SHERADIN BERISHA: OPERATIVA E SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” MAJ – QERSHOR 1999 (BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN AGIM SYLEJMANI)

 (Pjesa I)

Pashtriku.org, 5 mars 2017: “Në ditët e para të majit, sipas shënimeve të mia, ishte data 2 maj 1999, nga Kosova erdhën kolonel Bislim Zyrapi me disa ushtarakë të tjerë, Rifat Sylejmani, Nexhmedin Kastrati, Fadil Zejnullahu, Enver Rrustemi, etj.,të dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për të marrë drejtimin e veprimeve luftarake të Operacionit “Shigjeta”. Bislim Zyrapi erdhi në Helshan, dhe pas konsultave paraprake, zgjodhi për Operativën e Komandës së Operacioneve “Shigjeta”, kolonelët Spiro Butka e Arqile Mandro, Agim Sylejmanin dhe Shaban Musliun. Më 5 maj 1999 u krijua përfundimisht Operativa e Komandës së Operacioneve në përbërje të: Bislim Zyrapit, shef i Operativës, kolonel Spiro Butka, Arqile Mandro, Shaban Musliu, Agim Sylejmani, Agron Haradinaj dhe Gramoz Kelmendi.” – kështu deklaron veprimtari Agim Sylejmani në një bashkëbisedim me editorin e pashtrikut Sheradin Berisha.

***

Pashtriku: Kush është Agim Sylejmani?

Agim Sylejmani: Me origjinë jam nga fshati Përlepnicë e Gjilanit, por jam i lindur në fshatin Zhegër, atje ku babai im punonte si mësues i fshatit. Isha fëmi i moshës parashkollore kur jemi shpërngulur familjarisht në Prishtinë. Mësimet e para në shkollën fillore i mora nga mësuesja Nemide Berisha. Pas shkollës fillore kam ndjekur mësimet në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë, (sot “Sami Frashëri”). Por nuk arrita të diplomoj, sepse në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit të katërt më morën në pyetje UDB-a e Prishtinës. “Përpunues” i lëndës time ishte Xhevdet Shushka, i familjes së njohur Shushka, nga e cila dolën shumë pinjollë që i shërbyen me besnikëri regjimit pushtues serbosllav. Për të përfunduar gjimnazin dhe për të diplomuar u detyrova të kaloj në gjysmëvjetorin e dytë të vitit të katërt në gjimnazin “9 Maji” në Kamenicë, (sot Dardanë). Aty diplomova në gusht të vitit 1975. Nga Kamenica pos diplomës së gjimnazit mora me vete edhe shoqen time të jetës e të veprimtarisë, Zymrijen, me të cilën jemi të martuar qe 40 vite.

 

Me Zymrijen pas martesës, 1977.

 

Pas gjimnazit kam ndjekur studimet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, por edhe studimet në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Pa mbaruar vitin e dytë të studimeve, më 14 janar 1979 jam arrestuar si anëtar i OMLK-së, së bashku me shumë shokë nga vise të ndryshme shqiptare dhe jam dënuar me pesë vite burg, më 5 dhe 6 korrik 1979. Burgun e kam mbajtur në Prishtinë, Prizren, një gjysmëdite në Gjilan, pastaj në Zenicë, Foçë, Tuzëll, sërish Foçë dhe përfundimisht në Mostar, prej ku jam liruar më 14 janar 1984.

 

 

Nga Burgu i Qarkut në Mostar, me Skënder Kastratin, korrik 1983.

Në burg kisha fatin të takoja dhe të ndajmë të mirat dhe të këqijat e burgut me figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare, si më Rexhep Malaj, hero i kombit, Skender Kastrati, por edhe me Behxhet Shalën.

Pas mbajtjes së dënimit kam vazhduar veprimtarinë me një intenzitet akoma më të shtuar se më parë. Isha i motivuar, si të thuash, pas vrasjes së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës (më 12 janar 1984), vetëm dy ditë para se të dilja nga burgu. Pas gati dy vitesh veprimtarie, u detyrova të dal në ilegalitet të thellë, prej nga pastaj dola në Zvicër së bashku me Zymrijen, në fund të dhjetorit 1985.

Në Zvicër kam vepruar në kuadër të Lëvizjes me “adresë”, siç e quanim në atë kohë. Kam punuar në redaksinë e “Zërit të Kosovës”. Pas një kohe kam braktisur redaksinë, për shkak të kundërthënieve dhe pikëpamjeve politike dhe ideologjike, dhe sidomos pas fillimit të përdorimit të flamurit jugosllav në demonstratat që organizonte kjo lëvizje. Më 1989, me insistimin e disa shokëve të celulave, u riktheva sërish në redaksi, në të cilën vlonte familjarizmi dhe sektarizmi. Unë mendoja se do të mund të ndikojë që të lirohen nga kjo sëmurje e pashmangshme sektare, por ishte e kotë…

AKTIVITETI NË FONDIN ‘VENDLINDJA THËRRET’

Pashtriku: Organizimi i mërgatës sonë në dy lëvizje (në lëvizjen me adresë dhe atë pa adresë) dhe dalja e dy “Zërave të Kosovës” në të njejtën kohë janë një histori e veçantë, prandaj nuk do të thellohemi në këtë drejtim. Në fillim të viteve ’90-të lindja e pluralizmit politik në Kosovë dhe gjetiu krijoi shumë parti, të mëdha e të vogla, dhe në këtë kohë, Lëvizja me “adresë” shpërbëhet, ndërsa ajo pa “adresë” vazhdon aktivitetin e saj, e cila më vonë formon Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës dhe Fondin “Vendlindja Thërret”.  Ky ndryshim ju gjeti në Zvicër! Në këtë periudhë cilat ishin aktivitetet tuaja konkrete?

Agim Sylejmani: Me themelimin e Fondit “Vendlindja thërret” u kyça në rrjedhat e financimit të luftës përmes këtij fondi. Këshilli i parë Rajonal i Fondit “Vendlindja thërret” është formuar në Luzern, të cilin e drejtova deri në mars 1999, kur edhe vendosa të kyçem drejtpërdrejt në radhët e uniformuara të UÇK-së.

 

 

Kartela e Fondit “Vendlindja thërret” dhe fillimi i punës së komisionit të parë për mbledhjen e mjeteve financiare për UÇK-në.

 

Ky Këshill Rajonal i Fondit është themeluar pas pesë Tubimeve Konsultative me veprimtarët në kantonin e Luzern-it, të drejtuara nga Ali Ahmeti (Abaz Xhuka). Pos veprimtarisë në kuadër të Fondit merresha edhe me logjistikën … Ky këshill, i filluar me tre veta, u zgjerua dhe në fillim të vitit 1999 arriti të kishte 84 aktivistë të rregullt.

 

 

Me Urs Ulrich, një mik i madh i shqiptarëve dhe luftës së madhe të UÇK-së. Foto e 14 prillit 1999, para se të nisem në radhët e UÇK-së.

Gjatë kësaj kohe, dua të përmend edhe një detaj të veprimtarisë, e cila lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e pakursyer të një miku të madh të shqiptarëve, Urs Ulrich, i cili në maj të vitit të kaluar (2016) u nda nga jeta dhe nuk gjendet më në mesin tonë. Ursi përkthente të gjitha materialet që kishin të bënin me luftën e UÇK-së, e sidomos Komunikatat e SHP të UÇK-së, dhe këto pastaj shkonte e i lexonte në Radio Lora të Zürich-ut, një radio alternative shumë e njohur dhe shumë e dëgjuar nga gjeneratat e reja. Kështu, bashkë me Ursin, që nga shkurti 1998 e deri në fund të marsit 1999, kemi qenë të rregullt në këtë Radio Alternative çdo të premte në emisionin “Info International”, e që emitohej nga ora 19:00 deri ora 20:00, në të cilin emision mbi gjysmën e kohës ua “grabitnim” lajmeve dhe materialeve duke njoftuar për gjendjen në Kosovë dhe luftimet në teren, duke lexuar “Komunikatat” e SHP të UÇK-së dhe duke lëshuar muzikë shqiptare.

 

KYҪJA NË RADHËT E UÇK-së

Pashtriku: Më 31 mars 1999 SHP i UҪK shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm. Me lartë theksuat se, “vendosa të kyçem drejtpërdrejt në radhët e uniformuara të UÇK-së”. Kur u mobilizuat për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së?

Agim Sylejmani: Pas shpalljes së Mobilizimit nga ana Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 31 mars 1999, dorëzova bllokat për mbledhjen e ndihmave për UÇK-në dhe në fillim të prillit 1999 u bëra gati të nisesha për në radhët e UÇK-së, për ku bashkë me disa vullnetarë tjerë u nisa më 15 prill 1999. Me mua ishte një grup prej shtatë vetash, Isa Cakolli, Bedri Demolli, Bekim Zulfiu, Fadil Cakolli, etj.

