LUFTA PËR T`U BËRË SHËRBËTOR

shaip beqiri

Shkruan: Shaip BEQIRI

Klasa e inteligjencies shqiptare e Kosovës, e cila në pjesën e saj më të madhe ishte shndërruar në një kope punonjësish politikë-shoqërorë, nga fushatat diferencuese të vjetëve `80 drejtpërdrejt po kthehej në një elitë drejtuese të proceseve të ashtuquajtura demokratike në fillim të vjetëve `90, pra pikërisht atëherë kur shqiptarëve të Kosovës u ishte rrëmbyer sa çel e mbyll sytë edhe ajo trohë pavarësie, për të cilën e ushqenin iluzionin se e kishin realizuar.

Ngarendja pas politikës e intelektualëve shqiptarë e ka shkretuar më shumë se vetë regjimi pushues serb veprimtarinë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare shqiptare. Sot është e vështirë të gjesh një rast tjetër ndër popujt e tjerë të botës që kaq shumë intelektualë të fushave të ndryshme të jenë kyçur në të gjitha sferat e jetës politike siç ndodh me shqiptarët. Për trajtimin e këtij fenomeni do të duheshin gjurmime komplekse sociopsikologjike, të cilat nuk e vlejnë as nuk e kemi ndër mend t`i bëjmë këtu. Problemin duam ta shtrojmë në rrafshin e një trajtimi konkret, duke i nxjerrë disa konsekuenca që drejtpërdrejt e kanë sjellë shkretimin e veprimtarisë krijuese shqiptare.

Kjo gjendje e vlerave shpirtërore pikësëpari doli për shkak të rënies së institucioneve të mëparshme përkatëse, të cilat kishin përftuar njëlloj tradite në rrethanat e atij sistemi. Atëherë qe krijuar edhe njëfarë sistemimi i këtyre vlerave brenda institucioneve të kontrolluara përmes mekanizmave ideologjikë, jashta kontureve të të cilit, me gjithë pengesat e mëdha, dilnin edhe vlera të larta sidomos në fushë të letërsisë etj. Ndërkaq pati zënë të marrë këmbë një veprimtari kulturore-shkencore në të gjitha fushat, mirëpo pikërisht në atë vrull të saj u godit katërçipërisht nga fushata të egra të njëpasnjëshme të vjetëve `80. Më i dhembshmi i gjithë atyre goditjeve qe fakti se në përbërjen e shtabeve të atyre kryqëzatave qenë edhe vetë krijuesit shqiptarë. Ata aspak rastësisht u gjendën në krye të punëve të besueshme në institucionet kulturore, shkencore e arsimore, por edhe në poste të larta të pushtetit. Ishte krijuar një formulë, si kudo në sistemet totalitare, që krijuesit dhe intelektualët e tjerë duhej të merrnin angazhime shoqërore-politike, të vepronin në vijën e partisë dhe të krijonin në atë vijë, pra të bënin vepra të partishme. Me një fjalë, çdo krijues krahas punës së vet duhet të ishte njëherësh edhe një punonjës shoqëror-politik. Të veproje haptas kundër asaj vije në ato institucione të atij sistemi qe një gjë pothuaj e pamundur, por t`i shërbeje asaj me aq zell dhe aq verbërisht gjithashtu nuk qe një gjë aq e rrallë. Dhe nuk qenë të paktë gazetarët, shkrimtarët, profesorët e shkencëtarët shqiptarë që u bënë “luftëtarë të orëve të para” në luftën e vendosur kundër nacionalizmit, irredentizmit, separatizmit dhe dreqit e të birit shqiptar. Kjo është një gjë që dihet dhe njihet.

Ndryshimet që përfshinë si një stuhi gjithë vendet që ndodheshin nën diktaturën komuniste, për të cilat inteligjencia shqiptare qëlloi pothuaj e papërgatitur, e rrokën përpara edhe atë. Fushatat e pareshtura të diferencimit dhe denoncimit e kishin tëholluar së tepërmi rezistencën e saj. Dhe qëlloi që menjëherë pas iluzionit se po bëhej shlirimi i menjëhershëm i lakut në fyt, gjithnjë në frymën e situatës së re që po krijohej, pothuaj të gjithë themeluesit e partive politike shqiptare të Kosovës, që nga UJDI e Lidhja Demokratike e Kosovës etj. vetëm pak kohë më parë kishin qenë të propozuar për vendet kyçe në KQ të LK të Jugosllavisë, në KQ të LK të Serbisë, në KK të LK të Kosovës dhe në KK të LK të Prishtinës. Në krye të asaj liste ndodhej edhe kreu i LDK-së dhe i Republikës së Kosovës, zoti Ibrahim Rugova. Ç`është e vërteta ajo listë pati një jetë tepër të shkurtë, sepse u zhduk menjëherë nga faqja e dheut!

