Kosova laike me struktura shtetërore (i)legale islamiste

Shkruan: Reshat Sahitaj, Prishtinë

Islamizmi radikal, një fenomen shqetësues

Do të ishte mirë dhe e domosdoshme, që personalitetet shqiptare të marrin masa të nevojshme kundër shtrirjes së rrjetit islamik radikal, ngase këta janë shkatërruesit e shtetit të Kosovës. Nëse nuk do të merren hapa të duhur për parandalimin e përhapjes së sekteve fetare islamike, Kosova brenda pak vitesh do të shndërrohet në Palestinë të dytë.

Islamizmi radikal është bërë temë shqetësuese në të gjitha mediet botërore, dhe trajtohet me një kujdes të veçantë , sepse radikalët islamistë u hakmerren medieve, duke u përpjekur, që askush në botë të mos guxojë realitetin e hidhur të luftës së tyre xhihadiste. Që nga Pranvera e famshme arabe e deri të shteti islamist i krijuar me dhunë, janë zhvilluar shumë luftëra e beteja, dhe kanë ndodhur shumë krime barbare të shkaktuara nga rrjeti radikal islamist, që është i shtrirë në tërë botën.

Ngjashmëria e ISIS-sit me Frankon dhe Hitlerin

Si Franko edhe Hitleri objektiv e kishin shtypjen e demokracisë dhe krijimin e një race të pastër ariane, e që një strategji të tillë është duke e udhëhequr shteti islamik për ta krijuar një gjuhë e racë të pastër arabe, duke u shërbyer dhe manipuluar të rinjtë internacionalistë nga mbarë bota, e në mesin e tyre edhe të rinjtë shqiptarë. Kam fituar përshtypjen se shqiptarët janë tepër humanistë ndaj të gjithë popujve të botës e jo ndaj popullit të vet. Dikur shqiptarët dalloheshin si luftëtarë të denjë, duke luftuar për interesa të Perandorisë Osmane, duke qëndruar vite të tëra në luftëra të ndryshme që zhvillonin turqit. Për t’i shënuar ato gjurmë të vuajtjeve të ushtarëve shqiptarë dhe grave të tyre më së miri na ilustron këngëtari popullor më këngën “Vinë pampurat rrethit detit”, e shumë këngë tjera, si dhe studime shkencore historike. Ushtrisë së Perandorisë O. shqiptarët nuk iu bashkangjitën vullnetarisht, por shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm, mirëpo vullnetarizmi i shqiptarëve për t’i ndihmuar popujve tjerë është i dallueshëm në luftën civile të Spanjës, ku shumë nga luftëtarët tanë u vranë e të paktë ishin që u kthyen. Pas 11 shtatorit 2001, islamistët radikalë menduan se korrën fitore të madhe më rastin e atentatit mbi kullat binjake, dhe numri i simpatizuesve të tyre u shtua në tërë rruzullin tokësor e simpatizuesit e heshtur të trojeve shqiptare filluan ta festonin këtë akt tragjik mbi njerëzimin. Gjer më këtë datë, islamistët e trojeve shqiptare vepronin në heshtje duke i përgatitur gjeneratat e reja përmes kurseve falas gjoja për rrobaqepësi, kompjuterë e në fakt në ato, kurse të rinjtë e të rejat ishin të obliguar të mësonin mësimet fetare sesa të specializoheshin për ndonjë zanat. Në pranverën e vitit 2011, shqiptarët islamistë filluan të mobilizoheshin që mësimet e tyre nga kurset e ndryshme si dhe takimeve sekrete nëpër xhamia e sallone private t’i venin në veprime konkrete. Një pjesë e shqiptarëve islamistë u nisën vullnetarë për të luftuar në Siri pa e ditur qëllimin e luftës dhe kundër kujt do të luftonin. Për të arritur deri në këtë shkallë aq sa të përvetësonin të rinjtë shqiptarë për t’i dërguar në luftën e Sirisë është bërë propagandë e madhe dhe është derdhur buxhet i madh. Shtrohet pyetja : Si është e mundur që shqiptari i cili nuk kishte luftuar kundër armikut tonë, kur ushtarët serbë ia dhunuan motrën, e vranë Adem Jasharin e mijëra të tjerë të pafajshëm, e pa asnjë hezitim vullnetarisht shkojnë të luftojnë për arabët e panjohur? Kur serbët burgosnin, vrisnin, djegin shtëpitë tona, dhunonin vajzat tona, masakronin familjet të shumta, si familjen Delia, Berisha etj., këta djem e këta burra nuk u dolën zot motrave të veta, shtëpive të veta, prindërve të vetë e shkojnë në Siri për t’i mbrojtur ata që aspak nuk e kanë nevojën e mbrojtjes së luftëtarëve tanë. Këta djem tanë që vullnetarisht shkojnë në Siri janë të manipuluar e të cilëve ua kanë shpërlarë trurin, duke i bindur se po i ndihmojnë Allahut e në fakt këta bëjnë luftë kundër Allahut. Nuk ka mundësi të jetë mysliman i mirë ai që nuk i ka dalë zot atdheut të vet! Nuk mund të jetë mysliman i mirë ai që në kohën e luftës në Kosovë nuk i ka dalë zot familjes se tij! Vullnetarët shqiptarë në Siri e sakrifikojnë jetën e tyre për asgjë, dhe Allahu në vend se t’i shpërblejë do t’i dënojë shumë keq.