 

 

Më 23 prill 1999 në Has – gjatë rrugëtimit për në Krumë. (foto Halit Krasniqi)

Pashtriku: Cili ishte rrugëtimi i mëtutjeshëm në këtë mision çlirimtarë?

Agim Sylejmani: Më 16 prill arritëm në Durrës. Në pikën e grumbullimit të vullnetarëve në Durrës nuk kemi qëndruar as një orë të plotë. Vetëm sa kemi ngrënë bukë dhe një “furgon” me vullnetarët është nisur për në veri të Shqipërisë, konkretisht në stërvitoren e UÇK-së në Kalimash. Ndërsa unë vazhdova për në Tiranë me ekipin televiziv nga Gjeneva, meqë ata bënin një emision për shkuarjen e vullnetarëve në luftën e UÇK-së. Pas qëndrimit dy ditor në Tiranë, me ekipin televiziv nga Gjeneva nga televizioni zviceran në gjuhën frenge, më 19 prill 1999 shkova drejt e në stërvitoren e UÇK-së në Helshan. Me mua ishte edhe Bekim Zulfiu.

HELSHANI QENDRA KRYESORE STËRVITORE E UҪK-së

Pashtriku: Helshani ishte njëra nga qendrat kryesore të UҪK-së. Atëhere sa ushtarë gjetët në Helshan dhe kush ishin komandantët e kësaj stërvitoreje?

Agim Sylejmani: Në Stërvitoren e Helshanit, komandant ishte kolonel Maliq Doçi, ndërsa zëvendës-komandant ishte Shaban Musliu. Aty ishte edhe Idriz Mehmeti, në cilësinë e zëvendëskomandantit të Xheladin Gashi – Plakut, për stërvitoret në Helshan, Cahan dhe Vlahnë. Në fillim të prillit në këtë stërvitore kishin ardhur eprorët: Bilall Syla, komandant brigade, Iber Elezaj, Bashkim Lladrovci, Ibrahim Shaqiri, etj. Kjo stërvitore s’kishte shumë kohë që ishte ngritur nga ushtarakët e Shqipërisë dhe të UÇK-së në repartet e braktisura të Ushtrisë Shqiptare. Në këtë stërvitore pak më vonë erdhën mbi njëmijë ushtarë. E them ushtarë e jo vullnetarë, sepse tani aty ngritej një repart i mirëfillt ushtarak dhe njësitet e rregullta ushtarake me të gjitha organikat e tyre që e kërkojnë standardet e ushtrive moderne. Çuditërisht për këtë nuk flitet fare, por duhet ta them edhe njëherë, në veri të Shqipërisë nënë, territor i cili i ishte lënë gati i tëri në shfrytëzim UÇK-së, ngritej një ushtri e rregullt, me reparte e me njësi të rregullta ushtarake dhe me një zinxhir të rregullt komandues.

 

 

Kolonel Maliq Doçi duke iu folur ushtarëve në Helshan, derisa në krah tij është Xheladin Gashi-Plaku.

Pashtriku: Ato ditë prilli të vitit 1999 në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, e gjetiu në shtetet perëndimore ishin ngritur shumë qendra mobilizimi për vullnetarët e UҪK-së dhe ti ishe njëri nga ata mijëra vullnetarë. Më 19 prill 1999 bashkë me Bikim Zulfiun shkuat në Helshan, në qendrën më të madhe stërvitore të UҪK-së. A të kujtohet, pas 19 prillit, a vinin vullnetarë dhe eprorë të tjerë në Helshan?

Agim Sylejmani: Po, aty vinin vazhdimisht. Mund të them se ishte koha kur vullnetarët vërshuan repartet dhe stërvitoret e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Pjesa dërmuese e të cilëve vinin nga shtetet e ndryshme të Evropës, Amerikës, e edhe nga Australia e largët. Më së paku kishte nga të ikurit, apo refugjatët që vinin nga Kosova, të cilët do të duhej të radhiteshin përkrah vëllezërve të tyre që kishin ardhur nga mërgimi. Në Helshan erdhën pastaj edhe dy kolonelë shqiptarë, Spiro Butka dhe Arqile Mandro dhe disa kadetë të posadiplomuar të akademisë ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, si: Dritan Durmishaj, Ermir Bega, Agim Sallaku, etj.

 

 

Bilall Syla, Agim Sylejmani, Shaban Musliu dhe Bashkim Lladrovci në Helshan.

 

KRIJIMI I SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – MË 5 MAJ 1999 NË KUKËS

Pashtriku: Në gjysmën e dytë të prillit 1999, SHP i UҪK-ës në Kosovë, pikërisht shefin e shtabit, kolonel Bislim Zyrapin, e emron për Komandant të operacionit “Shigjeta” që do të zhvillohej në Pashtrik (në gjysmën e dytë të majit 1999). Pasi ngarkohet me këtë detyrë, B.Zyrapi bashkë me një grup eprorësh, në javën e fundit të prillit nga Kosova (nëpër Maqedoni) udhëton për në Shqipëri. Ndërkohë me këtë mision ishte ngarkuar edhe Fatmir Limaj, me Musë Jasharin e disa të tjerë, të cilët në të njejtën linjë udhëtojnë për në Shqipëri. Në fillim të majit Komandanti B.Zyrapi, në kuadër të aktiviteteve për formimin e Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, viziton disa qendra stërvitore. Kolonel Zyrapi a e viziton edhe stërvitoren në Helshan?

 

 

Në çadrën e Komandës së stërvitores në Helshan.

 

Agim Sylejmani: Në ditët e para të majit, sipas shënimeve të mia, ishte data 2 maj 1999, nga Kosova erdhën kolonel Bislim Zyrapi me disa ushtarakë të tjerë, Rifat Sylejmani, Nexhmedin Kastrati, Fadil Zejnullahu, Enver Rrustemi, etj.,të dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për të marrë drejtimin e veprimeve luftarake të Operacionit “Shigjeta”. Bislim Zyrapi erdhi në Helshan, dhe pas konsultave paraprake, zgjodhi për Operativën e Komandës së Operacioneve “Shigjeta”, kolonelët Spiro Butka e Arqile Mandro, Agim Sylejmanin dhe Shaban Musliun.

 

 

Në çadrën e Shtabit të Stërvitores së UÇK-së në Helshan. Kolonel Maliq Doçi duke elaboruar lidhur me veprimet luftarake, derisa nga e majta janë: kolonel Spiro Butka, Bilall Syla, Rifat Sylejmani, Enver Berisha, unë (Agim Sylejmani) dhe Shaban Musliu.

Pashtriku: Kur u krijua Shtabi i Operacionit “Shigjeta”, dhe kush e përbënte këtë strukturë komanduese?

Agim Sylejmani: Më 5 maj 1999 u krijua përfundimisht Operativa e Komandës së Operacioneve në përbërje të:

– Bislim Zyrapit, shef i Operativës,

– kolonel Spiro Butka,

– Arqile Mandro,

– Shaban Musliu,

– Agim Sylejmani,

– Agron Haradinaj dhe

– Gramoz Kelmendi.

Më vonë për Operativën ka përkthyer në gjuhën angleze, Flora Krasniqi.

Pashtriku: Në cilin vend u ngritë selia e Shtabit të operacionit “Shigjeta”, gjegjësisht “Operativa e Komandës së Operacioneve”?

Agim Sylejmani: Selia e Operativës së Komandës së Operacioneve ka qenë e ngritur në Kukës. Agron Haradinaj dhe Gramoz Kelmendi ishin kyçur në operacion më herët dhe me ta jemi takuar në Kukës. Ata sapo kishin filluar me përgatitjen e sallës së operativës në pikën e grumbullimit të rekrutëve – vullnetarë, afër shtëpisë së UҪK-së, të cilën e ka shfrytëzuar Ilir Konushevci – Mërgimi, dhe pastaj e kishte marrë Ruzhdi Saramati. Më 5 maj operativa e Komandës fillimisht është vendosur në zyrat e qendrës së rekrutëve, në katin e dytë të saj. Mirëpo për shkak të pengesave subjektive që u krijuan aty, (e që kjo ngjarje është një histori në vete), më 19 maj jemi bartur në shtëpinë e UÇK-së. Meqë kërkohej që të sigurohet zyra e operativës, Komanda caktoj 3 ushtarë – roje dhe ata ishin: Islam Kasabaqi, Agron Gara dhe Ardian Kasabaqi.