Inteligjencies shqiptare i qe thyer qafa me kohë, që para gjysmë shekulli e tutje në mënyrë të vazhdueshme. Ajo e kishte pasur teh thike udhën për të krijuar brenda vetes çfarëdo lloj disidence. Tri burgosjet e z. Demaçi (1958 – 1964 – 1975) vetëm brenda moshës së rinisë së tij, të cilat do të zgjatin për afër tridhjetë vjet, si dhe dënimet sakatosëse të qindra të rinjve shqiptarë në periudha të ndryshme, sidomos pas vitit `81, u shndërruan në një kërcënim gjithnjë të hapur ndaj inteligjencies sonë, radhët e së cilës u mbushën me gjithçka brenda strukturave të saj, që nga krijuesit e vërtetë, te poetët me funksione të larta partiake e shtetërore, te gazetarët e kyçur në shërbimet sekrete policore-ushtarake të shtetit e deri te akademikët analfabetë.

Me një fjalë, shikuar kuantitativisht, ky ishte një potencial i madh intelektual, i cili edhe në këso rrethanash mbërriti të krijonte disa vlera të dëshmuara në fushat përkatëse, mirëpo e kishte të vështirë të përqendrohej në krijimin e cilësisë së strukturave të veta. Në krye të të gjitha institucioneve shkollore, universitare, informative, botuese, kulturore, artistike e shkencore ndodheshin pothuaj pa përjashtim njerëzit e besueshëm të pushtetit, të cilët ishin rryer tashmë të hetonin çdo “defekt” në mekanizmin që ishte vënë në një udhë pa krye! Kjo klasë e dyzuar intelektuale-politike mbeti gjatë në skenat e jetës shqiptare duke bërë veprime asnjanëse, ose së jashtmi stolisej me mburrjen se po bënte punë të vlefshme, kurse së brendshmi kryente veprimin e një instrumenti të mbikëqyrur rreptësisht. Duke ndenjur gjatë në krye të punëve me përgjegjësi dhe duke qenë në duart e pushtetit, kjo klasë u profilizua me vija të ashpra, i dendësoi radhët e veta dhe erdhi te faza e dueleve për të ngadhënjyer në konkurrencën që dilte në logun e mbajtjes së pushtetit. Kjo është më e tmerrshmja luftë ndërshqiptare, lufta për t`u bërë shërbëtor! Armën më vdekjeprurëse kjo klasë e dyzuar e bëri dëngun e veprave të veta, tek i cili mblodhi për të shpërndarë pastaj gjithandej devotshmërinë e saj ndaj pushtetit pushtues dhe timonierëve të tij! Aq e ashpër u bë me kohë kjo vijë, sa pak poetë, estetë, shkrimtarë e shkencëtarë shqiptarë mbetën pa i “stolisur” veprat e tyre me një vjershë, poemë, himn, ditiramb, kurorë sonetore apo libër të tërë; me një deklaratë, portret, ese, vështrim apo studim; me një këngë, elegji, balet apo simfoni dhe kushedi çka jo tjetër për timonierin Tito, i cili më së shpeshti aty quhet: prijës vizionar, burrë shteti i shekullit, ushtimë e flamur shekujsh, diell i jetës sonë, baba, vëlla…

Në gjithë këtë radhitje epitetesh me klithma shpërthyese dashurie e përkushtimi, duhet të jesh tepër qëllimkeq të kërkosh tek autorët e atyre krijimeve të mjera më shumë se një nevojë të pashërueshme për të dëftuar devotshmërinë për privilegjet e grabitura në kurriz të krijimit të vlerave të njëmendta kombëtare. Mirëpo nëse gjithë kjo atëherë nuk ishte më shumë se një mekanizëm mbrojtës nga regjimi, siç u pëlqen të thonë tash autorëve të mjerë të këtyre krijimeve të shkreta, qëndrimi i tyre i tashëm duke dëftur veten prej disidentësh të përndjekur e të ndaluar flet më hidhur se për një moral thjesht qyqar dhe hipokrit të tyre. Cinizmi i tyre duket të jetë pa fund e anë.

