35 vite nga krismat e parat ë kolosit të Lëvizjes kombëtare Rafi Halili

agimi 1

Shkruan: Agim Sylejmani

 

rafi halili

Rafi Halili

 

Sot e 35 vite më parë, në Tetovë u rrethua nga forca të shumta policore njëra nga figurat më të rëndësishme të organizimit klandestin të luftës për çlirim e bashkim kombëtar Rafi Halili, themeluesi i organizatës së parë politiko-ushtarake të shqiptarëve nën ish Jugosllavinë.

Ishte pra nata në mes 6 dhe 7 qershorit 1982 kur u rrethua familja e Rafi Halilit. Në këtë kohë Rafiu ishte hedhur në ilegalitet të thellë dhe vepronte me shokët e tij në gjithë hapësirën shqiptare nën Maqedoni. Por këtë natë kishte shkuar fshehurazi për të takuar familjen e tij dhe për të parë a kishin ardhur armët nga shokët e Kosovës për armatosjen e grupeve guerile. Lëvizja e tij nuk kishte mbetur pa u hetuar, meqë ishte i survejuar gjithandej përmes lidhjeve operative të UDB-së, e cila kishte ngarkuar një numër të paimagjinuar të spiunëve për të vëzhguar lëvizjet eventuale të Rafiut.

Forca të shumta të njësive speciale policore dhe të armatosura deri në dhëmbë ishin angazhuar në rrethimin e shtëpisë së Rafiut, të drejtuara nga kryeudbashi me damkë shqipfolës, Bexhet Bexheti dhe Shenasi Mehmeti. Njësisë speciale të policisë i kishin ardhur edhe përforcime me policë të sektorit të punëve të brendshme të cilat drejtoheshin nga Bedri Sinani dhe Hisen Musliu.

Në raportin zyrtar thuhet se në aksion morën pjesë 42 pjesëtarë të njësisë speciale të policisë si dhe policë të sektorit të punëve të brendshme të cilët vepronin sipas një plani operativ të pregatitur paraprakisht, në bazë të të cilit duhej të veprohej që të mbahej situata nën kontroll, meqë “… Rafi Halili është person me rrezikshmëri të lartë. Ai është i armatosur dhe mund të na dëmtojë, por edhe të arratiset…”

Aksioni filloi sipas planit të pregatitur paraprakisht dhe rreth orës 22:00 jepet urdhër për zënien e pozicioneve duke përfunduar me rrethimin e plotë jo vetëm të shtëpisë së Rafiut, por edhe të gjithë lagjes.

Por syrit vigjilent të Rafiut nuk i shpëtuan lëvizjet e maskuara nëpër errësirë në oborrin e shtëpisë. Rafiu kishte thënë shpesh që, “Kur armiku të prek në nder dhe të cenon pragun e shtëpisë, ai don plumb e jo pambuk!” Prandaj, me të hetuar se ishte rrethuar nga policia, merr armët dhe zë pozicion luftimi dhe përballjeje me ata që kishin ardhur të shkelnin pragun e shtëpisë.

Përnjëherësh i gjithë trualli i shtëpisë përreth u ndriçua nga reflektorët e fuqishëm dhe filluan të shtënat në drejtim të dritareve, të cilave Rafiu iu përgjigj me rafale armësh. Që në rafalet e para të armës së Rafiut u goditën tre policë, të cilët u plagosën rëndë. Pas kësaj policia shtiu nga të gjitha drejtimet me rafale edhe në dhomën e gjumit të Rafiut, ku ai kishte zënë pozicion luftimi. Gjatë shkëmbimit të zjarrit komandanti i njësisë speciale të policisë arrinë të godas me rafal Rafiun, duke e plagosur rëndë. Ashtu të alivanosur policët e tërhoqën zvarr trupin e pa ndjenja të Rafiut deri në xhipin e policisë, të lidhur duar dhe këmbë me pranga. Fillimisht e menduan të vdekur, por kur vërejtën shenja jete e dërguan në spitalin e Tetovës, prej nga e dërguan në spitalin ushtarak të Shkupit.

Në këtë luftim të thuash dhëmb për dhëmb, ngelën të plagosur edhe babai i Rafiut, Azil Halili, të cilin e arrestuan së bashku me gruan e tij të plagosur Shukrijen dhe vajzën e tij Hiremen poashtu të plagosur.

Më 18 nëntor 1982 filloi gjyqi ndaj grupit të Rafi Halilit, Organizatës Politike Kombëtare “Kushtrimi i lirisë” dhe pas tre ditësh gjyqi shpalli dënimiet e rënda, duke e dënuar Rafi Halilin me 20 vite burg të rëndë.

Kjo ngjarje më kthen mbrapa në kohë, pikërisht në burgun e qarkut në Mostar, ku unë mbaja dënimin me burg së bashku me heroin e kombit Rexhep Malaj, veprimtarin e shquar të Lëvizjes Kombëtare Skender Kastrati dhe Behxhet Shalën. Ishte diku nga fundi i qershorit 1982, kur Rexhep Malajt i erdhi ne vizitë Hanifja, bashkëshortja dhe bashkëveprimtarja e tij besnike. Ishte kjo vizita kur ajo i solli Rexhepit një tranzistor të kamufluar mirë në bakllava. Gjatë kësaj vizite ajo e njofton se shoku i Rexhepit, Rafi Halili ishte vrarë nga policia gjatë një rrethimi të hekurt, ku ai kishte luftuar derisa kishte rënë dëshmor.

“Shokë, po ju njoftoj një lajm të rëndë. – filloi të tregonte Rexhepi sapo u kthye nga vizita. – Hanifja më tregoi se në Tetovë gjatë një luftimi me policinë është vrarë Skifteri (Rafiu), njëri nga shokët tanë më të rëndësishëm të organizimit në Maqedoni.” – Hoqi shpejt orën nga dora për të shfrytëzuar rastin sa ishim vetë dhe si celulë me qëndrim gatitu e me grushtin lart i bënë nderimin shokut, të cilin e mendonim të vrarë.

Nuk kaloi shumë dhe morëm lajmin e radhës, se Rafiu nuk ishte vrarë, por ishte i plagosur rëndë. Që të tre, e sidomos Rexhepi, përjetuam një gëzim të madh të papërshkrueshëm. Rexhepi na kishte folur në ndërkohë aq shumë për të dhe neve na dukej se njiheshim kaherë me të.

Shumë vite më vonë do ta takoja për herë të parë Rafiun, këtë kolos të papërkulur të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, duke e ndjerë nga afër zërin e tij, püër të cilën zë na kishte folur aq shumë Rexhep Malaj në burgun e Mostarit. Jam përqafuar me të siç përqafohen shokët e idealit që nuk janë parë shumë kohë dhe ky takim do më ngelet i pashlyer në kujtesën time.