Si u instalua islamizmi radikal ndër shqiptarët?

Dihet se shqiptarët janë me tri konfesione e që shumica është myslimane. Gjer më 1989, pjesa shqiptare e besimit islam nuk ishin fanatik të religjionit, mirëpo kur Serbia për interesa të veta përdorte ordodoksizmin kundër shqiptarëve, atëherë shqiptarët si kundërpërgjigje përdorën xhamitë kundër serbëve, duke menduar se po vepronin në dobi të atdheut pa e ditur së më këtë strategji po e dëmtonin rëndë imazhin e Kosovës. Gazetarët e huaj që bënin reportazhe mbi krizën e atëhershme jugosllave, Serbia i dërgonte në Kosovë që të merrnin pamje të lutjeve fetare nëpër xhamitë. Nga këto pamje e të rinjve duke u lutur, Millosheviqi e arsyetonte terrorin mbi popullin tonë duke e përdorur si pretekst se po i luftonte ithtarët e islamizmit të Homeinit, që asokohe ende ishte temë aktuale. Serbia kishte derdhur fonde speciale marramendëse për të krijuar celula dhe grupe islamiste shqiptare, nga të cilët do të tentonte që lufta e UÇK-së të shndërrohej në luftë xhihadiste e jo çlirimtare, mirëpo disa liderë të UÇK-së si: Adem Demaçi, Bardhyl Mahmuti e të tjerë i evituan ofertat e shteteve islamike duke e orientuar luftën tonë drejt aleatëve perëndimorë dhe duke i njoftuar se populli shqiptar zhvillonte luftë për çlirim kombëtar e jo fetar. Pavarësisht kësaj tentative të dështuar, Serbia kurrë nuk do të pushonte në dobësimin e imazhit të pavarësisë së Kosovës, andaj ata do krijonin shtabe speciale siç është në shtetet skandinave shtabi i rrjetit të një portali për rekrutimin e shqiptarëve vullnetarë për në Siri. Serbia do të angazhonte rrjetin e spiunazhit të tyre edhe në shtetet arabe si në Irak, Siri, Al Katar dhe Arabi Saudite, që angazhonte sheikët arabë, të cilët më fonde serbe dhe arabe të krijonin çerdhe islamiste radikale në trojet shqiptare : Kosovë, Preshevë, Tetovë dhe në Tiranë. Shqiptarët nga varfëria e skajshme do të pranonin investimet qindramilionëshe, që vinin indirekt nga Serbia e direkt nga vendet arabe, pa qenë të vetëdijshëm së po ia bënin varrin vetes dhe popullit të vetë.

