KADAREJA NË AMERIKË (Urim për “Nobelin”)

agron fico

Shkruan: Prof. Dr. Agron F. Fico

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare është personaliteti i kombit shqiptar më i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.

Pas Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Kadare u shfaq në botën letrare shqiptare si një shkrimtari i talentuar, që u afirmua, me krijimin e një korpusi letrar, si gjeni i letrave shqipe. Merita themelore është se Kadare krijoi një metodë dhe stil të veçantë, origjinal, që ngërthen magjinë e artit dhe letërsisë klasike antike, realizmin europian dhe befasinë e letërsisë së Amerikës latine, ose siç e quan kritika profesionale europiane, “metodën kadare”.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë botuar mbi 20 libra të Kadaresë, që janë shoqëruar me artikuj kritikë vlerësues për veprën dhe shkrimtarin. Thelbi i këtyre komenteve ka qenë dhe është se, Kadare është një shkrimtar i shquar kundër totalitarizmit universal, një këngëtar i lirisë së individit dhe i shpirtit demokratik. Në përzgjedhjen e veprave të Kadaresë që përkthehen në Amerikë, kriteri kryesor ka qenë dhe është thelbi mbarënjerëzor i veprës; dhe dihet që dy fobi janë absolutisht të papranueshme për lexuesin amerikan: ideologjia komuniste dhe ideologjia naziste.

Bashkëshortja, shkrimtarja Helena Kadare, në librin “Kohë e pamjaftueshme” (Kujtime) ka folur gjatë edhe për vizitat e Kadaresë në Amerikë dhe përjetimet e shkrimtarit, për marrëdhëniet e bashkësisë shqiptare me Kadarenë dhe veprën e tij. Helena në kapitullin kur flet për marrëdhëniet e bashkësisë shqiptare me shkrimtarin Kadare nuk ka arritur, në disa raste, qoftë edhe të pakta, të jetë e plotë dhe e saktë.

Ndjehem i përulur para lexuesit po të përmend se bashkë me artistin e njohur Xhevat Limani organizuam festimin e 70-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit në një ceremoni mbresëlënëse dhe që pati jehonë edhe në shtypin e Nju Jorkut.

Mbrëmja akademike për veprën dhe jetën e Kadaresë, shoqëruar edhe me një program të muzikës klasike, u organizua në një nga mjediset më të bukura në Manhattan, në restorantin e biznesmenit shqiptar Bruno Selimi. Kujtoj lexuesit se në mbledhjen e nivelit të lartë të e Diasporës, që u zhvillua në Tiranë, Bruno Selimi ishte ndër ata që u vlerësuan me “shqiponjën e artë”. Madje kjo veprimtari shkencore-artistike për ditëlindjen e shkrimtarit u vlerësua nga vetë Helena në letrën që më dërgonte, ku shkruante:

“I dashur Agron Fic\o,
Të falenderojmë nga zemra për ato aktivitete që po bën edhe për fjalët e ngrohta , me të cilat po i përcjell aq bukur të gjitha.

Gjesti yt, ashtu si dhe i gjithë shqiptarëve të Diasporës, që marrin pjesë në të gjitha këto festime, na prek pa masë. Ju jemi mirënjohës të gjithëve për dashurinë, ngrohtësinë dhe mençurinë, me të cilat shoqëroni ditëlindjen e Ismailit….”

Letra mbyllet me urimin sqimatar “Meqenëse edhe unë jam bijë gjirokastrite, sikurse ju dhe Ismaili, më lejoni të përdor fjalën e bukur ‘ngalas’, që çuditërisht më solli ndër mend, mallëngjyeshëm, hallat e mia që tani s’janë më. Pra, ju ngalas së bashku me Ismailin dhe ju uroj çdo të mirë të mundshme dhe të pamundshme.”
(Agron F. Fico: “Rilindja e Shqipërisë etnike”, 2009, f. 191).

Kam pasur rastin të jem i pranishëm në takime akademike të Kadaresë me institucionet amerikane; në Princeton University dhe Columbia University. Studentët, profesorët dhe akademikët amerikanë kanë bërë vlerësime të larta dhe kanë shprehur nderim për veprën e Kadaresë.

E kam ende të freskët befasinë e bisedës së Kadaresë në sallën e universitetit të njohur Columbia, në të cilën ai trajtoi magjishëm temën: Letërsia dhe Diktatura. Salla ishte mbushur plot e përplot, ose siç thuhet nuk kishe ku të hidhje mollën. Pjesëmarrës ishin akademikë të shquar, profesorë të universiteteve të ndryshëm të Nju Jorkut, diplomatë të rangut të parë, e të tjerë.

Kadareja e shpalosi temën në thellësi dhe në gjerësi, ashtu si vetëm ai di ta bëjë. Ne shqiptarët pjesëmarrës ndjeheshim mirë, që të shmang fjalën krenarë. Heshtja solemne dëshmonte se biseda e spikerit (Kadaresë) ndiqej me dëgjueshmëri të lartë.

Siç përmenda edhe më lart, librat e Kadaresë që botoheshin në Shtetet Bashkuara të Amerikës pothuajse të gjithë shoqëroheshin me komente dhe artikuj kritikë nga specialistë dhe njerëz të njohur. Në caqet e kësaj eseje po ndalem vetëm në një ose dy shembuj.

