Si i rekrutonte UDB-ja intelektualët shqiptarë në vitet ’50: Rasti i Martin Camajt dhe Hasan Kaleshit

Ekskluzive: Dokumentet sekrete të dosjeve të CIA-s për Martin Camajn dhe Hasan Kaleshin. A ishin rekrutuar ata nga UDB-a jugosllave?

Nën lupën e CIA-s

Në vitet 50-të kur sipërfaqësisht dukej se po vendosej një lloj detanti i ftohtë  në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, UDB nuk kishte hequr dorë nga përpjekja për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Sigurimi jugosllav po bënte çmos që të fitonte mendjet dhe zemrat e disa mijëra refugjatëve shqiptarë që kishin gjetur strehim në Jugosllavi. Por këto veprime subversive të autoriteteve jugosllave do të pikaseshin me kohë nga agjentët e CIA-s, të cilët përpilonin raporte minucioze dhe ua nisnin në kohë reale qendrave të tyre. Këto dokumente, nga 13 milionë sosh që sapo janë shpluhurosur nga grilat e konfidencialitetit, japin një perspektivë tjetër të ngjarjeve që u vargëzuan gjatë viteve 50-të. Prej tyre krijohet edhe një lloj prospografie e emrave më të spikatur të refugjatëve shqiptarë që gjetën strehë në Jugosllavi. Në mesin e refugjatëve që shpejt do të ketë përkujdesin e autoriteteve jugosllave do të jetë edhe një riosh i hajthëm që ende nuk kishte mbushur të njëzetat. Ai ishte Martin Camaj, ylli i të cilit do të shkëlqente në gjithnajën e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Në rrethana më të ndryshme, në pezhishkën e UDB-së do të përfundonte edhe orientalisti i vetëm shqiptar në Jugosllavi, Hasan Kaleshi. Portali Konica.al sjell një rrëfim ndryshe për të pathënat e viteve 50-të në Shqipëri dhe Kosovë.

 Një detant i vështirë

Prishja e marrëdhënieve mes Titos dhe Cominform-it me 1948 do të zinxhironte edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Një dokument konfidencial i inteligjencës amerikane i përpiluar me 3 janar 1955, jep një vlerësim gjakftohtë të gjendjes mes dy shteteve shemra. Qysh në krye të herës, ky raport pohon se nga të gjitha shtetet satelite (të Moskës), Shqipëria ishte më arrogantja në qëndrimin e saj kundrejt Jugosllavisë.

Pavarësisht kësaj, agjentët e CIA-s shquajnë edhe veprime të caktuara në drejtim të shtendosjes së marrëdhënive, si fjala vjen, ftesa e Qeverisë shqiptare drejtuar Beogradit për të biseduar në lidhje me çështjen e kufirit. Në këto bisedime të dyanshme, gjithnjë sipas këtij raporti, ishte përfshirë edhe Dushan Mugosha. Me emërimin e ambasadorit shqiptar në Beograd, nisën të frynin erërat e disa ndryshimeve: të dy vendet do të rivendosin lidhjet postale dhe telefonike. Edhe Mehmet Shehu do t’i kthente një përgjigjje të mirësjellshme protestës jugosllave për çështjen e vrasjes së një ushtari jugosllav në kufi, duke ofruar dëmshpërblimin përkatës. Operativët e CIA-s, përpilues të këtij raporti, nuk anashnxjerrin as çështjen e shqiptarëve në Kosovë:

«Tetëdhjetë përqind e shqiptarëve në Kosmet (akronim për Kosova dhe Metohia – shën. i red) nuk e duan regjimin jugosllav. Ata nuk janë komunistë të Cominform-it. Ata jetojnë me shpresën e ribashkimit me Shqipërinë. Propaganda perëndimore në gjuhën shqipe dëgjohet nga refugjatët. Nëse shëtisni gjithandej Kosmetit, do të dëgjoni këtë qëndrim të përgjithshëm të shqiptarëve: ‘Ah këta serbë; ata kurrë nuk na kanë dashur dhe kurrë nuk do të na duan. Ata duan të na i nxjerrin sytë’. Enver Hoxha pas 1948-ës e kërkoi Kosmetin si interes vital të Shqipërisë».