 

 

Në Kukës në selinë e operativës…: me Gramoz Kelmendin dhe Agron Haradinajn.

NGJARJA E BURRELIT DHE ADRESIMI I VENDIMEVE & URDHËRAVE TË SHTABIT, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA”

Pashtriku: Agim, para se të flasim për punën operative të shtabit të operacionit “Shigjeta”, fillimisht dua t’ju them se, nga të dhënat që kam,”pengesa subjektive” për vendosjen e Shtabit të operacionit “Shigjeta” në ‘zyrat e qendrës së rekrutëve” ishte Ruzhdi Saramati, i cila ka konsideruar se është i vetmi komandant aty. Për më tepër me R.Saramatin lidhet edhe një ngjarje e rëndë që ka ndodhur më 2 maj 1999 në Qendrën stërvitore të Burrelit, ku me këtë rast vritet një vullnetar (ushtar) nga Landovica e Prizrenit dhe disa të tjerë plagosen. Thuhet se nga plagët e marra vdes edhe një vullnetar tjetër nga Tetova.

Sipas dëshmitarëve, çdo gjë ka nisur në Burrel, kur policia ushtarake (PU) e kap pa leje në qytet një ushtar të UҪK-së, të cilin e arrestojnë dhe pasi e rrahin pa masë e fusin në burgun e qendrës stërvitore. Shokët e të burgosurit kur marrin vesh për këtë veprim të papranueshëm, kanë shkuar te zyra e komandës për të kërkuar sqarime lidhur me rastin, mirëpo ata janë bllokuar nga policia ushtarake. PU me kërcënime ka kërkuar largimin e tyre, por masa e ushtarëve protestues nuk tërhiqet, pa u liruar shoku i tyre nga burgu. Ndërkohë PU ka nisur të gjuaj me armë dhe gjatë kësaj rrëmuje ndodhë ngjarja tragjike.

Për këtë rast ka shkruar edhe Uk Lushi në librin:”Batalioni Atlantiku (shenime lufte dhe paqeje)”, Prishtinë 2001, në faqet: 126 – 127, duke iu referuar ditarit të ushtarit Florim Lajçi.

Për këtij incident të rëndë, burgoset komandant R.Saramati, i cili pas disa ditësh thuhet se është liruar nga anëtarët e SHP që rrinin në Tiranë, por ai nuk kthehet më në Burrel. Duket që pas lirimit nga burgu vjen në Kukës, aty në qendrën e rekrutimit ku tashmë ishte vendosur selia e shtabit të operacionit “Shigjeta”, në krye me kolonel Bislim Zyrapin.

Meqë jemi në kohën e mobilizimit të përgjithshëm, në qendrën stërvitore të Burrelit ishin mobilizuar rreth 2500 – 3000 vullnetarë, dhe ky numër përbënte dy brigada, brigadën e parë sulmuese, me komandant Ilmi Kodrën (i cili pas ngjarjes së 2 majit kthehet në Gjermani), dhe brigadën 128, me komandant Ruzhdi Saramatin, por dhe Batalionin “Atlantiku” që përbëhej me vullnetarë të ardhur nga SHBA’të. Pas ngjarjes së 2 majit, për fat të keq bie edhe numri i vullnetarëve të mobilizuar në më pak se 1500 vetë. Kjo përbërje me një strukturë tjetër komanduese, i kryen stërvitjet ushtarake dhe pasi japin betimin, në javën e fundit të majit përfshihen në frontin e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik, ndërkohë që një kontigjent kishte shkuar edhe në frontin Koshares.

***

E, tani t’i kthehemi punëve të shtabit të operacionit “Shigjeta”. Pas konsolidimit, Shtabi, siç e quani ‘Operativa e Komandës së Operacioneve’, në bazë të kompetencave që kishte ka marrë vendime e urdhëra për sektorët e ngritur në teren apo… Ҫfarë urdhëra e vendime lëshonte shtabi dhe kujt i adresoheshin ato?

Agim Sylejmani: Vendimet dhe urdhërat e Shtabit të Komandës së Operacioneve dërgoheshin drejtpërdrejt në sektorët përkatës në terren, siç ishte në Cahan, ku vepronte edhe një grup tjetër i Operativës së Operacioneve, në përbërje të të cilit ishin Nexhmedin Kastrati, Musë Jashari, Rifat Sylejmani etj.

POZITA E FATMIR LIMAJT “ҪELIKUT” GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA”

Pashtriku: Në fillim të majit 1999 bashkë me Musë Jasharin (siç e theksova më lartë), kishte udhëtuar edhe Fatmir Limaj – Komandant “Ҫeliku”. Me çfarë detyre ishte i ngarkuar “Ҫeliku”, gjatë Operacionit “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Fatmir Limajn e kam takuar për herë të parë më 17 maj 1999, kur ai ishte për vizitë në pikën e rekrutimit të vullnetarëve në Kukës. Në këtë kohë ka qenë e ngritur një qendër komandimi i operacioneve në Krumë, dhe aty ka qenë edhe Fatmir Limaj, në cilësinë e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

 

 

POZITA E XHELADIN GASHIT “PLAKUT”, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA”

Pashtriku: Përmendët Cahanin dhe Krumën ku vepronin: një grup i operativës dhe një qendër komandimi i Operacioneve në kuadër të Shtabit, që u themelua më 5 maj 1999. Dihet mirëfilli se para formimit të Shtabit të operacionit “Shigjeta” në krye me kolonel Bislim Zyrapin, Komandant i zonës së veriut ishte Xheladin Gashi – Plaku, i cili vepronte kryesisht në Cahan dhe në qendrat tjera stërvitore, ku tashmë “ishin Nexhmedin Kastrati, Musë Jashari, Rifat Sylejmani etj”, ashtu siç thatë ju. Pytja ime është: Si koordinoheshin këto dy qendra operative (në Cahan dhe Krumë) – me Komandantin e zonës Xheladin Gashin – Plakun, gjatë kësaj kohe kur po përgatitej operacioni “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Kontaktet me Xheladin Gashin i ka mbajtur kryesisht Bislim Zyrapi, si shef i Operativës së Komandës së Operacioneve. Personalisht me Plakun jam takuar shumë herë në Zvicër, po edhe në veri të Shqipërisë sa isha në Helshan. Ai në fakt ka dashur të më marrë mua afër vetes. Ishte komandant i Zonës së Veriut, dhe si i tillë mbeti deri në fund të luftës më 12 qershor 1999. Përderisa ishte komandant i kësaj Zone është e logjikshme që ka pasur edhe përgjegjësi në operacionin “Shigjeta”. Në kohën kur veproja në Shtabin e operativës në Kukës me të kam basur edhe një bisedë telefonike. Sa e di unë, Plaku e kishte komandën e tij në Krumë, dhe gjatë përgatitjeve për operacionin “Shigjeta”, ka mundur ta zhvendoste shtabin e komandës së Zonës nga Kruma në Cahan, për shkak të lehtësive operative.

URDHËRAT E FALSIFIKUAR TË MINISTRIT TË MBROJTJES, AZEM SYLA – PËR EMËRIMIN E SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA”!

Pashtriku: Meqë zëvendësministri i mbrojtjes, Fatmir Limaj ka vepruar në zonat ku po bëheshin stëvitjet fizike të ushtarëve dhe përgatitjet operative për operacionin “Shigjeta”, atëhere cili ishte roli dhe kontributi i Ministrit të Mbrojtjes të QPK-ës, Azem Syla (me seli në Tiranë), në krijimin e Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, dhe në ngritjen e strukturës logjistike për këtë operacion të rëndësishëm?

Agim Sylejmani: Sipas dy urdhëresave, me nr.të protokollit 10, 11, datë 1 prill 1999, dhe urdhërit me nr. protokolli 12, datë 10 prill 1999, del se Shtabi i Komandës së Operacioneve është themeluar me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohëshme të Republikës së Kosovës, Azem Syla. Në këto urdhëra figurojnë të emëruarit për detyrat konkrete për operacionin e gjerë të mësymjes së përgjithshme…

Pashtriku: Agim, i përmendët dy urdhëra të datës 1 prill 1999 (me nr.protokolli 10, 11), dhe një urdhër të datës 10 prill 1999 (me nr.protokolli 12), të cilat i ka lëshuar Ministri i Mbrojtjes së QPK-ës, z.Azem Syla. Këta urdhëra janë në arkivin e portalit pashtriku.org (të cilat i ka publikuar kolonel Spiro Butka), dhe pasi i kam analizuar me kujdes kam arritur në përfundimin se, ato nuk janë shkruar dhe as lëshuar në kohë reale nga ministri, Azem Syla, dhe si të tilla janë të falsifikuar.

