ELENA GJIKA POHON ORIGJINËN MIRDITORE TË FISIT TË VET

prof-preng-cub-lleshi

 Shkruan: PRENG CUB LLESHI

Elena Gjika

Elena Gjika (Dora d` Istria)

 

        Për Elena Gjikën, e njohur edhe me pseudonimin Dora d’Istria, njerëzit tanë kanë mësuar, përveç artikujve të shumtë të shtypit tonë, edhe nëpërmjet monografisë së Vehbi Balës, kushtuar kësaj figure të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Nëpërmjet këtyre ata kanë mësuar se kjo atdhetare zemërzjarrtë përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare kundër robërisë turke, veçanërisht në vitet e Lidhjes së Prizërenit.

Duke marrë parasysh se gjithë jetën e saj ajo ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare, na duket se nuk është e drejtë ta quajmë “shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune”, siç thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, por një figurë e ndritur e kulturës kombëtare shqiptare dhe një veprimtare e shquar për çështjen tonë kombëtare, siç bëjmë me Marin Barletin, Aleksandër Moisiun e ndonjë tjetër.

Duke gërmuar në origjinën shqiptare të Elena Gjikës, autorë të ndryshëm e bëjnë atë stërmbesë, kryesisht, të zonave të Shqipërisë Jugore. Ndonjë e bën stërmbesë të Çamërisë e ndonjë tjetër stërmbesë të Përmetit, për të mos u zgjatur me hipoteza të tjera. Për këtë sjellin si argument, përveç të tjerave, edhe mbiemrin “Gjika”, i cili, sipas tyre, është i përhapur në këto vise, duke “harruar” se ky mbiemër a emër fisi, është shumë i njohur edhe në Shqipërinë Veriore, veçanërisht në trevat e Mirditës etnografike.

Por duket se të vërtetën mbi vendorigjinën e saj Elena Gjika na e zbulon me pohimet që parashtron në veprën “Gratë në Lindje”, botuar në Zyrih më 1859 në gjuhën frënge. Këtu ajo, midis të tjerave, shkruan: “Mirdita është vendi ku linden dy familje, njëra prej të cilave ka luajtur një rol të madh në Turqi (Qyprilinjtë-shënimi im) dhe tjetra (Gjikajt-shënimi im) në Moldavi – Vllahi (Rumani)”.

“Nga Kyprili, vazhdon më tej Elena Gjika, ka dalë një vezir i madh dhe katër breza ministrash janë dalluar” prej familjes së Kyprilinjëve. Familja tjetër, shton dijetarja e madhe, ajo me emrin Gjika, është, gjithashtu, me origjinë nga Kypriliu, ku lindi në shekullin XVII Gjergji i Parë, që hypi në fron më 1658”. 1).

Pohimi i Elena Gjikës është i qartë: Kyprilinjtë, a Qyprilinjtë dhe Gjikajt ishin dy familje të njohura në Mirditë, nga një fshat me emrin Kypril, që ndeshet, ndonjëherë, edhe në format Kipril a Kiptil. Pinjollët e këtyre dy familjeve, aty nga fundi i shekullit XVI ose fillimi i shekullit XVII, u larguan nga vendlindja e tyre: Kyprillinjtë për në Turqi, kurse Gjikajt për në Moldavi – Vllahi të Rumanisë, të cilat bënë emër atje ku shkuan, gjë që dëshmon për një shkallë të lartë zhvillimi të trevave nga u shpërngulën.

Dhe dokumentet historike hedhin dritë në pohimet e Elena Gjikës: Ato dëshmojnë se Gjikajt, si familje dhe si fis,i gjejmë në fshatra të ndryshme të Mirditës që në shekullin XV. I gjejmë, siç pohon historiani Selami Pulaha, veçanårisht, në atë që quhej “Vilajeti i Urakës, në Kurbnesh, por edhe në Orosh. Në veprën “Lufta shqiptare – turke në shekullin XV”, ai pohon se “në vilajetin e Urakës, në vitin 1467, kishte tre fshatra ku haseshin mbiemrat Gjika: Kiptil, Selitë dhe fshati Gjikë, ku duket se Gjikajt janë fort të përhapur.