Lufta speciale: nga pamfletët deri te përmbysja e pushtetit të Enverit

Skenarët jugosllavë rreth Shqipërisë po luanin me të gjitha zaret e mundshme. Kështu nga një raport i datës 24 shtator 1952 mësojmë se njëri nga zyrtarët më të përfshirë në politikën ndaj Shqipërisë, kolonel Çedo Mijoviq kishte pohuar se ka autorizimin që të deklarojë se politika jugosllave në lidhje me Shqipërinë mbështetej në ruajtjen e status quo të kufijve nacionalë në Ballkan: sipas tij çdokush që do të provonte të cënonte integritetin territorial të pavarësisë politike të ndonjë shteti ballkanik do të provokonte kundër-masat ushtarake jugosllave.

Mijoviç, kishte vijuar se pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj territorial do të mbrohej nga Jugosllavia. Megjithë qëndrimin jugosllav në dukje i përkorë, jugosllavët ndërkohë po shestonin planin e rrëgjimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Siç shihet nga një raport tjetër konfidencial, që është përpiluar me 3 prill 1950, burimet e CIA-s njoftonin për propagandën që zhvillonte Jugosllavia në veri të Shqipërisë.

Sipas këtij raporti, propaganda në këto afishe përqëndrohej kryesisht në disa pika: «Kosova dhe mirëqenia e saj», «Lavdia e Koçi Xoxes, i tradhtuar nga Hoxha», «Uria e popullatës shqiprare». Në këto skema të natyrës diversive, jugosllavët llogarisnin kryesisht në refugjatët shqiptarë të strehuar në Jugosllavi, numri i të cilëve sipas një raporti tjetër që mban  datën 28 mars 1953, vlerësohej të ishte afërsisht 6 mijë frymë.

Agjentët e CIA i kishin rënë në erë edhe njerzve kryesorë të Sigurimit jugosllav të përfshirë në luftën speciale kundër Shqipërisë. Çedo Mijoviqi, Kapllan dhe Vlado Popoviqi konsideroheshin si rekrutuesit kryesorë të shqiptarëve në UDB. Sipas raportit konfidencial të 3 janarit 1955, eminenca gri e të gjitha këtyre veprimeve ishte gjeneral Dushan Mugosha.

Sipas raportit «ai sigurisht dëshiron përmbysjen e regjimit të tanishëm në Tiranë dhe zëvendësimin e tij e një regjim tjetër, të ndikuar nga jugosllavët». Burimet e CIA duken të jenë në dijeni  të politikës jugosllave ndaj Shqipërisë, madje gjer në nuancat më të holla. Fjala vjen, një raport sekret i përpiluar me 15 shkurt të vitit 1953, vëren se «politika tradicionale jugosllave ndaj Shqipërisë nuk ka ndryshuar». Inteligjenca amerikane ishte e bindur që jugosllavët po kërkonin kullufitjen e Shqipërisë dhe bërjen e saj si pjesë integrale të Shqipërisë. Po ende ky raport nënvizon sesi Tito ishte bërë pishman për hapjen e shkollave shqipe në Jugosllavi dhe kishte filluar kthimin e tyre në shkolla turke.

Shkresa në vijim përmbyllet me vëzhgimin se «UDB (shërbimi inteligjent jugosllav) organizon misione të përditshme propagandistike në Shqipëri». Përfundime të ngjashme janë bërë edhe në raporte të tjera që përcjellin zhvillimet dypalëshe. Kështu, raporti konfidencal i përpiluar me 15 gusht të vitit 1952, thekson se qëllimi kryesor i Qeverisë jugosllave ishte përmbysja e qeverisë së Enver Hoxhës. Për këtë qëllim, shtypi jugosllav afishonte vazhdimisht njoftime se Partia Komuniste Jugosllave ishte e vetmja që çliroi Shqipërinë dhe se marshall Tito e donte popullin e Shqipërisë dhe donte ta shihte të lirë sa më shpejtë që ishte e mundur.