Pse mendoj kështu?

E para: Sipas një Komunikate të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës (që e ka publikuar Kosovapress’i), del se Kabineti qeveritar me përfaqësuesit e UҪK-ës dhe Lëvizjes për Bashkim Demokratik (LBD) është formuar më 2 prill 1999, ku Azem Syla emërohet Ministër i Mbrojtjes! Dhe është e pamundur që Ai t’i ketë lëshuar dy urdhërat e 1 prillit nga pozita e ministrit të mbrojtjes!

E dyta: Me urdhërat e 1 prillit 1999 (nr.të protokollit 10 e 11) për komandant të Operacionit “Shigjeta” emërohet Shefi i SHP të UҪK-ës, Bislim Zyrapi, Komandant i drejtimit operativ Nr.2 emërohet Nexhmedin Kastrati, Zv/komandant, Musë Jashari, ndërsa shefi operativ i këtij drejtimi emërohet Rifat Sylejmani. Kjo katërshe e eprorëve më 1 prill nuk ishin në Shqipëri, ngase atëkohë ishin ende brenda në Kosovë, dhe madje akoma nuk ishte biseduar për idenë e operacionit “Shigjeta”. Në gjysmën e dytë të prillit, pasi SHP i UҪK-ës në malet e Jezercit, e kishte ideuar e përpiluar planin e operacionit “Shigjeta” dhe ndërkohë e kishte emëruar Bislim Zyrapin për Komandant të Operacionit “Shigjeta”, ai bashkë me të lartëpërmendurit dhe disa të tjerë (Musë Jashari vjen me grupin e Fatmir Limës) në fillim të majit arrin në Kukës. Dhe më 5 maj siç e theksoni edhe ju më lartë, u krijua Operativa e Komandës së Operacioneve me Bislim Zyrapin si, shef i Operativës.

E treta: Në urdhërin me nr.protokolli 10, datë 1 prill 1999, si Zv/komandant dhe drejtues i Shtabit operativ të operacionit “Shigjeta” emërohet Kolonel Spiro Butka, ndërkohë që ai ende s’ishte i strukturuar në radhët e UҪK-së, dhe për më tepër në qendrën stërvitore të Helshanit shkon pas datës 19 prill 1999.

E katërta: Në urdhërat e lartëpërmendur si dhe në urdhërin e datës 10 prill 1999 (me nr.protokolli 12) figurojnë edhe emëra të eprorëve, të cilët ose nuk kishin arritur akoma në Shqipëri (nga mërgimi) ose ishin në ditët e para (të prillit) që kishin ardhur në qendrat stërvitore në Helshan, Cahan, Vlahnë… (pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, nga SHP i UCK-ës, më 31 mars 1999).

E pesta: pozicioni i vulës dhe i nënshkrimeve të ministrit të mbrojtjes, Azem Syla në të gjitha urdhërat është i njejtë, nuk është i ndryshëm. Kjo tregon se një letër e vulosur dhe e nënshkruar një herë nga ministri A.Syla është përdorur për të gjithë urdhërat e lëshuar. Ky është një falsifikim (manipulim) i qartë!

E gjashta: Edhe numrat e protokollit të urdhërave të datës 01. 04. 1999 janë të ngatërruar, për sa i përket emërimeve! Në urdhërin e parë të 1 prillit me nr.protokolli 10, është emëruar struktura komanduese e shtabit të operacionit “Shigjeta”, ndërsa në urdhërin e dytë po të 1 prillit me nr.protokolli 11, kolonel Bislim Zyrapi (si shef i SHP të UҪK-së) ngarkohet me detyrën e Komandantit të operacionit “Shigjeta”. Si është e mundur që përpara emërimit të Komandantit të operacionit “Shigjeta” të emërohet struktura komanduese e këtij operacioni! Nuk ëshët e mundur! Pra kemi të bëjmë me një falsifikim të këtyre urdhërave!

E shtata: Derisa në krye të 3 urdhërave (mbi nr.e protokollit) titullari i tyre është “Qeveria e Përkohëshme e Kosovës § Ministria e Mbrojtjes”, në fund të secilit urdhër shkruan: “Arshivi i SH.P”, ndërsa “E punoi: XH.S” dhe “E kompjuterizoi: Sh.A”! Është e pamundur që urdhërat të lëshohen nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së me nënshkrim të ministrit, Azem Syla (i cili me seli ishte në Tiranë), ndërsa arkivimin e tyre ta bëjë Shtabi i Përgjithshëm i UҪK-së (seli e së cilës ishte brenda në Kosovë – në malet e Berishës apo të Jezercit).

– Agim, fillimisht lexoi me kujdes faksimilet e urdhërave që i përfola më lartë, dhe pastaj më thoni cili është mendimi juaj për këtë gjë?

 

 

 

 

Agim Sylejmani: I nderuar Sheradin. Syri yt hulumtues dhe vëzhgues i mirëfillt i shkresave faktografike po nxjerr në shesh një mashtrim të radhës. Pas vërejtjes tënde lidhur me dokumentet në fjalë, urdhëresat e lëshuara në emër të ministrit të mbrojtjes në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, unë i shikova me një vëmendje të veçantë dhe të përqëndruar. Këtu ke shumë të drejtë, fatkeqësisht ke shumë të drejtë. Këtë nuk do ma kishte marrë mendja se do mund të ndodhte në atë kohë. Bile ruaj të drejtën të them edhe mendimin tim personal për këtë, se këto shkresa mund të jenë bërë pas përfundimit të luftës. Vetë vula dhe nënshkrimi i Azem Sylës në cilësinë e ministrit të mbrojtjes lë të dyshohet se ai mund të mos jetë në dijeni se për çfarë është përdorur apo keqpërdorur nënshkrimi i tij. Prandaj lypset të hulumtohet dhe të gjinden dokumentet e mirëfillta të kohës së luftës, qofshin ato edhe të shkruara me dorë, për të nxjerrë në shesh mashtrimin dhe qëllimin e këtij mashtrimi. Edhe pse në kushte lufte nëpër male, njësitet e UÇK-së kanë mbajtur ditar lufte, e lëre më një Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së. Pos kësaj të kërkohen edhe në arkivin e qeverisë së përkohëshme të Kosovës. Prandaj mendoj se duhet të kërkohen këto shkresa dhe të bëhet krahasimi, për të parë se ku dhe për çfarë qëllimi janë bërë në këtë formë dhe me këto data të dhëna. Ne nuk kemi të drejtë të mashtrojmë historinë e as gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Nuk guxojmë t’ua lëmë një histori të shtrembëruar, aq më keq, me dokumente të falsifikuara. Kjo është një çështje shumë serioze që duhet të shqyrtohet dhe të ndriçohet në tërësi dhe të gjinden ata që qëndrojnë prapa gjithë kësaj, duke kërkuar edhe llogari prej tyre.

 

 

MINISTRI I MBROJTJES, AZEM SYLA NUK E VIZITOI ASNJËHERË SELINË E KOMANDËS SË OPERACIONIT “SHIGJETA” NË KUKËS!

Pashtriku: Është e vërtetë se, dokumentet e falsifikuar prodhojnë një histori të shtrembëruar, gjë që nuk duhet lejuar të ndodhë një gjë e tillë. Për t’a thelluar edhe më shumë hendekun e pasaktësive lidhur me këta urdhëra, mund ta shërfaq edhe një argument tjetër historik, ndonëse në një mënyrë e thash në pikën e dytë të pasaktësive të renditur më sipër.

Bazuar në kronologjinë e ngjarjeve, që kanë rrjedhur pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga SHP i UҪK-së (më 31 mars 1999), këta urdhëra nuk i përgjigjen realitetit, (dhe si të tilla janë të falsifikuar) edhe për një fakt tjetër substancial. Dihet mirëfilli se, Ideja për operacionin “Shigjeta” dhe njëkohësisht përpilimi i planit të këtij operacioni (të cilit poashtu del se i është i falsifikuar data e hartimit) ka lindur dhe është realizuar nga SHP i UҪK-së në mesin e prillit 1999, në malet e Jezercit në Kosovë. Prandaj janë absurde emërimet e Azem Sylës, qysh më datën 1 prill 1999, në kohën kur ende nuk është biseduar për planizimin e operacionit “Shigjeta” në Pashtrik, dhe edhe për faktin tjetër se, më 1 prill 1999, Azem Syla akoma nuk ishte ministër i mbrojtjes, më 2 prill ai emërohet në këtë pozitë!

Sidoqoftë, Azem Syla më 5 maj 1999 kur u themelua Shtabi i Operacionit “Shigjeta” në krye me kolonel Bislim Zyrapin, ishte ministër i mbrojtjes i QPK-së.