Këtu del se në fshatin Gjikë, ku kishte 21 shtëpi, ishin edhe këto familje: Budin Gjika, Andrea Gjika, Gjon Gjika, Shtjefën Gjika”. 2) Po këtu, sipas dokumenteve që sillen nga historiani, del se në fshatin Selitë në 16 shtëpi që kishte, figuronin edhe dy familje që kishin mbiemrat Gjika: Kol Gjergj Gjika e Lazër Gjika, si edhe një farë Gjon Mirditi.

Këto fakte, por dhe fakti tjetër që Gjikajt i kemi prezentë në Mirditë edhe pas pesë shekujsh në fshatrat Kuzhnen, Shebe dhe Selitë e deri në Macukull të Matit, i cili bën pjesë në hartën e Mirditës etnografike, dëshmon se, edhe nga mbiemri a “llagapi” i saj, Elena Gjika është stërmbesë mirditore. Për këtë dëshmonte, qysh në vitin 1969, edhe studiuesi Lefter Dilo në shkrimin “Elena Gjika (Dora d`iatria), vajza jetime nga Çamëria”, botuar me rastin e 145-vjetorit të lindjes.

Në fund të këtij shkrimi, ai theksonte se “Duke folur për vendin e atdheut (Shqipërinë-shënimi im),  Dora d`Istria na informon se familjet Gjika dhe Qyprili janë nga krahina e Mirditës, duke dhënë edhe hollësi të tjera për to”. Dhe më tej, në një korespondencë shoqërore, ky studiues porosiste që të lokalizohej ky fshat në Mirditë, për të saktësuar vendorigjnën e dijetares së madhe dhe të Qyprilinjëve legjendarë.

Duke e parë me vëmendje hartën e Mirditës etnografike, rezulton se trajta Kypril a Qypril, edhe pse  përmendet një fshat në Selitë me merin Kiptil, afrohet me emrin Kprull, që mban një lagje, e cila gjendet midis fshatrave Spitën në rrethin e Lezhës dhe Katundi i Vjetër, afër Rubikut, në rrethin e Mirditës. Ky emër, në shtegtimin e tij shekullor, do të ketë pësuar jo vetëm ndryshime fonetike, por edhe morfologjike, nga emri Kapruell a kaproll, në trajtat Këpruell e Kprull, që njihet nfa banorët edhe si një qytezë.

Sidoqoftë, pavarësisht se ku do të lokalizohet në të ardhmen fshati Kyprill a Qypril, aty ku duken gërmadhat e tij në Kpruell, në Kuzhnen, Shebe apo Selitë, një gjë është e vërtetë: Elena Gjika, siç e ka pohuar qartë në librin “Gratë në lindje”, është stërmbesë e Mirditës, e trevës që nuk iu nënshtrua për pesë shekuj perandorisë osmane.

Fakti që pinjollët e Kyprilinjëve i kemi prezentë edhe në ditët tona në Turqi dhe fakti që Gjikajt i kemi prezentë edhe në Kuzhnen, në Shebe dhe në Selitë të Mirditës, por edhe në Macukull të Matit, do t’i ndihmojë historianët që t’i afrohen më shumë të vërtetës shkencore për vendorigjinën e Elena Gjikës. Se një antropolog i vëmendshëm, duke parë portretin e Dora d`Istria-s dhe duke e krahasuar me portrete të Gjikajve të Kuzhnenit, a, ndoshta dhe të Shebes e Selitës, nuk do ta kishte të vështirë të dallonte afrinë tipologjike midis brezave të këtij fisi të lavdishëm.

 

1. Gratë në lindje. Zyrih 1859, f. 271.

2.  S. Pulaha: Lufta ruso-turke f. 332