Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, Kosovës i dëshiron zgjedhje të lira, demokratike, fer dhe të ndershme!

 

 

       LOBI EURO

       Lobi Euro-atlantik Shqiptar

 

 

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, ju drejtohemi nga mërgata, me
qëllim që edhe ne, pjesëtarët e mërgatës të kontribuojmë në të mirën e
Atdheut!
11 qershori po afrohet. Ju edhe këtë herë, do t’u drejtoheni kutive të
votimit dhe do t’ia jepni besimin një partie politike, një koalicioni apo
edhe një kandidati për deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, i
cili do të angazhohet për mirëqenien tuaj dhe për ardhmërinë e vendit.
Para se t’u drejtoheni kutive të votimit, ju të nderuar qytetarë, ia vini
gishtin kokës dhe mendojini disa gjëra.
- Mendojeni atë se para 17 ose 18 vjetësh, ju nuk e keni pasur këtë
mundësi, nuk e keni pasur mundësinë, që të vendosni për kë, do të votonit!

- Mendojeni dhe falënderoni ata që duhet falënderuar, ata që
kontribuuan më së shumti për ditën e sotme, ku ju dhe ne, jetojmë në liri,
votojmë të lirë, punojmë të lirë, fëmijët tanë ndjekin shkollat të lirë,
shprehim mendimet tona lirshëm e shumë të tjera që ne na mungonin nën
okupimin e hekurt nga Serbia.

Ta falënderojmë Zotin e Madh, në radhë të parë, dhe bijat e bijtë më të
mirë të Kombit, që punuan dhe që luftuan për çlirimin e vendit, ku në fund
rrokën edhe armët, duke u radhitur në radhët e UÇK –së, e që pushka e
tyre bëri jehonë në mbarë botën.

Falënderim i veçantë do të jetë për shtetet perëndimore dhe aleatët e
Aleancës Veriatlantike – NATO, në krye me SHBA-në,ku banditit e kryekasapit
të Ballkanit Millosheviq, i tha një herë e përgjithmonë se shqiptarët tash
e tutje nuk janë vetëm, ata janë zotë të vetvetes dhe jetojnë në trojet e
tyre.
- Qytetarë të nderuar para se të votoni, mendojini gjërat e vështira
në të kaluarën, mendojini edhe gjërat e mira pas luftës, por mos harroni
edhe vështirësitë që kemi ende, mendojini edhe atë, se çfarë duhet bërë
dhe si duhet bërë.
Pra i vëni gishtin kokës dhe mos harroni kurrë se armiqtë e shqiptarëve dhe
të Kosovës janë ende gjallë dhe veprojnë, tinëz apo haptas. Mos harroni se
Serbia, asnjëherë dhe kurrë nuk do të na lërë të qetë dhe se, në çdo
aspekt, çdo herë dhe në çdo mënyrë është duke na luftuar.
Kujtojini edhe ngecjet që jemi vetë përgjegjës për to, si ato se:
- Korrupsioni është në nivel shumë të lartë, ku si pasojë, ekonomia e
Kosovës është shkatërruar edhe pse Kosova njihet për një popullatë të
moshës së re, vitale, inteligjente dhe shumë e aftë për punë.
- Shëndetësia në Kosovën tonë të dashur është në gjendje të
mjerueshme,
- Arsimi është në nivel shumë të ulët, ku tregojnë edhe rezultatet e
testeve të ndryshme ndërkombëtare, si TISA
- Shpresa e humbur e qytetarëve, se ndonjëherë do të bëhet mirë,
- Drejtësia e Kosovës, në varësi të ekzekutivit,
- Izolimi i qytetarëve kosovarë. Mos harroni se jemi një ndër vendet
më të izoluara në Evropë,
- Gazetaria në Kosovë, e kapur, e sulmuar, shantazhuar dhe e
manipuluar,
- Siguria e qytetarëve është rrezikuar,
- Ikja e popullatës, e herë pas here ikja masive sikur ato të viteve
të fundit që Kosovën e lan më shumë se 250. 000 persona, e tashti vazhdon
posaçërisht ikja e personave të shkolluar të profesioneve të ndryshme,
- Bujqësia pa perspektivë,
- Qytetarët, pa sigurime shëndetësore,
- Familjet pa shtesa fëmijësh,
- Njerëzit në nevojë dhe invalidët e luftës së fundit,janë në mjerim.
- Të pagjeturit që nga lufta e fundit, që vazhdojnë të jenë në lista
të të pagjeturve,
- Industria e lënë pas dore, kur dihet se Kosova është vendi më
industrial në rejon.
- Rreziku nga humbja e territoreve, pikërisht, sepse ato territore
kanë rëndësi strategjike, dhe kanë resurse natyrore,
- Turizmi jo funksional,
- Hekurudhat e Kosovës jo funksionale,
- Infrastruktura rrugore, ku Kosovës i ka kushtuar dhjetëfish më
shtrenjtë seç kushton në vendet evropiane, e që nuk përmbushë ende nevojat
e qytetarëve, posaçërisht nëpër qytete të mëdha të Kosovës.
- Energjetika jofunksionale, me rrjete të shkatërruara dhe me
reduktime të energjisë elektrike,
- Ambientet e shkatërruara ekologjike, si pasojë e kësaj përhapen
sëmundje të rënda,
- Lumenj të ndotur,
- Pyje të prera, të djegura, të degraduara