Tani shtrohet pyetja:

– a mori pjesë ministri i mbrojtjes, Azem Syla në mbledhjen themeluese të Shtabit – komandës të Operacionit “Shigjeta” më 5 maj 1999 në Kukës, dhe sa herë e kishte vizituar këtë komandë, gjatë periudhës së përgatitjeve për operacionin “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Gjatë tërë kohës sa kam shërbyer në Operativën e Komandës së Operacioneve me seli në Kukës, siç e thash në një përgjigje të mësipërme, aty ka ardhur njëherë vetëm Fatmir Limaj, më 17 maj 1999, në cilësinë e zëvendësministrit të mbrojtjes. Ai nuk ka qëndruar gjatë. I është raportuar gojarisht për punën e bërë deri atëherë dhe pas një qëndrimi të shkurtër ai është larguar. Ndërsa ministri i mbrojtjes, Azem Syla, gjatë asaj kohe nuk ka qenë asnjëherë në Operativën e Komandës së Operacioneve, edhe pse disa herë e kanë paralajmëruar ardhjen e tij, siç ishte paralajmërimi se ai do të vinte më 11 maj 1999, por ka rezultuar të mos vinte…!!!

 

SHERADIN BERISHA: OPERATIVA E SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – MAJ – QERSHOR 1999 (BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN AGIM SYLEJMANI) (Pjesa II)

Pashtriku.org, 7 mars 2017: “Divizioni i Kukësit dhe gjeneral Kudusi Lama ishin bartësit kryesor të luftës që zhvillohej në gjithë atë front të gjerë, aq sa ishte edhe vija kufitare Shqipëri-Kosovë… Pra, Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmë të paimagjinuar në mjete luftarake, duke e pasë parasysh edhe një fakt tjetër, se pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione. Dhe, pikërisht në këtë situatë të krijuar Divizioni i Kukësit me udhër të gjeneral Kudusi Lama hapi depotë e armatimit të luftës, duke furnizuar repartet e UÇK-së me mjete të sofistikuara…” – kështu deklaron veprimtari Agim Sylejmani në pjesën e fundit të bashkëbisedimit.

DETYRAT THEMELORE TË SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA”

Pashtriku: Të flasim pak për çështjet operative të shtabit. Në një dokument arkivor me titull: “Struktura organizative e operacionit ‘Shigjeta’”, figuron edhe emri juaj si shef i administratës. A mund t’i kujtoni në mënyrë të përmbledhur, punët themelore operative të kësaj strukture komanduese, të kryer gjatë përgatitjeve për operacionin “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Operativa e Komandës së Operacioneve e ngritur shpejt dhe e vënë në punë në një afat të paimagjinueshëm për kushtet normale, fillimisht u mor me:

– krijimin e hartave të terrenit të luftës,

– krijimin e ditarëve të luftës,

– vënien e kontaktit të rregullt telefonik me të gjitha Zonat Operative të UÇK-së në Kosovë, duke mbledhur të dhënat lidhur me lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paramilitare serbe,

– dislokimin e armatimit të tyre,

– përcaktimin e koordinatave të sakta të këtyre armëve etj.

Gramoz Kelmendi punonte në krijimin e hartës topografike të luftës, duke e ndihmuar kështu kolonel Spiro Butkën. I lejoj vetes të them se ai aq shpejt e përvetësoi këtë “zanat” sa edhe mund të matej me vet kolonelin.

Pas dhjetë ditë pune intenzive, të thuash 24 orë në ditë, me pak ndërrime të kohë pas kohëshme, sa për të vënë ndonjë sy gjumë, kolonelët dhe Gramozi përfunduan me hartën topografike dhe përcaktimin e koordinatave në terren, punë e cila u vlerësua jashtëzakonisht shumë nga përfaqësuesit e NATO-s. Ata kërkuan që hartën ta dërgonin në Bruksel si dhe në Vashington. Kështuqë kolonel Spiro Butka dhe Gramoz Kelmendi bënë të pamundurën duke e kopjuar në letër të madhe prej pausi disa metërshe gjithë hartën që ishte krijuar në Operativë. Me këtë u dëshmonim aleatëve se në krye të luftimeve gjendeshin ushtarakë të aftë dhe me përvojë.

Këto ishin si të thuash punët themeltare për realizimin e operacioneve luftarake jo vetëm në një pikë fronti, siç ishte ai i Koshares, por tani përgatitej mësymja e përgjithshme për çlirimin e Kosovës edhe përmes Pashtrikut. Për këtë front kaq të gjerë nuk flitet e nuk shkruhet sa duhet, për të mos thënë se kjo edhe minimizohet jo pa qëllim. Duhet ta kemi parasysh se forcat e UÇK-së në një numër shumë më të paktë se sa numri i madh i koncentruar i forcave të armatosura dhe paramilitare serbe me njësitë elite të artilerisë serbe, qëndronte ballë përballë tyre të gatshme për veprim dhe flijim. Në kufirin me Shqipërinë, Serbia kishte dislokuar mijëra ushtarë të armatosur me armët më moderne të kohës, përballë një ushtrie të ngritur mbi baza vullnetare, por tejet të motivuar për të luftuar për atdheun e tyre, me një moral të lartë, që shumë ushtri do ia kishin lakmi, të gatshëm të derdhnin gjakun për lirinë e atdheut pa llogaritur fare jetën e tyre.

 

 

Një pjesë e Operativës, Spiro Butka, Gramoz Kelmendi, Flora Krasniqi dhe ulur Agron Haradinaj

QENDRAT STËRVITORE TË UҪK-së NË VERI TË SHQIPËRISË

Pashtriku: Theksuat raportin e forcave të armatosura midis UÇK-së dhe forcave serbe që ishin dislokuar përgjatë kufirit me Shqipërinë. Në sa qendra stërvitore ushtronin vullnetarët e UҪK-së (gjatë muajit maj) dhe cili ishte numri i përgjithshëm i tyre që stërviteshin aty, për t’u përballur me forcat e dislokuara serbe në kufi, gjatë operacionit “Shigjeta” në Pashtrik?

Agim Sylejmani: Në veri të Shqipërisë ishin të ngritura shumë stërvitore të UÇK-së, baza të vërteta ushtarake, me njësi të rregullta dhe të armatosura, të gatshme të hidhen në veprime luftarake kurdo që do kërkohej prej tyre. Stërvitore të mëdha ishin ato në Helshan, Kalimash, Burrel, Feken, Vlahnë, Cahan, Fushë Dukagjin, Papaj, etj. Por kishte edhe në mbrendi të Shqipërisë, si në Rogozhinë, Durrës, etj.

DITARËT E LUFTËS

Pashtriku: Agim, më lartë evidentuat edhe punët themelore që kishte kryer Komanda e Operativës nën drejtimin e Bislim Zyrapit. E ti si shef i administratës, me çfarë punë merreshe konkretisht gjatë kësaj kohe?

Agim Sylejmani: Unë merresha me krijimin e dokumentaconit të Operativës së Komandës së operacioneve. Hartoja raporte për gjendjen e forcave serbe dhe koordinatat e tyre, koordinata të cilat i përcaktonin kolonelët, sidomos Gramozi. Këto pastaj dërgoheshin nga Agroni tek njësia ndërlidhëse e NATO-s në Kukës, e cila pastaj këto koordinata të caqeve të pozicioneve të forcave serbe ua dërgonte pilotëve luftarakë të NATO-s që kryenin veprime luftarake nga ajri. Pos kësaj unë ndihmoja edhe në krijimin e Ditarëve të luftës, me të cilët merreshin kolonelët: Spiro Butka dhe Arqile Mandro.

Pashtriku: Çfarë përmbanin konkretisht ditarët e luftës?

Agim Sylejmani: Ditarët e luftës bëheshin sipas specifikës dhe gjinisë përkatëse ushtarake.

– “Ditar i veprimeve luftarake”,

– “Libër i njoftimeve operative”,

– “Dosja e…”, etj. etj.

Kishte ditarë që mbanin shënime mbi aktivitetet e forcave serbe, mbi lëvizjet e tyre, lloji i armatimeve dhe sasia, etj. Në ditarë shënoheshin lokacionet e pozicioneve armike, lloji i armatimeve të tyre dhe mundësitë vepruese. Në ditarë të tjerë shënoheshin të dhënat ushatarke të UÇK-së dhe veprimeve luftarake operative. Me një fjalë, aty janë të shënuara të gjitha veprimet luftarake të operacioneve goditëse të operacionit “Shigjeta”.

 

 

Duke punuar në ditarët e luftës

Pashtriku: Këto ishin ditarët me të dhëna operative që kryheshin kolektivisht. Personalisht a ke mbajtur ditarë gjatë luftës, nëse po, a mund t’i veçoni 2-3 ngjarje më të rëndësishme?