Ky portret kolektiv intelektualësh shqiptarë, që janë krijues vlerash kulturore e punonjës të përhershëm politikë, nuk do të hiqet për një kohë të gjatë nga skenat e jetës shqiptare. Ata i gjen kudo, shfaqen në çdo pikë të globit në ngarendjet e tyre të pandalshme për të ndjekur të gjitha koncertet, festivalet, karnavalet, promovimet, përkujtimet, themelimet, mbledhjet, zgjedhjet, therjet, mjeljet etj. që bëhen për të mirën e atdheut dhe kombit të bashkuar!
Duke hequr cipëzat e cinizmit nga shkrimi, që në të vërtetë është e vetmja mënyrë e komunikimit me ta, njeriu e ka vështirë të lidhë kuptimet e metamorfozave të tyre brenda kohës që përthekon kujtesa e freskët njerëzore.

Klasa e inteligjencies shqiptare e Kosovës, e cila në pjesën e saj më të madhe ishte shndërruar në një kope punonjësish politikë-shoqërorë, nga fushatat diferencuese të vjetëve `80 drejtpërdrejt po kthehej në një elitë drejtuese të proceseve të ashtuquajtura demokratike në fillim të vjetëve `90, pra pikërisht atëherë kur shqiptarëve të Kosovës u ishte rrëmbyer sa çel e mbyll sytë edhe ajo trohë pavarësie, për të cilën e ushqenin iluzionin se e kishin realizuar. Bijtë e Titos, pasiqë ata e kishin shpallur vetë një lidhje të tillë afrie me Timonierin e Vëllazërimit, Vizionarin e Bashkimit dhe Flamurin e Shekujve, me kohë e panë rrezikun që i kanosej kalasë së tyre të ngritur me aq shumë jargë e shkumë. Atë kala donin ta merrnin tash nga brenda të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët sa kishin dalë nga burgjet e gjata serbe dhe po u afroheshin me mjaft hezitim e heshtas këtyre mekanizmave të brishtë partiakë. Mirëpo ata që për një privilegj e kishin shitur falas artin e tyre, kategorinë më të lartë etike-estetike të shprehjes njerëzore, nuk e kishin për gjë të bënin gjithçka për të mos humbur asgjë nga ajo që kishin shtënë në dorë. Me rivalët e tyre të rinj, pra me të burgosurit politikë shqiptarë, luftëtarët e rryer në punë pushteti e nisën luftën e denoncimeve nën rrogoz, duke i shpallur të papërshtatshëm ideologjikisht, neokomunistë, enveristë e djaj të kuq. Ç`është e vërteta, një pjesë jo e vogël e kësaj kategorie njerëzish vazhdonin ta shfaqnin haptas apo fshehtas vijën e tyre emblematike ideologjike me ngjyrime të tilla, mirëpo përcaktimi i tyre themelor pothuaj gjithnjë ishte i dëshmuar në vijën e lirisë kombëtare. Në anën tjetër, shumicës prej tyre burgosja ua kishte ndërprerë ngritjen e mëtejshme intelektuale, që ishte një hendikep jo aq i vogël i tyre, sidomos kur personaliteti i tyre shikohej me një dioptri tjetër duke iu nënshtruar gjykimit elemininues të mjeshtërve të rryer në punë pushteti.

Çka ndodhi pas gjithë kësaj: një herë tjetër!

16 dhjetor 1996

Shënim i Autorit

Ky tekst i shkruar më 16 dhjetor 1996 qe planifikuar të botohet në revistën e përjavshme EUROZËRI nr. 52 të 26 dhjetorit 1996, që është pjesa e dytë në rubrikën KLEPSIDRA SHQIPTARE, ku shkrimi “Rrathët e skuqur të zotit Rugova” duket se “shpëtoi” krejt rastësisht dhe doli në të njëjtën revistë në numrin 51 të 19 dhjetorit 1996, por u hoq nga revista në momentin e fundit, më 19 dhjetor 1996, nga ana e editorit z. Xhevdet Mazrekaj. Ia ofroj për botim, pa asnjë ndryshim të tij, revistës REPUBLIKA, duke ruajtur të drejtën autoriale për çdo shpjegim të mëvonshëm lidhur me të.

Cyrih, më 19 dhjetor 1996 Me nderime: Shaip Beqiri