ALEKSANDËR MOISIU POHON ORIGJINËN E TIJ MIRDITORE

 prof-preng-cub-lleshi

 Shkruan: PRENG CUB LLESHI

 

                   aleksander moisi

                                              Aleksandër Moisiu

 

 

Rreth një gjysmëshekulli më parë, në vitin 1954 e 1955, diku qe shkruar se artisti me famë botërore, Aleksandër Moisiu, ishte me origjinë mirditore. Por, çuditërisht, ato rrjeshta që e pohonin këtë të vërtetë sikur “humbën”, ndaj edhe në një monografi luksoze kushtuar kësaj figure të madhe të artit shqiptar dhe atij botëror, botuar më 1976, kjo e vërtetë nuk u përmend.

Por e vërteta “zhytet e mbytet, po kurrë nuk humb”, thonë mirditorët. Dhe u desh të vinte viti 1996, kur poeti dhe studiuesi kosovar – Agim Vinca, ta shpaloste të vërtetën në gazetën “Drita” në shkrimin “Moisiu i panjohur”, kushtuar kësaj figure të ndritur.

Në këtë shkrim, duke folur rreth vizitës së Aleksandër Moisiut në Beograd më 1932, poeti sjell me të vërtetë të dhëna të panjohura rreth jetës së artistit të madh. Duke folur për shfaqjet që jepte ky artist në vijim të një turneu në vendet e Ballkanit, si në Beograd, Athinë, Stamboll e Bukuresht, poeti Agim Vinca jep “disa të dhëna dhe detaje lidhur me ardhjen dhe shfaqjen e A, Moisiut në Beograd në vitin 1932, të cilat kanë mbetur të panjohura për publikun shqiptar edhe sot e kësaj dite, pra pas më se 60 vjetësh”. 2)

Një ndër këto “të dhëna” është edhe pohimi, me gojën e tij, i origjinës së artistit me famë botërore, gjatë një interviste të atyre ditëve, botuar në revistën e Beogradit “Pozeriste. Nedelni ilustrovani asopis”. (Teatri. Revistë e përjavshme e Ilustuar). Në parashtrimin e kësaj interviste theksohej se “Pas ardhjes së tij (A. Moisiut-shënimi im) në Beograg, u dha gazetarëve deklarata interesante për veten, për artin teatror, për filmin tonik e tjerë. Ndër të tjera mësuam: Babai i tij është shqiptar, katolik nga fisi Mirdita. Ka qenë tregtar në Durrës. Më vonë erdhi në Trieste dhe u martua me një fiorentinase. Këtu lindi Aleksandër Moisiu”.

“Siç e shihni, nga babi edhe unë jam ballkanas” – u drejtohet A. Moisiu gazetarëve, pasi u ka shpjeguar prejardhjen e tij dhe origjinën mirditore të babait të vet. Dhe ka qenë pikërisht theksimi i këtij fakti, të qënit ballkanas, që e ka shtyrë artistin me famë botërore në imtësi biografike të origjinës së tij, si të thuash, vërtetimi i saj. Ky “deklarim” merr një rëndësi të veçantë sepse, së pari, bëhej diku jo larg vendlindjes së të jatit – Mirditës, dhe së dyti, sepse ishte koha kur kishte jo pak grindje për origjinën e gjeniut që kishte luajtur me sukses të jashtëzakonshëm në shumë skena të Evropës e të botës.

Artisti me famë botërore e deklaronte origjinën e tij mirditore në një kohë kur përflitej shpesh për “origjinën çifute” të tij. Dhe A. Moisiu gjen rastin të flasë me krenari për origjinën e tij, por edhe për respektin që kishte për çifutët, në një kohë kur ishte tendenca për t’i denigruar ata. Ndaj pyetjes: “Ju nuk jeni çifut?” ai i përgjigjet: “Nuk do të turpërohesha për këtë, por nuk jam”. Dhe më tej shtonte: “Ka shumë njerëz që mendojnë se jam çifut, pak për shkak të emrit – edhe pse emrat dhe mbiemrat biblikë janë të shpeshtë tek shqiptarët katolikë – pak për shkak se këtë famë e kanë përhapur hakën krajolerët (kryethyesit)”.

Duke e sjellë pohimin e artistit të madh për origjinën e tij mirditore, ndjejmë obligimin për të falenderuar poetin dhe studiuesin kosovar Agim Vinça për hulumtimin dhe publikimin e kësaj të vërtete, që i bën krenarë mirditorët, për ndihmesën që kanë dhënë edhe të parët e tyre në fusha të ndryshme të jetës në rrjedhën e shekujve, nga lashtësia, deri në kohët moderne.

Edhe pse zbulimi i këtyre të vërtetave nuk ka të bëjë me tendencën për t’u shkuar deri “në rrënjë” gjërave, ose për të fituar një lavdi të pamerituar, e shohim të arsyeshme edhe të pyesim: Nga cili fshat i Mirditës ishte babai i Aleksabdër Moisiut? Dhe, përpjekja për t`iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na çoi tek toponimi i rrallë e shumë interesant “Përroi i Moisiut”, përrua që kalom bri fshatit Gazull, ngjitur me fshatin Shëngjergj të Mirditës.

Dhe, pasi ndonjë toponim të kësaj natyre nuk e hasim në ndonjë fshat tjetër të Mirditës, na lind e drejta të supozojmë, për të mos thënë “të besojmë”, se fshati ku lindi babai i Artistit të madh Aleksandër Moisiu është Gazulli, nga e kanë origjinën e tyre edhe tre vëllezërit e lavdishëm, bashkëluftëtarë të Gjergj Kastiotit, Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli.

 

Marrë, me ndonjë ndryshim,

nga gazeta “Mirdita”, Nr. 5, qershor 2001.