Milaim Zeka akuzon rëndë Adelina Ismailin: Kërkove mbrojtje nga Millosheviqi

Milaim Zeka akuzon rëndë Adelina Ismailin: Kërkove mbrojtje nga Millosheviqi

Ka mjaftuar vetëm një status në Facebook që të ndizet një debat në mes të gazetarit Milaim Zeka dhe këngëtares Adelina Ismaili.

Përplasja mes tyre filloi kur Zeka duke cituar Astrit Haraqinë se LDK e kishte bërë ushtrinë, e duke ironizuar me këtë fakt tha se “kryekomandante e kësaj ushtrie të LDK-së ka qenë Adelina Ismaili”.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i këngëtares Ismaili ndaj Milaim Zekës, e cila e quan gjeneral të Facebook-ut gazetarin. Madje e ka quajtur atë edhe frikacak, i cili sipas saj, në kohën e luftës ai do të përfundonte nën fustanin e saj se sa ta mbronin atë nga policia serbe.

Por akuza të mëdha në drejtim të Ismailit ka drejtuar sot gazetari Zeka, i cili në një prononcim për Express tha se ajo kishte kërkuar mbrojtje nga Millosheviqi për ta mbrojtur atë nga njerëzit e Arkanit.

“Unë për veten time pavarësish se çka ka fol Adelina e ruaj konsideratën dhe miqësinë. Dëshiroj që t’i përgjigjem asaj në dy gjëra që na kishte mbajtë nën fustan mu e Berat Buzhalën, e sa i përket fustanit na i ishim hy vetë dhe nuk kishim prit ajo me na majt, ndërsa sa i përket tjetrës ku ka thënë që me m’pasë mbrojtë kur ka këndu ajo që gjoja na jena kon frikacak  dhe nuk e kemi mbrojtë, dua t’ia kujtoj asaj se e kam mbrojtë në një rast Adelinën gjatë luftës, ajo e din një rast kur e ka pas jetën në rrezik e kam mbrojtur dhe e dyta sa i përket mbrojtjes nga policia serbe Adelina e din që kur ka qenë në Beograd, pse e ka qu në Beograd Sali Banana atë dhe nënën e vetë, dmth ajo ka kërku mbrojtje në Beograd direkt prej shefit të shërbimit sekret të Millosheviqit, kështu që unë edhe Berati s’kemi pas pse më mbrojtë sepse ajo ka pas mbrojtje direkte prej Stanishiqit”, tha Zeka të martën për Express.

Pra, siç bën të ditur Zeka, një shqiptar, biznesmen i Kosovës më emrin Sali Banana e ka dërguar Adelinën dhe nënën e saj në Beograd, direkt te shefi i shërbimit sekret të Millosheviqit për të kërkuar ndihmë edhe për ta mbrojtur atë prej njerëzve të Arkanit.

“Kështu që unë edhe Berati kemi qenë shumë të vegjël për ta mbrojtur atë prej serbëve kur ajo ka pasur mbrojtje më të madhe dhe të fuqishme.

Unë deklaratën për ushtrinë të Astrit Haraqisë e kam kthyer si në shaka sepse LDK kurrë në jetë nuk ka bërë ushtri e as nuk ka pasur ushtri e nuk kish bo ushtri edhe 2 mijë vjet”, ka përfunduar ai. /Express/