“Dosja H” e Kadaresë tërhoqi vëmendjen e veçantë të lexuesit amerikan dhe botimi i saj në Nju Jork ngjalli debate për vlerat.

Kishte dy arsye, sipas meje, se pse ndodhi kjo vëmendje e veçantë.

Njëra ishte fakti se personazhet kryesore të romanit, shkencëtarët irlandezë Maks Roth dhe Vili Norton, të kujtojnë përvojën e dijetarëve të njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord, që erdhën në Shqipërinë e Veriut në vitet 30’ të shekullit të kaluar për regjistrimin e këngëve të eposit heroik shqiptar, që njihet edhe me emrin cikli i kreshnikëve.
(Shih: Agron F. Fico “Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”, Nju Jork-Tiranë, 2016, f. 51-53).

Tjetra ishte se Kadareja kishte botuar një studim serioz dhe me teza origjinale në vitet ’80 të shekullit të kaluar për ciklin e kreshnikëve, që ishte pritur me entusiazëm intelektual.

“Dosja H” e Kadaresë pati disa shkrime kritike. Është fjala për artikullin e Ken Kalfus me titullin “Balkanizing Homer” (në gazetën prestigjoze “The New York Times”, 1 mars 1998, f. 26) dhe artikullin tjetër “A Satirical Tale with Some Memorable Lessons from Novelist Ismail Kadare” nga Alan Cheuse (në gazetën “Chicago Tribune, 1 mars 1998).

Ky vlerësim, ky nder për Kadarenë dhe “Dosjen H”, kulmoi me organizimin pranë Kombeve të Bashkuara të një diskutimi krijues nën kryesinë e ambasadorit francez, në të cilën morën pjesë 28 ambasadorë.

2-3 vite më parë u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës romani i Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës”, që u shoqërua me vlerësime, komente dhe kritika në gazeta dhe revistat më autoritare të masmedias amerikane dhe anglosaksone. Ja kronika e këtyre shkrimeve:

“The National” (31 korrik 2014) nga Malcolm Forbes; “The Times” (2 gusht 2014) nga Oliver Moody; “The Independent” (3 gusht 2014) nga Jonathan Gibbs; “The Spectator” (9 gusht 2014) nga Ranjit Bolt; “New Statesman” (19 gusht 2014) nga Robert Macquarie; “Times Literary Supplement” (12 shtator 2014) nga George Walden; dhe më 30 nëntor 2014 në gazetën më të madhe – “New York Times” në Book Review (NY Times Book Rev.) me një koment brilant nga Christian Lorentzen, e plot të tjera.

Mund të shtojmë se këto komente kaq të gjera në shtypin amerikan ua kalojnë edhe atyre të bëra shumë vite më parë për romanin “Dosja H”.

Muzgu i perëndive të stepës” u botua më 1978, më 1981 u përkthye në frëngjisht nga Jusuf Vrioni. Autori e ripunoi më 1998 dhe, siç përmendëm më lart, u përkthye anglisht nga David Bello dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 2014.

“Muzgu i perëndive të stepës” është përkthyer edhe në spanjisht e italisht, lexuesi e gjen atë dhe në Kanada, Francë, Itali Spanjë, Indi e tani edhe në Amerikë.

Subjekti i romanit përfshin jetën e Kadaresë në Institutin e letërsisë “Gorki”, qendër e shkrimtarëve nga 16 republikat sovjetike dhe nga ish-vendet socialiste. Autori zbulon jetën e këtyre krijuesve të një letërsie që frymëzohej nga parimet e realizmit socialist, një letërsi, në thelb, propagandistike. Ja ndonjë hollësi kadarejane për këtë realitet “të lavdishëm” sovjetik: “…kemi rërat e lavdishme sovjetike dhe unitetin e pashembullt.”(f. 80). Ndërsa një shkrimtar nga një krahinë e stepave përshkruhet nga sjelljet si një maskë politike: “në fytyrën e tij kishte përherë një zjarrmi, ngazëllim mitingjesh; ai ishte gjithmonë sovjetikisht i qeshur. Buzëqeshja e tij sovjetike… (f. 78).

Po përmendim edhe një vepër tjetër të Kadaresë me titullin “Aksidenti” që i përkthyer anglisht në Shtet e Bashkuara të Amerikës u shoqërua më një shkrim kritik nga Charles McGrath në gazetën autoritare “New York Times”.

(Book Review).

Ja dhe pak vlerësime të spikatura nga burimet amerikane; Bruce Bawer, i gazetës së mirënjohur “Wall Street Journal” që e quan: “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët”.

Në “Los Angeles Times Book Review” shkruhet se “Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garcia Marquez-it”.

Në fund do të theksoja që në qoftë se Shqipëria në vitet 70’ të shekullit të kaluar njihej nga vëllezërit Belushi, në fund të shekullit XX nga Nënë Tereza, sot, në shekullin e XXI njihet nga Ismail Kadare, njohje që kulmoi edhe me ngritjen e flamurit shqiptar në Capitol të Kongresit të Amerikës për nder të Kadaresë.

Shkrimtari i madh Kadare, me personalitetin e vet kompleks si shkrimtar i shquar, erudit, studiues i pasionuar dhe gjuhëtar-krijues, ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të shquar të kombit shqiptar.

Universi i tij krijues shumë-vëllimesh është i një standardi klasik i denjë për çmimin “Nobel”.