Kah po ia mësyjnë njerëzit tanë kështu

agim sylejmani

Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

Në kanalin televiziv KTV u dha një reportazh, e pastaj u shpërnda nëpër internet dhe rrjete sociale, duke intervistuar në stacionin e autobusëve njerëz që kishin dalur për t’u nisur në drejtim të panjohur për të kërkuar “azil”.

Sa për shpjegim fjala “azil” në gjuhën shqipe është “strehim”. Janë disa lloj “azilesh”:

1. Strehimi (azili) politik, e që nënkupton strehimin në një vend tjetër për t’i shpëtuar ndjekjes, persekutimit, burgut dhe në rastet më të rënda edhe vdekjes nga regjimi i vendit prej nga vjen kërkuesi i “azilit”.

2. Strehimi (azili) ekonomik humanitar, e që nënkupton atë shtresë të njerëzve të cilët janë të kërcënuar nga vdekja për shkaqe të ndryshme që ua pamundëson jetesën në vendin e tyre. p.sh. nga shkretëtirat e Etiopisë, Eritresë, Somalisë, Nigerisë, etj, ku njerëzit s’kanë as çfarë të hanë dhe rrinë me sytë nga qielli kur do t’iu hedh kush gjë me parashuta nga ndonjë aeroplan i UNCHR-së, ndonjë thes me oriz ose ujë, …

3. Strehim të përkohshëm, e që ka të bëjë për të arratisurit apo refugjatët që kanë ikur nga rajonet e luftës për të shpëtuar nga vdekja. Sapo të përfundojë lufta në atë vebd, zakonisht gati të gjthë i kthejnë nga kanë ardhur.

4. Strehim të përkohshëm për arsyera shëndetësore për të sëmurët me sëmundje të cilat janë tëpashërueshme në vendin e prejardhjes. Sapo të përfundojë trajtimi mjekësor zakonisht këta i kthejnë në vendin e origjinës prej nga kanë ardhur.

Shtetin e brishtë të Kosovës e kanë njohur gati të gjitha shtetet evropiane, duke përjashtuar 5 shtete të BE-së. Pranë kësaj:

1. Kosova është radhitur në vendet e sigurta për të përndjekurit politikë (edhepse atje edhe sot e kësaj dite burgosen kundërshtarët e regjimit politikisht, bile edhe vriten egërsisht nëpër burgje kundërshtarët politikë).

2. Llogaritet se në Kosovë nuk të rrezikuar nga uria dhe vdekja prej saj, meqë gjysma e popullsisë veç është nëpër vendet e ndryshme të vendeve perëndimore, e me këtë nënkuptohet se nuk vie deri aty sa të vdes kush për bukë.

3. Pastaj Kosova llogaritet vend me lëvizje të lirë të siguruar për të gjtihë, duke përjashtuar lirinë e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës nga Kosova për në vendet tjera evropiane.

4. Në Kosovë ka ente shëndetësore e spitale sa për t’u kujdesur për shëndetësinë e qytetarëve të saj, duke përjashtuar korrupsionin e mantelbardhëve, të cilin korrupsion duhet ta luftojnë vetë qytetarët e Kosovës.

Tash pjesëtarë të popullit tonë në Kosovë sërish po duan me ia mësy rrugën e “azilit”, bile “azilit” politik, siç po i “këshillojnë” dhe fryjnë padronët e portaleve të Kosovës. Bile disa autobusë gjoja veç janë nisur drejt Beogradit, kryeqytetit të atij vendi, pjjesëtarët e të cilit vend bënë masakra të papara në Kosovë, vranë rreth 15’000 shqiptarë, dogjën rreth 60% të objekteve të banimit, dhunuan mbi 20’000 gra e vajza shqiptare dhe dëbuan mbi një milion shqiptarë nën kërcënimin e bajonetës dhe thikës çetnike, që edhe fëmijëve të porsalindur ua prenin kokën sikur së Siri e në Burmani.

E gjithë kjo bëhet në pikë të ditës dhe para syve të organeve të rendit e tëpushtetit, të atyre që janë të thirrur për të mbrojtur qytetarët e saj, dhe askush prej tyre akoma nuk e tha asnjë fjalë, nuk ndërmori asnjë veprim për të penguar një rrugëtim të tillë sa të rrezikshëm aq edhe të pasigurtë për jetën e tyre dhe të kushtëzuar me shpenzime të larta materiale, e që përfundimisht të përfundojnë nëpër kampe “azilkërkuesish” që pas dy-tre javësh ta shohin veten sërish me duart e lidhura në aeroplanin për Prishtinë me një biletë njëdrejtimëshe, e me këtë edhe një dënim me ndalim hyrjeje në gjithë hapësirën e vendeve të Shengenit.

Por ata që e kanë marrë në sy këtë rrugë pa krye, e që përfundimisht do të përfundojnë sërish në aeroportin e Prishtinës dhe në shtëpitë e tyre, le të kërkojnë ku të dojnë azil, por në të gjitha vendet evropiane e kanë të njëjtin përfundim – refuzimin e strehimit dhe deportimin e shpejtë në vendin prej nga kanë ardhur “kosovarët”…! Më vjen shumë keq, por ky është një vendim i përgjithshëm në të gjitha shtetet evropiane, e sidomos në të gjitha shtetet që bëjnë pjesë në hapësirën e shteteve të Shengenit. Prandaj nuk duhet të mashtrohen njerëzit me “arsyerat” me të cilat mund të “fitohet” azili”.

Nëse do më pyeste ndokush mua, unë në radhë të parë do u jepja strehim (azil) njerëzve të pafajshëm nga Siria, Iraku, Tunizia, Libia, Somalia, Etiopia, Burma, Afganistani, e të ngjashme vende ku sot njerëzit therren sikur lopët dhe delet në thertore para kamerave televizive dhe të cilat na shfaqen si horrror i gjallë në ekranet tona.

Prandaj, duhet lenë këto “arsyera” dhe të hapni sytë, të ngritet zëri, të bashkohen grushtat dhe forcat dhe të hidhen në pleh klasa politike që po torturon dhe zhvatë popullin qe 18 vite….! Nuk duhet kërkuar “arsyerat” e ikjes duke ndenjur në restaurante pranë makiatos dhe të bëhet “politikë”, duke bërë sehir dhe duke pritur nga qielli ose nga “miqtë” ndërkombëtarë t’na i rregullojnë punët. Gjithandej nëpër Evropë dhe botë, të pakënaqurit ngrisin grushtat dhe përmbysin qeveri, pushtete e diktatorë të plotfuqishëm. Vetëm në Kosovë jemi një popull “sui generis…”!