Largohet nga jeta, shqiptari i madh që i dha jetë nga jeta e tij Atdheut!

Shkruan: Ismet Sylejmani, Prishtinë

 

Simboli i rezistences se popullit shqiptar, simboli luftes  se  Kosoves dhe viseve te saja nen ish-Jugosllavi!

Pushon se rrahuri zemra e simbolit te kombit!

Lamtumire Baca Adem Demaçi!

Lavdi!

Prishtine, 26 korrik 2018

 

Me këtë rast, Albanian American Vision po e publikon edhe letrën e përkrahjes që gazetari, luftëtari dhe veprimtari Ismet Sylejmani i kishte dërguar bacës Adem Demaçi në vitin 1993:

 

Adem Demaçit dhe grevisteve të tjerë!

 

I dashur vëlla ADEM DEMAÇI !

Të dashur ju grevistë të tjerë !

 

Në këto momente kaq dramatike që po i kalon populli shqiptar i Kosovës, kur nuk është e sigurtë asgjë, dhe kur çdo gjë është e mundur të të ngjajë, kur dhuna e terrori shovinist eskalon çdo ditë e më shumë dhe bëhet i padurueshëm, kur erë e barotit dhe e luftës ndihet kudo e në çdo hap,vendimi i juaj që të hidheshit në grevë urie në mbojtje të fjalës dhe mendimit të lirë, përbënë një nga karakterisitikat e virtyteve tuaja të larta, të guximshme e burrërore, trashëgim këto nga thesari i madh dhe i paqmuar i të kaluarës së popullit tonë.

 

Akti juaj që jeni duke e kryer padyshim se është i lavdishëm dhe madhështor dhe jo vetëm kaq, por… besojmë se nuk ka e nuk do të ketë pjestar të popullit tonë që është koshient për konditat nën të cilat gjindemi aktualisht, e që nuk është solidarizuar e nuk solidarizohet me grevën tuaj , që do të mbetet e shkruar me shkronja të arta në historinë e lavdishme të popullit, ashtu si edhe e tërë e kaluara e Juaj.

 

Greva juaj është më shumë se mbrojtje e fjalës dhe mendimit të lirë.

 

Ndonëse nuk e dimë sakt, se sa ka marrë përmasa botërore greva juaj e urisë, por për aq sa po dëgjojmë dhe sa jemi të informuar , ka shtrirje mjaft të gjerë dhe efekt të madh.

 

Vazhdimi i mëtejshëm i grevës, pa na keqkuptuar, mendojmë se duhet të jetë i analizuar shkencërisht dhe duhet të dimë sakt se ku do të na shpiejë.

 

Ndryshe nuk na falet nëse mund të na nxjerrë përpara të papritura që janë të mundshme në çdo çast, e për të cilat do të jemi të papërgaditura.

 

Jemi të bindur se jeni koshient se ç’pushtues gjaksorë e barbar kemi përpara.

 

Andaj dhe nuk duhet të presim shumë nga ky, sepse kur mungon edhe angazhimi maksimal i bashkësisë nderkombëtare, edhe gatishmëria e tij për t’u tërhequr e për të lëshuar pe,është e do të jetë më e vogel.

 

Dhe si rrjedhim, vetëm me grevë të disa individëve sado të mëdhenj dhe të afirmuar qofshin, nuk mund ta detyrojnë pushtuesin serbomadh të tërhiqet nga synimet e tij djallëzore e antishqiptare.

 

Ose të kalojmë në grevë të përgjithshme popullore, ose ndërprejeni atë.

 

Ndryshe aq ua bën xhelatëve të tipit të Millosheviqit, Sheshelit, Arkanit etj.

 

Pse vdes ADEM DEMAÇI, që për popullin shqiptar kudo që jeton, jeni dhe do të mbeteni yll i pashuar, simbol i rrezistencës kombëare dhe i luftëtarit të pakompromis etj..

 

Ne redaksia e gazetës “VATRA” ju thërrasim: Ose grevë gjithpopullore me juve në ballë, ose nderprejeni atë, sepse ju jeni i vlefshëm dhe i domosdoshëm për popullin shqiptar, prandaj si rrjedhim është jo e mjaftushme që të vdiset duke bërë grevë urie i vetëm e me një grusht gazetarësh e shkrimtarësh.

 

Le të shërbejë thënja se: “Lehtë është për një udhëheqës të dalë në radhë të parë të frontit dhe të vdes heroikisht duke luftuar, por është vështirë të udhëheqësh me guxim e aftësi dhe të dalësh i gjallë nga lufta duke i shpëtuar të tjerët aq sa të jetë e mundur”.

 

Kërkojmë që patjetër t’i lexohet kjo letër ADEM DEMAÇIT dhe grevistëve të tjerë, nëse pranojnë.

 

Më 2. 06. 1993

Gjilan

Redaksia e Gazetes “VATRA”

 

Antari i Redaksisë:

Ismet Sylejmani