Agim Sylejmani: Më 28 prill 1999, pos tjersh në ditarin tim kisha shënuar:

“Nga Vlahna udhëtuam për Krumë e pastaj për në Cahan. Rrugës mezi u ngjitëm në të përpjetën. Reparti në Cahan ishte shumë i rregulluar dhe me disiplinë të mirë. Kishin edhe topa e gulinova. Bënë edhe një alarm për të parë gatishmërinë e ushtarëve. Për një kohë shumë të shkurtër të gjithë ishin në vendet e veta të parapara. Shabani (Shaban Musliu) ndihmoi eprorin që ishte në Cahan si në çështje teorike ashtu edhe në ato praktike, duke e mësuar se si duhej sjellur në raste të posaqme, si në rast sulmi artilerik, ajror, të këmbësorisë….”

Më 29 prill 1999, në stërvitoren e UÇK-së në Helshan, pos tjerash kam shënuar:

“Sot erdhën gazetari dhe kameramani i televizionit belg RTL. Shabani (Shaban Musliu) më tha të jap unë intervistën. Përkthente vetë Shabani…..

Pasdreke filluan të vinin kamionët me paisje për ushtarët. Pra, sonte do të udhëtojë një kontigjent ushtarësh për në front. Athua sa?

U bë rreshtimi i ushtarëve me një megafon, të cilin e solli Maliqi (kolonel Maliq Doçi). Do të udhëtonin për në front rreth 200 veta. Pastaj erdhi edhe armatimi, i cili ishte shumë i vjetëruar dhe i ndryshkur. Kishte vetëm pushkë dhe automatikë, si dhe disa pushkëmitraloza. Maliqi më dha listat për evidencimin e ushtarëve dhe armëve që do t’u jepej.

Manifestimi me këtë rast ishte shumë madhështore, e papërshkrueshme. Përshëndeti edhe “Plaku” (komandant Xheladin Gashi). Maliqi mbajti një fjalim të zjarrtë, që ndezi zemrat e ushtarëve. Edhe kodrat ushtuan nga brohoritjet dhe thirrjet e ushtarëve. Luljeta (Luljeta Sulejmani) këndoi, ndërsa Shkodra Aqifi (Shkodrane Dardhishta) recitoi dhe çuan peshë zemrat e ushtarëve. Me këtë grup shkuan edhe këto dy vajzat, e edhe Bekimi (Bekim Zylfiu), të cilit ia dhash një pushkëmitraloz.

Automatikun e fundit e ndala për vete.”

 

 

Fletë ditari personal të luftës.

 

 

Shkodra Aqifi (Shkodrane Dardhishta) mew megafon.

 

 

Këto i kisha shkruar më 29 prill, ditën kur u nisën për në frontin e Koshares 209 ushtarë, të armatosur dobët dhe me armatim të vjetëruar, por me zemrat plot atdhedashuri dhe të gatshëm të vdisnin për komb e atdhe. Ishte kjo kohë kur akoma nuk merrnim drejtpërdrejt armatimin e luftës nga ushtria shqiptare. Për nevoja të ngutshme ishim të shtrënguar të kërkonim armë nga bashkëkombasit tanë, fshatarët nëpër fshatra në veri të Shqipërisë. Kjo kohë konsiston edhe me sabotimin e hapur edhe të atyre që ishin të thirrur për luftën, por që qëndronin nëpër hotelet e Tiranës dhe shetisnin me xhipa të shtrenjtë dhe me kravata.

Një javë më vonë, në shënime të ndryshme gjatë kohës së luftës, shkruajta edhe për portretin e vajzës gjashtëmbëdhjetë vjeçare nga Kumanova, Shkodranes, e cila rezultoi se ishta e bija e një shoku tim të hershëm. Në këtë skicë portret për Shkodranen paraqita më gjerësisht edhe atmosferën e krijuar më 29 prill 1999 kur ato bashkë me njësitin special u nisën për në frontin e Koshares. Por, për shkak të vendit të kufizuar po e lë që së bashku me shënimet e tjera të ditarit tim t’i përmbledh në një libër të veçantë.

NDIHMA E PAKURSYER LOGJISTIKE E GJENERAL KUDUSI LAMES NË OPERACIONIN “SHIGJETA” DHE KOMANDANTËT E UҪK-së QË E SABOTONIN LUFTËN NGA HOTELET E TIRANËS!

Pashtriku: Dihet mirëfilli se pjesa veriore e Shqipërisë, gjegjësisht zona kufitare ku ishin ngritur qendrat stërvitore të UҪK-së dhe bëheshin përgatitjet për frontin e Koshares dhe të Pashtrikut në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte nën përgjegjësinë ushtarake të Divizionit të Kukësit në krye me Gjeneral Kudusi Lama. A mund të na thoni konkretisht, cili ishte roli i Gjeneral Kudusi Lamës me Divizionin e Kukësit, në përgatitjen logjistike për Operacionin “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Divizioni i Kukësit dhe gjeneral Kudusi Lama ishin bartësit kryesor të luftës që zhvillohej në gjithë atë front të gjerë, aq sa ishte edhe vija kufitare Shqipëri-Kosovë. Ne kishim djem e vajza të gatshëm të jepnin edhe jetën e tyre për lirinë e Kosovës, por pa Divizionin e Kukësit, e sidomos të vetë gjeneral Kudusi Lama dhe gjithë stafit të tij ushtarak, as që mund të imagjinohet lufta e UÇK-së në kufi me Kosovën, ku ishin të përqëndruara njësitë elite artilerike e tankiste të ushtrisë serbe të shoqëruara nga njësitë paramilitare serbe dhe mercenare ruse. Kundër këtyre forcave të mëdha në numër dhe të paisura me armët më moderne të kohës nuk mjaftonte vetëm vullneti për të luftuar, por duheshin edhe mjetet përkatëse për të përballuar armikun shumëfish më të madh në numër dhe të paisur.

 

 

Me Babushin – gjeneral Kudusi Lama, gjatë promovimit të librit të tij në Bern.

Pra, Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmë të paimagjinuar në mjete luftarake, duke e pasë parasysh edhe një fakt tjetër, se pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione. Dhe, pikërisht në këtë situatë të krijuar Divizioni i Kukësit me udhër të gjeneral Kudusi Lama hapi depotë e armatimit të luftës, duke furnizuar repartet e UÇK-së me mjete të sofistikuara.

UÇK-ja kishte logjistikën e vet, por kjo logjistikë nuk do të mund të funksiononte siç e theksova më lartë pa ndihmën dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë të gjeneral Kudusi Lames dhe ushtarakëve të tjerë shqiptarë të cilët ishin vënë në shërbim të luftës për çlirimin e Kosovës. Realisht që nga fillimi i majit 1999 e deri në përfundim të veprimeve luftarake, gati e gjithë logjistika është bërë me mjete luftarake nga ushtria shqiptare. Këtu vlen të theksohet, se, ta zëmë, në pikën stërvitore të UÇK-së në Helshan, ku ishin të koncentruar forca të shumta ushtarake të UÇK-së, nuk kishim asnjë mjet qarkullues, as luftarak, por as edhe një autoambulancë të vetme. Çdo gjë bëhej nga oficerët shqiptarë dhe me mjete ushtarake të ushtrisë shqiptare. Dhe me këtë logjistikë tani UÇK-ja mund ta luftonte më lehtë fallangën serbe dhe të fillonte mësymjen e përgjithshme për çlirimin e Kosovës.

Lidhur me gjeneral Kudusi Lama dhe Divizionin e ushtrisë shqiptare në Kukës nuk flitet shumë, të mos them se nuk flitet e nuk shkruhet fare. Por historia do ta thotë fjalën e saj duke i dhënë vendin e merituar edhe gjeneralit Kudusi Lama, të cilin ne me ëndje e thërrisnim dhe akoma e thërrasim “babushi”, si dhe Divizionit të Kukësit me gjithë stafin ushtarak që ishte vënë në shërbim të luftës çlirimtare të Kosovës.

Pashtriku: Agim, më lartë nënvizuat sabotimin e luftës dhe bllokimin e mjeteve financiare për UҪK-në prej atyre që e drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës. Theksuat si vijon (po citoi): “…pas thyerjes së kufirit lufta sabotohej jo vetëm nga kundërshtarët e luftës në Kosovë, por filloi të sabotohej tmerrësisht edhe nga vetë ata që drejtonin luftën nga hotelet e Tiranës, të cilët bllokuan mjetet financiare duke e lënë UÇK-në pa mbulesë të mjaftueshme, si në armatim, ashtu edhe në municione.” E dimë mirëfilli se anëtari i SHP të UҪK-së, Xhavit Haliti – Zeka, qëndronte në Tiranë dhe ai ishte përgjegjësi kryesor për logjistikë, ndonëse në Tiranë vepronte edhe një zyrë e Fondit “Vendlindja Thërret”, e cila grumbullonte mjete financiare për UҪK-në.