Komiteti i Prizrenit

Agjentët e CIA, në vijimësi, kishin raportuar edhe për Komitetin e Prizrenit, i përbërë nga refugjatët politikë, dhe lidhjen e tij të afërt me strukturat e UDB-së. Në një nga këto raporte thuhet shprehimisht se jugosllavët po e përdornin këtë komitet për trupëzimin e Shqipërisë në Jugosllavi («Yugoslavia’s true intentions, however, is to use the Prizren Committee for the integration of Albania into the Yugoslav republics»).

Sikundër zbulojnë raportet e inteligjencës amerikane, emrat më të spikatur të Komitetit të Prizrenit (që më vonë do të shndërrohet në Lidhjen e Refugjatëve politikë shqiptarë) ishin: Apostol Tenefi, Hajrullah Ishmi, Nikolla Sokoli dhe Lutfi Spahiu. Disa prej tyre si Apostol Tenefi, Lutfi Spahiu, Hajrullah Ishmi, Nikolla Sokoli kishin qenë të pranishëm në një mbledhje të mbajtur në Shkup me 26 shtator 1952, nën kryesimin e Dushan Mugoshës dhe Çedo Mijoviçit.

Në të këtë mbledhje, për të cilën CIA kishte informacione të sakta, Mugosha kishte thënë se Qeveria jugosllave do të përpiqej të merrte pëlqimin e amerikanëve dhe britanikëve, për të krijuar një qeveri të përkohshme shqiptare dhe të përfshinte refugjatët shqiptarë në të me qëllimin për të përfshirë republikën e re shqiptare brenda Jugosllavisë. Sipas ish të dërguarit të vjetër të Partisë Komuniste Jugosllave në Shqipëri, qeveria e re në Tiranë do të mbahej nga shqiptarë të besuar prej Beogradit.

Nuk duhet lënë pa përmendur se njëri nga raportet e inteligjencës amerikane, qysh në vitin 1955, vërente se roli i Komitetit të Prizrenit ishte politik meqë  «ata nuk kanë kurrë pavarësie vendimi apo veprimi dhe janë një front i veprimeve jugosllave».

Rekrutimi i Martin Camajt 

Një nga hapat e parë të jugosllavëve për të fituar zemrat dhe mendjet e refugjatëve shqiptarë ka qenë sigurimi i të ardhurave për disa nga elementët më me ndikim. Derisa Komiteti i Prizrenit tashmë ishte nën kontrollin e plotë të UDB-së, nga viti 1951 Qeveria jugosllave nisi të jepte paga mujore për refugjatët shqiptarë, të cilat varionin prej 3 mijë deri në 6 mijë dinarë.

Këto të ardhura, sipas njërit prej raporteve të CIA-s, vareshin nga nevojat individuale të emigrantëve, ku drejtuesit e Komitetit (bëhet fjalë Apostol Tenefin, Nik Sokolin, Rexhep Becën, Lutfi Spahiun, Stathi Kostarin dhe Jovan Memën) pranonin pagesa më të larta. Anëtarët e këtij organizimi udhëtonin gjithandej ku ndodheshin emigrantët shqiptarë.

Shpenzimet e tyre hiqeshin nga UDB-ja. Përveç kësaj, shteti jugosllav po u krijonte lehtësira edhe të rinjve shqiptarë, sidomos atyre që llogariteshin se kishin predispozita anti-Cominformiste. Këta studentë të cilët ishin vendosur në «Studenski Dom» (Dhoma e Studentëve) merrnin 1500 dinarë në muaj.

Sipas një raporti të hartuar me 21 shtator 1950, në mesin e studentëve që merrnin bursë ishin: Danish Daca, Enver Metani, Çesk Dajçi, Halil Topalli dhe Martin Camaj. Emri i këtij të fundit apostrofohet edhe në raportin e 3 janarit të vitit 1955, ku konsiderohet si «new member» i Komitetit të Prizrenit, i angazhuar si punëtor i Radio Beogradit.

Aktiviteti i dyshimtë i Hasan Kaleshit 

Një tjetër histori intriguese e rekrutimit të intelektualëve shqiptarë është edhe rasti i orientalistit shqiptar me prejardhje nga Kërçova e Maqedonisë, Hasan Kaleshi (1922-1976). Ndonëse historia e tij nuk tangenton në asnjë mënyrë me Komitetin e Prizrenit dhe as me refugjatët shqiptarë, emri i tij çuditërisht figuron në një nga raportet konfidenciale të CIA-s.