Si zuri rrënjë islamizmi radikal në Kosovë?

Është e njohur se gjatë kohës së Titos, Jugosllavia e asaj kohe kishte relacione tepër të mira me shtetet arabe. Këto relacione tani i ka trashëgimi Beogradi, i cili sipas rregullave ndërkombëtare në Gjenevë dhe Nju-Jork është marrë vendim që Serbia të vazhdojë t’i shesin armët vendeve arabe në bazë të marrëveshjeve, që i kishte bërë Tito. Aktualisht Serbia është duke e luajtur rolin e dyfishtë, në një anë u shet armë jo vetëm shteteve arabe si Irakut e vendeve tjera, por edhe celulave terroriste, e nga ana tjetër i njofton vendet perëndimore për disa sulme që terroristët radikalë islamistë kanë planifikuar t’i ndërmarrin. Në këtë mënyrë Serbia i lejon vetës luksin që të operojë edhe ndër shqiptarët, gjë që vendet perëndimore e tolerojnë, por nuk e lejojnë. Nga kjo tolerancë, personalitet politike shqiptare të joshur më shuma të mëdha, kanë lejuar instalimin e kurseve të ndryshme si dhe investimet të shumta në fushën islamike duke e lejuar ndërtimin e xhamive të panevojshme, si dhe investime në sektorin e ndërtimtarisë. Asnjë personalitet politik kurrë nuk e ngriti zërin që t’i tregonte investitorëve arabë se në Kosovë kemi xhami të mjaftueshme, por nuk kemi shkolla të mjaftueshme. Këtyre investimeve marramendëse islamike u ka shërbyer edhe Naim Tërnava, i cili gjatë vizitave të tij në Turqi dhe vende arabe është ankuar në mungesën e xhamive dhe ka kërkuar ndihma për ndërtimin e tyre në vendet më strategjike të Kosovës. Nuk është e rastësishme që posa të fillon kufiri i Kosovës shkëlqejnë minaret e xhamive buzë rrugëve e të cilat qëndrojnë thatë.

Kosova shtet laik me parti islamiste

Në bazë të Kushtetutës, Kosova është shtet laik dhe i barabartë për të gjitha religjionet. Nëse i referohemi Kushtetutës sonë, në Kosovë mund të krijohen parti politike, por jo parti religjioze që synojnë marrjen e pushtetit. Partitë politike shqiptare janë të krijuara dhe të financuara nga vendet islamiste dhe ato janë antishqiptare, sepse në programin e tyre e kanë prioritet religjionin islamist e jo interesin kombëtar të shtetit tonë. Përveç formimit të partive politike të financuara nga turko-arabët, në Kosovë kemi parti të tjera që financohên nga turko-arabët e të cilat aprovojnë ligje në Kuvendin e Kosovës për t’i legalizuar bartjen e shamive në shkolla, mësimin e Kuranit etj. Investitorët islamistë kanë arritur t’i Përvetësojnë edhe shumë personalitete të politikës nga secila parti, gjë që nuk duhet të habitemi kur ndonjë ministër falët në zyrën e tij e të tillë kemi mjaft. Islamizmi ka arritur të depërtojë thellë në strukturat tona shtetërore, dhe si rezultat ne sot kemi djem tanë që luftojnë e vdesin në vende arabe. Mendoj se do të ishte mirë dhe e domosdoshme që personalitetet shqiptare të marrin masa të nevojshme kundër shtrirjes së rrjetit islamik radikal, ngase këta janë shkatërruesit e shtetit të Kosovës. Nëse nuk do merren hapa të duhur për parandalimin e përhapjes se sekteve fetare islamike, Kosova brenda pak vitesh do të shndërrohet në Palestinë të Dytë, ku më jeta e askujt nuk do të jetë e sigurt. Zgjerimi i mëtutjeshëm i rrjetit radikal islamik, në një të ardhme të afërt do të nxisë luftëra vëllavrasëse ndërshqiptare e do të harrohet armiku dhe krimet serbe.