në fund të çdo fjalie do i jepet edhe grushti i fundit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë asaj lufte titanike që bënë djemtë e vajzat më të mira të Kosovës!

Flej “milet”, flej! Nëse nuk ke djath, futja ndonjë rriskë sapuni e të bëftë mirë me Sërpska Republikë!