Në këtë rast e keni fjalë për Xh.Halitin me bashkëpunëtorët e tij, të cilët banonin në hotelet e Tiranës apo për dikë tjetër?

Agim Sylejmani: Po, pikërisht është fjala për Xhavit Halitin, sepse ai ishte përgjegjësi kryesor i logjistikës. Mjetet financiare për UҪK-në mbeteshin në Tiranë, tek ata që bredhnin rrugëve me xhipa të shtrenjtë dhe me telefona satelitorë. Të bëjë vetëm një krahasim. Qendra e madhe e stërvitjes në Helshan nuk kishte asnjë mjet qarkullimi, as telefon satelitor. Fillimisht ushtarët në Helshan kishin edhe racionet e kufizuara dhe shumë të dobëta të ushqimit. Nuk kishin as banjo për t’u pastruar, etj, etj. Nga gjithë ai repart, në Helshan kishte fare pak ushtarë të armatosur, dhe ata e kishin blerë armatimin e tyre personalisht. Kur na vinte “armatimi”, ishte kryesisht i vjetëruar dhe i ndryshkur. Po të mos ishte sabotimi, do të kishim një gjendje më të mirë. Të paktën po të na vinin mjetet nga Fondi “Vendlindja Thërret” do t’i kishim pasur kushtet krejtësisht tjera. Rastin që e përmenda me herët, kur i dërguam 209 ushtarë në frontin e Koshares, është për të vënë kujën, sepse nuk na vinte armatimi e as municioni. Kemi qenë të shtrënguar të mbledhim armatimin e fshatarëve, armatim i ndryshkur dhe shumë i vjetëruar. Megjithatë morali i lartë i ushtarëve nuk mund të përshkruhet.

 

 

Cahan, maj 1999: Agim Sylejmani me Rifat Sylejmanin dhe Agron Haradinajn.

 

 

KËRKESAT E SHTABIT, DREJTUAR GJENERAL KUDUSI LAMES PËR NEVOJAT LOGJISTIKE TË UÇK-së

Pashtriku: Meqë Divizioni i Kukësit ka dhënë një ndihmesë të çmuar në këtë drejtim, gjatë kësaj kohe (maj – 10 qershor 1999), a keni evidentuar ndonjë kërkesë të Shtabit tuaj, drejtuar gjeneral Kudusi Lames për nevojat logjistike të UÇK-së, të cilat u përdorën në Operacionin “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Të gjitha këto mjete luftarake dhe teknike i merrnim në bazë të kërkesës paraprake me shkrim që ia dërgonim Komandës së Divizionit të Kukësit. Mbaj mend kur si administrator i Operativës m’u kërkua të përpiloja kërkesën e parë me shkrim për mjete të ndryshme luftarake, të cilën fillimisht ma diktuan që të shënoja në fletoren time e pastaj ta daktilografoja në kompjuter.

Kërkesa fillonte kështu:

Qeveria e Përkohëshme e Kosovës

Ministria e Mbrojtjes

UÇK

Nr. i Protokollit XY, datë: NN

Kërkesë për mjete ushtarake

I dedikohet Komandës së Divizionit të Kukësit

1. Helmeta 2000 copë

2. Maska kundër gazrave 2000 copë

3. Paketë individuale (personale) 4000 copë

4. Lopata 1000 copë

5. Komplete të ndihmës së parë 20 copë

Për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së

Kolonel Bislim Zyrapi

Me një fjalë, nga Divizioni i Kukësit ne kemi kërkuar dhe kemi marrë në dorëzim çdo lloj mjeti ushtarak dhe luftarak për nevojat e Operacionit “Shigjeta”. Kemi kërkuar dhe kemi marrë edhe goma për traktorët dhe kamionët me të cilët transportonim armatimin dhe municionin që na i jepte ushtria shqiptare, për të mos përmendur të gjithë materialin ushtarak e luftarak që na i dha ushtria e Shqipërisë nënë, konkretisht Divizioni i Kukësit nën komandën e gjeneral Kudusi Lama.

KONTRIBUTI I ҪMUESHËM I USHTARAKËVE NË PENSION

Pashtriku: Agim, shpesh në opinionin tonë janë shpërfaqur mendime të tilla, se shteti shqiptarë nuk ka dhënë ndihmën e duhur në luftën për çlirimin e Kosovës, ndërsa ju argumentoni të kundërtën! Në këtë kuadër, përveç Divizionit të Kukësit, në krye me gjeneral Kudusi Lama, i cili ishte vënë plotësisht në shërbim të luftës, a kontribuan në këtë drejtim edhe oficerët shqiptarë që kishin dalur prej kohësh në pension, si p.sh. Veli Llakaj e të tjerë?

Agim Sylejmani: Pos Divizionit të Kukësit nën komandën e gjeneral Kudusi Lama, kontribut të çmueshëm kanë dhënë edhe shumë ushtarakë të ushtrisë shqiptare, të cilët ishin të pensionuar, pjesa më e madhe e të cilëve të pensionuar para kohe. Pikërisht gjeneral Veli Llakaj, ish shef i Shtabit të Ushtrisë Popullore të RPS të Shqipërisë, me disa ushtarakë të tjerë shqiptarë, kanë qenë konsulentët më të rëndësishëm ushtarakë, të cilët njihnin mirë artin ushtarak të luftës. Emri i gjeneral Veli Llakaj lidhet ngusht me të tri luftërat në hapësirat shqiptare nën ish Jugosllavi, ku ai dha një ndihmë dhe kontribut të çmueshëm. Historia do ta thotë fjalën e vet edhe për këtë ndihmesë. Jo rastësisht, pikërisht në prill të vitit 1999 gjeneral Veli Llakaj vendosi ta bënte publike planin e hartuar për çlirimin e Kosovës, të koduar “Shpërthimi”, plan i cili qe hartuar dhe vënë në gatishmëri për zbatim nga komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare Enver Hoxha, plan për të cilin kishin shkruar dhe po shkruajnë shumë media botërore.

 

 

Me gjeneral Veli Llakajn

 

FILLIMI DHE PËRFUNDIMI I OPERACIONIT “SHIGJETA”

Pashtriku: Agim, tashmë kemi arritur te pika kulmore e ngjarjes historike – fillimi i operacionit “Shigjeta. Siç dihet sulmi i parë i operacionit “Shigjeta” në Pashtrik, ka nisur në mëngjesin e 26 majit 1999. A të kujtohet saktësisht kur dhe kush e mori këtë vendim në Shtabin e Operacionit, për të nisur mësymjen frontale pikërisht me këtë datë?

Agim Sylejmani: Lidhur me vendimin për mësymjen më 26 maj 1999 jam njoftuar dy ditë më parë, dhe se kjo çështje ishte mbajtur në një fshehtësi shumë të madhe. Nuk ishin të njoftuar as aleatët, as NATO-ja e as SHBA-të. Këtë e them me kompetencë, sepse më 26 maj erdhi me urgjencë në Operativë përfaqësuesi amerikan, Xhoshua (nuk e di se si shkruhet tamam për tamam), dhe i cili kërkoi informacion lidhur me veprimet luftarake në katër pika të reja të frontit dhe pse ishin ndërmarrë veprime me vijë veprimi kaq të gjerë pa u njoftuar aleatët. Lidhur me këto veprime luftarake zakonisht flitet vetëm për luftimet në Gorozhup, duke lënë anash ta zëmë betejën tek Lugu i Zi e në vende tjera të fronit, ku forcat e UÇK-së luftuan për javë të tëra me njësitet elite të artilerisë serbe, duke arritur të paralizonin forcat e kësaj elite ushtarake.

 

 

Pashtriku: Janë publikuar disa shifra për numrin e përgjithshëm të ushtarëve që u përfshinë në luftime. Si shef i administratës, kishit shifra të sakta për numrin ushtarëve të UҪK-së që morën pjesë në frontin e Operacionit “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Lidhur me numrin e ushtarëve të UÇK-së që morën pjesë drejtpërdrejt në veprime luftarake përafërsisht tanimë po dihet, sepse eprorët e këtyre njësiteve kanë të hartuara listat e ushtarëve të tyre dhe këto janë të publikuara. Por, në veri të Shqipërisë numri i ushtarëve të uniformuar e të sistemuar nëpër reparte e njësi të UÇK-së nëpër stërvitore ishte shumë më i madh. Ata ushtarë ishin të gatshëm të hidheshin në veprime luftarake në çdo kohë që kërkohej prej tyre. Bile ishin të padurueshëm, nuk u pritej të hidheshin në front. Në Helshan, Burrel, Cahan, Kalimash, etj., kishte disa mijëra ushtarë. Pra, ushtarë të uniformuar kishte shumë më tepër se sa numri i atyre që ishin hedhur në veprime luftarake.