Por, ajo që ju duhet menduar shumë t’ia vini gishtin kokës, të mendoni dhe
të shqetësoheni shumë, është mërgata apo diaspora.
Asaj ju kanë mbyllur dyert dhe gati se edhe janë shumë të anashkaluar edhe
pse e dini se kjo mërgatë siguron të hyrat kryesore në Kosovë.

Pse:

-Pjesëtarë të mërgatës mendohet të jenë më se gjysma e popullatës që
jetojnë brenda edhe po aq janë jashtë, si në kontinentet e Evropës,
Amerikës, Azisë dhe Australisë.
Ata mundohen që ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën, por ndihmë nga
atdheu nuk ka.
Përveç që nuk ka ndihmë, i mbyllen edhe dyert investimeve dhe interesimit
për investime në atdhe, me kërkim mitoje apo provizione të ligjshme siç i
quajnë ata, po ashtu duke dhe bërë injorime të ndryshme.
Injorohemi edhe atëherë kur ne pjesëtarët e mërgatës kërkojmë vendet e
rezervuara në Parlamentin e Kosovës, ndërsa shumë parti kanë hapur edhe
degët e tyre në mërgim ku pa fije turpi, bëjnë edhe fushata elektorale,
duke kërkuar votën nga mërgata.
E si ta japin mërgimtarët votën, pasi që janë të përjashtuar nga zgjedhjet,
të zgjedhin dhe të zgjidhen?

Prandaj qytetarë të nderuar të Kosovës, këtë herë ua jepni votën atyre që:

Tregojnë rezultate në ngritjen e ekonomisë dhe në mirëqenien e qytetarit,
Atyre që i japin shpresë dhe perspektivë qytetarit,
Atyre që luftojnë krimin e organizuar apo edhe krimin individual, që dëmton
shtetin, që luftojnë korrupcionin, që ruajnë sovranitetin territorial të
Kosovës,

Por në radhë të parë i mbrojnë interesat e qytetarëve, pa dallim a janë
rezidentë apo jo.
Votojini ata që kanë projekte kombëtare dhe angazhohen për bashkëpunim të
ndërsjellë me shqiptarët e të gjitha trevave.
Votoni ata që hapin rrugë investimeve, pjesëtarëve të diasporës, apo edhe
të tjerëve.
Voto ata që angazhohen dhe mundësojnë vendet e rezervuara në Parlamentin e
Kosovës pjesëtarëve të mërgatës dhe të diasporës.
Votojini ata që angazhohen për heqjen e vizave, qytetarëve të Kosovës.

Votojini pra ata që janë më të mirët, sepse kështu fiton vetëm Kosova dhe
shqiptarët.Votoni ata që me zemër, ju japin, shpresë për një fillim të ri!

 

Skenderbeg Klaiqi,

Kryetar i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar