Na la Ganimeti!

id picture

Nga Qazim Doda, New York

Një njeri i mirë, një shok besnik e përkrahës i madh, një prind i mirë, vëlla i mirë e gjithëçka i mirë Ganimet Klaiqi shkoi për të mos u kthyer më.

Klaiqët njihen si një familje me virtyte të pamohueshme patriotike.

Kjo familje ka qenë bazë e veprimtarisë anti-serbe në Kosovë.

ganimet klaiqi

Ganimeti që në rini ishte angazhuar në veprimtari patriotike.  Pas mbarimit të shkollës së mesme në Dardanë, ai u regjistrua në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë e letërsi pranë Univerzitetit të Prishtinës (tash Hasan Prishtina). Ishte shumë i lidhur me familjen dhe shokët, gjatë fundjavës kthehej dhe rrinte pranë familjes e shoqërisë.

Shtëpia e familjes së Ganimet Klaiqit u bë qendra e kulturës dhe organizimeve të ndryshme për neve në atë rrethinë. Kjo familje kishte dhënë prova historikisht, e sidomos gjatë viteve 80’ kur vëllau i tij më i madh-Ismeti ishte arratisur në Gjermani dhe kishte vazhduar veprimtarinë e tij anti-jugosllave.

UDB-ja e kishte pengesë të madhe këtë familje sepse këta të gjithë ishin të njëjtë, kur ishte në pyetje veprimtaria kundër pushtuesit këta ishin të parët.

Gjithëmonë i buzëqeshur dëgjonte mysafirët, kur ishte nevoja jepte ndonjë këshillë dhe na tregonte se sa mirë po ndjehej që një gjeneratë më e re se ai po bëhej aq aktive.

Vëllezërit  e tij Xhevati dhe Feridi si dhe motra Mirvete ishin jo vetëm shokët, por edhe familja e jonë.

Dikurë shpërndaheshin traktet anti-jugosllave nga LPK-ja dhe me pamundësinë që ta gjenin autorin ata të UDB-së shkonin dhe e malltretonin këtë familje. Më vjen keq që kurrë nuk u përmend vuajtja dhe sakrifica e kësaj familje.

Ganimeti merrej përpos me veprimtarinë kundër pushtuesit, ai merrej edhe me kulturë. Ishte Proza dramatike “Kosovë në udhën e lirisë” që u shfaq në shumë rrethe dhe pati sukses në këndelljen e popullatës se armiku e ka vdekjen e sigurtë.

Pasi u shpërngula  në Amerikë, vazhdoja të mbaj akoma kontakte të rregullta me Ganimetin përmes postës elektronike. Shumë lëndë të gazetarisë i kam marrë pasi jam konsultuar me të. Ai e donte gazetarinë dhe kishte një mendim se profesionalizmi duhet të jetë kriteri i padiskutueshëm në gazetari.

Tash që Ganimeti na la të vetmuar pa një shok, bashkëpunëtor, vëlla, prind e shok të mirë, ne në shenjë respekti për të duhet që të vazhdojmë me idenë e tij se shqiptari duhet të jetë tolerant ndaj shqiptarit dhe kultura është frymëmarrja e njeriut të cilët duhet ta mirëmbajmë.

Lajmi i kobshëm që më erdhi nga Skenderbegu pikërisht në minutat kur ai kishte marrë konfirmimin se Ganimeti ka ndërruar jetë më trishtoi. Me një fjali: Ganimeti na la! E kuptova se ndërmjet meje dhe të gjithëve që e donin Ganimetin mbetet vetëm kujtimi i mirë për të dhe krenaria e përhershme që e njohëm për së afërmi.

Pusho i qetë Ganimet Klaiqi atje ku nuk duhej të shkoje kaq heret! Ne mbetëm pa prezencën tënde fizike por me kutime gjihëmonë pranë teje i dashuri shok, profesor, vëlla e gjithëçka që ishe pë ne.