 

 

Pika e rekrutimit në Kukës – maj 1999

 

 

Pashtriku: Kush ua kumtoi lajmin për përfundimin e veprimeve luftarake në Pashtrik?

Agim Sylejmani: Në mbrëmjen e 9 qershorit jemi njoftuar se është përfunduar një marrëveshje në mes të përfaqësuesve të NATO-s dhe të ushtrisë jugosllave – serbe në Kumanovë dhe se më 12 qershor do të pushojnë veprimet luftarake. Këtë na e komunikoi shefi i Operativës së Komandës së Operacioneve, kolonel Bislim Zyrapi.

DETYRAT E ANËTARËVE TË SHTABIT TË OPERACIONIT “SHIGJETA” – PAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS

Pashtriku: Pas përfundimit të luftës, në cilat institucione u sistemuan anëtarët e Shtabit të operacionit “Shigjeta”?

Agim Sylejmani: Fillimisht anëtarëve të Operativës nuk na u lejua të futemi në Kosovë. Unë për vete e pata humbur durimin dhe jam futur në Kosovë më 19 qershor 1999 së bashku me Shaban Musliun. Me Shabanin fillimisht jemi takuar në Kukës me Bardhyl Mahmutin, Sylejman Selimin, Ragip Shalën, etj.,dhe bashkë me ta jemi futur në Kosovë. Fillimisht jemi ndalur në Skënderaj, ku edhe e kemi kaluar natën. Të nesërmen kemi shkuar deri në Shtabin e Zonës Operative të Drenicës, ku u takuam me anëtarët e saj dhe Sami Lushtakun. Me Sami Lushtakun dhe anëtarë të tjerë të Shtabit kemi shkuar në Prekaz për të vizituar lagjen e Jasharajve dhe bëmë homazhe tek varrezat e të rënëve në epopenë e lavdishme të UÇK-së, në epopenë e Jasharajve, epope e cila u bë gurë themeltar për lirinë e Kosovës.

Sa i përket sistemimit të pjesëtarëve të Operativës, Bislim Zyrapi ishte dërguar në departamentin e sigurisë së asaj kohe, Emergjencë, ndërsa Spiro Butka dhe Arqile Mandro u sistemuan në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Prishtinë. Unë nuk u ndala në Prishtinë, ndoshta për shkak të rebelizmit, bashkë me Shaban Musliun vazhduam për në Gjilan, tek Shtabi i Zonës Operative të Karadakut. Pas dy ditësh në Gjilan erdhi njësiti “Karadaku”, i ngritur në stërvitoren e UÇK-së në Kalimash. Nga takimi me ta unë kam vazhduar pastaj së bashku me këta djemë për në Novobërdë, (tani Artanë), pastaj për në Kamenicë (tani Dardanë), ku në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar kemi filluar të marrim objektet shoqërore, siç u thoshim atëherë. Fillimisht na duhej t’i pastronim nga mjetet shpërthyese, deminimin e tyre. Merre me mend edhe në çerdhen e fëmijëve në Kamenicë, ta zëmë, kishte pasë aq shumë mina nga më të voglat deri te një 10 kilëshe. Duke bërë deminimin e objekteve dhe lokaliteteve krijuam një ambient të sigurtë për banorët e atyre vendeve.

 

 

Kukës, 9 qershor 1999: pas njoftimit se në Kumanovë është bërë marrëveshja për ndërprejen e veprimeve luftarake. Agim Sylejmani, Spiro Butka, Bislim Zyrapi, Rafet (?), Alsh Shala dhe Mark Shala.

 

DEMOBILIZIMI NGA RADHËT E UҪK-së

Pashtriku: Pas këtij aktiviteti të dobishëm për sigurinë e popullatës, cili ishte hapi tjetër i radhës?

Agim Sylejmani: Më 13 gusht 1999, pasi fillova të vërejë veprimet e disa abuzuesve me emrin e UÇK-së, dhe duke e parë se nuk janë arritur premisat e aspiruara të luftës, kërkova demobilizimin tim. Kështuqë nga kjo ditë nuk isha më pjesë e UÇK-së dhe as TMK-së së më vonshme ose FSK-së së sotme.

 

 

TË PËRJETËSOHET HISTORIA E LAVDISHME E UҪK-së

Pashtriku: Ҫka mund të thoni për fund të kësaj bisede, keni ndonjë porosi?

Agim Sylejmani: Çfarë të të them i nderuar Sheradin! Në kufirin shqiptaro-shqiptar është zhvilluar një luftë e vërtetë, e ashpër dhe e pabarabartë, e cila ka zgjatur më shumë se dy muaj, luftë të cilën e njohim me emrin Beteja e Koshares. Në këtë luftë kanë rënë me qindra dëshmorë të Kombit. Pjesa dërmuese e kësaj pjese të UÇK-së që kishte hapur një front të tërë dhe aq të gjerë të luftës me Serbinë, sa ishte edhe vetë vija kufitare në atë kohë, kishin ardhur nga të gjitha anët e globit tokësor. Më së paku kishte nga radhët e refugjatëve të luftës, ku nga 830’000 refugjatë në Shqipëri në radhët e UÇK-së ishin rreshtuar vetëm disa qindra prej tyre. Ndërsa nga vendet perëndimore thirrjes së mobilizimit i ishin përgjigjur me mijëra bashkatdhetarë. Pastaj, në Kosovë është bërë një luftë gati dyvjeçare, me rreth 15’000 të vrarë, mijëra të tjerë të plagosur dhe me mbi 20’000 femra të dhunuara, duke mos harruar edhe shkatërrimin e rreth 60 % të objekteve të banimit. Kjo luftë ishte e drejtë dhe më se legjitime. Edhe pranë kësaj, tash e 18 vite që ka mbaruar lufta, pushtetet aktuale që e qeverisën Kosovën që nga 12 qershori 1999 e deri më sot, nuk morën as mundin e as iniciativën që këtë luftë ta përjetësojnë edhe në filma artistikë dhe në libra shkencorë. Derisa Serbia për luftën në Kosovë ka bërë me dhjetëra filma artistikë e qindra filma dokumentarë, kanë shkruar me qindra libra për këtë luftë. Millosheviqit i ngrihen përmendore gjithandej nëpër Serbi, ndërsa ta zëmë kryelegjendarit Adem Jashari nuk i japin vend në Prishtinë as sa për një bust të vogël sa grushti. Duke treguar këtë moskujdes dhe indiferencë ndaj vlerave më të shenjta e të mirëfillta të luftës dhe aspiratave çlirimtare të kësaj lufte, ata dëshmojnë se janë të gatshëm që edhe këtë faqe nga më të lavdishmet e historisë sonë në hapësirat shqiptare jashtë trungut amë Shqipërisë, ta shlyejnë dhe ta njollosin. Sot arrestohen dhe dënohen prijësit e kësaj lufte në emër të luftës. Kjo gjë dhemb deri në palcë. Nëse dikush ka abuzuar gjatë luftës, ka përfituar mjete materiale, apo ka keqpërdorur pozitën pas luftës, duke vjedhur e plaçkitur prona shtetërore, atëherë le të arrestohen dhe të dënohen si kryes të veprave penale si individë, pa e implikuar dhe njollosur UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë.

 

 

Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje krijuesve, artistëve, regjisorëve, skenaristëve, e sidomos shkrimtarëve, të merren me krijimtari letrare e artistike për këtë periudhë të lavdishme që t’ua lëmë trashëgim kujtesën e historisë gjeneratave që do vinë. E ardhmja jonë është e sigurtë dhe e garantuar nëse neve si komb nuk na kaplon harresa historike. Aspiratat shekullore e edhe të UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë nuk janë realizuar as për së afërmi, por janë një hap drejt aspiratës shekullore, bashkimit tonë kombëtar, i cili as që ka alternativë tjetër. Vetëm si Shqipëri e bashkuar mund të garantohet qetësia jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Çështja shqiptare është një çështje që kërkon zgjidhje. E ky është pikërisht bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe trojeve të tyre në një shtet të vetëm dhe unik – Shqipëri e Bashkuar!.

Pashtriku: Të faleminderoj për bashkëbisedimin!