Reagim nga familja e Hasan Prishtinës: Fantazmat me eshtra nuk mund ta zhbëjnë hasanizmin

Kujt i konvenon pikërisht tani të mjegullohet e vërteta rreth kolosit Hasan Prishtina dhe a mund të konsiderohet krejt si sherr budallai ky pretendim fallc i Kastriot Dervishit, të cilit paradoksalisht më tepër i intereson konsiparcioni historik rreth së kaluarës që lidhet me eshtrat e Hasan Pristinës, se sa misioni  kombëtar i tij i cili ende nuk është përmbushur.

Hamendësimet e Kastriot Dervishit që vënë në dyshim vërtetësinë e eshtrave të Hasan Prishtinës, të cilët aktualisht prehen në qytetin e Kukësit, janë hiç më pak se pretendime të kota në një kohë kur gjithë vëmendja jonë është përqëndruar në një moment shumë domethënës për kombin tonë: në unifikimin e qëndrimeve e pikëpamjeve rreth rolit të figurave tona historike në ngjizjen e ideve kombëtare përafruese.

Siç mund të shihet edhe nga mënyra e trajtimit të kësaj problematike të paqenë, Kastriot Dervishi përpos sensit të zhvilluar për imagjinatë të ç’thurru nuk përdor as edhe një argument historik e faktik që do të na bindte se vërtetë në varreza e Kukësit nuk prehen eshtrat e Hasan Prishtinës.

Si t’i besojmë këtij pretendimi kaq banal të ish drejtorit të Arkivit Ushtarak , i cili ende po mendon se të kontrabandosh të vërtetën historike është njësoj si të vjedhësh një dokument të vlefshëm arkivash dhe ta shesësh për një tufë banknotash.

Se pse pikërisht tani e kurdis këtë pretendim fallc Kastriot Dervishi dhe në llogari të kujt e shpërndanë këtë parafabrikat në formë lajmi të pabazuar në fakte e burime, këtë mund ta dijë vetëm ai, por ndërgjegja e pastër e një studiuesi çfarë pretendon të jetë edhe Devishi nuk do ta lejonte që të manipulojë me gjysëm të vëreteta të cilat në instancë të fundit mund të konisderohen edhe si konstruksione të sajuara që ka si synim mjegullimin e së vërtetës.

Unë kam disa argumente që kategorisht i hedhi si të paverteta këto pretendime të Kastriot Dervishit rreth gjoja pavërtetësisë së eshtrave të Hasan Prishtnës.

Dua ta bëjë të njohur botërisht edhe njëherë takimin tim me Skender Prizrenin gjatë vitit 2012 në Kukës, i cili njihet si personi pergjegjes për ceremoninë e rivarrimit te Hasan Prishtinës më 1977, me ceremonial zyrtar nga Selaniku në Kukes. Ai është kunati i  Besim Cengut dhe në detaje  e shpjegonte rivarrimin, por edhe rrethanat se si u gjet varri i Hasan Prishtinës në Selanik,!

Skender Prizreni më pat sqaruar se si Këshilli i rivarrimit e kishte organizuar takimin e njerëzve përgjegjës që do të merreshin me rivarrimin dhe ndër ta ai kishte takuar në Selanik edhe varrtarin, i cili e dinte saktësisht se në cilin varr ishte varrosur Hasan Prishtina. Sipas tij, ai ishte varrosur në një mauzoleum dhe ne sirtarin e trete nga fundi i varrit ishin nxjerrur  eshtrat e Hasan Prishtinës, i vrarë më 13 gusht  1933.

Si dëshmi përcjellëse e kësaj historie unë pata rastin të shikoj edhe një dokumentar që i kushtohej rivarrimit nga viti 1933, në të cilin shihej makina me arkivolin e Hasan Prishtines duke levizur nga Selaniku per në Shqiperi ku u prit me ceremonial te lartë zyrtar dhe u percoll me nderime te larta ushtarake deri në Kukes.

Siç duket autori i këtij lajmi të sajuar-Kastriot Dervishi, për të hedhur ndonjë gurë në peshoren e prishur po vepron si në rastin e Isa Boletinit kur flitej se nje test i ADN -së mund të rezultojë me eshtra te ndonji lope a  kafshe tjetër dhe  jo të njeriut.

Insinuatat e Kastriot Dervishit mund t’i shërbejnë ndonjë skenaristi për të ngritur parabolat e tija imagjinare rreth humbjes së eshtrave të një figure historike dhe kërkimit të tyre nëpër kohë të mjegullta.

Po të ishte ky skenar filmi, të gjithë do të entuzasmoheshim me fuqinë artistike të syzheut, por Kastriot Dervishi nuk e ka qëllimin të bëjë ndonjë film. Përkundrazi, të vërtetën  historike ai mundohet ta deformojë duke risjellë në vëmendje reminishenca dyshimi për një të kaluar, për një kolos, eshtrat e të cilit edhe për së vdekuri po përdoren si mjet beteje për të relativizuar kërkesat e familjes tonë që figura e Hasan Prishtinës duhet të jetë simbol bashkimi e mirkuptimi në mes të shqiptarëve.

Fundja edhe këto pretendime të rreme të Kastriot Dervishit do ta gjejnë fundin e tyre në plehërat e kohës, por ajo që mbetet sfidë e vazhdueshme, përfshire edhe sigurimi i procesverbalit zyrtar te auroriteteve greke ku vërtetohet autenticiteti i eshtrave të Hasan Prishtinës, do të jetë sendërtimi i të gjitha ideve që ky kolos i madh i kombit i kishte shtruar para gati një shekulli.

Krejt në fund, këto fantazmat që po paraqiten me misione të dyshimta për të mohuar vërtetësinë e eshtrave të Hasan Prishtinës, në asnjë  mënyrë nuk do të mund ta zhbëjnë Hasanizmin- platformën e ripërtëritjes sonë  gjithëkombëtare.

Në emër të familjarëve të Hasan Prishtinës:

Mehmet Prishtina, stërnip

22 gusht, Prishtinë