Dështimi i përpjekeve të CIA-s e MI6 britanik për të desantuar elementët anti-komunistë në Shqipëri, historitë fascionuese me Kim Philby e deri te dekonspirimi i planeve subversive nga Moska deri te Sigurimi i Shtetit, duket se janë vetëm njëra anë e medaljes. Ekzistenca e një vistër raportesh konfidenciale të CIA-s flet që inteligjenca amerikane nuk ishte tërhequr krejtësisht nga rravgimi i saj për të bërë një përmbysje në Shqipëri.

Dy dokumente të tilla që lidhen me njëra-tjetrën flasin në të mirë të faktit që inteligjenca amerikane po përçapej sërishmi që të ndikonte mbi emigrantët shqiptarë, kryesisht ata që ndodheshin në Itali. Të koduara si projektet «Obdurate» dhe «Oblong», në raporte bëhet kujdes që të mos jepet identiteti i informatorëve në terren dhe kjo rrethanë flet për natyrën tejet serioze të përpjekjes në fjalë.

Nga një raport intern për nevojat operative të CIA-s e që mban datën 21 shtator 1956, merret vesh se projekti «Obdurate» do të shkrihej në projektin «Oblong» si rezultat i vendimit që të bashkoheshin në një projekt të vetëm të gjitha asetet shqiptare në Itali të kontrolluara nga CIA. Nga ky dokument jepet të kuptohet se në këto operacione ishin të përfshirë edhe pjesëtarë të inteligjencës italiane si dhe informatorë në Shqipëri.

Një raport konfidencial i CIA-s, që mban datën 20 dhjetor 1954, jep dromca interesante edhe nga aktiviteti i inteligjencës amerikane në diasporën shqiptare në Turqi. Duket se ky raport është i përcaktuar më tepër për nevoja të brendshme të shërbimeve amerikane sesa për raportim ndaj qendrës. Në këtë dokument, vëmendja e operativëve të CIA-s tërhiqet nga Hasan Kaleshi, i cili në vitin 1954 ishte dërguar në Stamboll si i angazhuar nga Qeveria jugosllave për një hulumtim të paspecifikuar.

Kaleshi asokohe shërbente si profesor në Departamentin e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Beogradit dhe në të njëjtën kohë ishte edhe anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave.

Ky dokument bën me dije se një agjent i CIA-s (emri i të cilit nuk jepet madje as me iniciale), që kishte pasur edhe kontakte të mëparshme, me 23 shtator kishte pasur në Stamboll një takim dy-orësh me Kaleshin. Tutje, raporti thekson me një lloj emfaze dyshimin se Kaleshi ishte i përfshirë në aktivitete inteligjente për UDB-në në Turqi, prandaj ai duhej të futej në listë dhe duhej të shikoheshin të gjitha lidhjet në zyra për të, nëse një gjë e tillë nuk ishte bërë ende.

Po ashtu, në këtë raport intern kërkohet nga filan agjenti (i cili nuk përmendet as me iniciale) që të qëmtojë çdo informacion të mundshëm për Kaleshin (të dhënat biografike) si dhe veprimtarinë dhe kontaktet e tij në Turqi. Më tutje, raporti nënvizon se pavarësisht që Kaleshi u kthye përsëri në Jugosllavi, hetimi i prapavijës së tij duhet të bëhej me qëllim të mbrojtjes së operacioneve të CIA-s (lë të kuptohet në Stamboll). Dyshimi për Kaleshin përsëdytet edhe në një paragraf tjetër të këtij raporti.

Agjenti që kishte realizuar takimin me të me 23 shtator kishte kërkuar të dinte prej tij nëse mbante kontakte me Qazim Gojanin, një tjetër agjent i UDB-së në Stamboll, gjë që po i mbante të hapura dyshimet se rrethi me të cilën shoqërohej ai ishte disi i dyshimtë.

 

Marrë nga Konica.al