AKTIVITET PËR FAIK KONICËN NË BIBLIOTEKËN E KONGRESIT AMERIKAN

Shkruan: Arsim Çejku, Washington.DC

 

alibai 1

Figura e Faik Konicës si diplomat dhe personalitet poliedrik u përcoll në një aktivitet mbresëlënës në Bibliotekën e Kongresit amerikan me 17 shkurt 2017 nga juristi dhe studiuesi Agron Alibali, autor i librit “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati”.
Veprimtaria u çel nga z. Grant Harris, Drejtori i Departamentit për Europën në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Z. Alibali u përqëndrua tek imazhi i Konicës, të cilin shtypi i kohës e cilësonte si “një ndër figurat më të njohura në Uashington” në periudhën midis dy luftërave botërore, si diplomat “mendjemprehtë” e personalitet “xixëllues”.

Mbështetur në librin e tij, z. Alibali e përcolli Konicën në dimensionin e tij diplomatik, në kontributin e veçantë të Konicës për një doktrinë kushtetuese e shtetndërtuese mbështetur në traditën vendase në Shqipëri , si dhe në këndvështrimin e tij human.

Z. Alibali gjatë prezantimit në Bibliotekën e Kongresit. Në krah të djathë ndodhet Ambasadorja e Shqipërisë, Znj. Floreta Faber. Në ekran paraqiten indeksi i librave të Konicës nga katalogu online i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Z. Alibali gjatë prezantimit në Bibliotekën e Kongresit. Në krah të djathë ndodhet Ambasadorja e Shqipërisë, Znj. Floreta Faber. Në ekran paraqiten indeksi i librave të Konicës nga katalogu online i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

 

Autori mbuloi shkurtimisht edhe kontributin e veçantë të Konicës në fuqizimin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA. Ai theksoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës ishte një përkim i këndshëm për të përmendur se Faik Konica u paraqit në vitin 1911 si përfaqësues i kryengritësve të Kosovës në SHBA, çka e bën atë në njëfarë mënyre si të dërguarin e parë diplomatik jozyrtar të Kosovës në Amerikë.

Vend të veçantë në prezantimin e z. Alibali zuri edhe përshkrimi i trashëgimisë së Konicës, përfshirë intervistat e rralla të tij si dhe bibliotekën e tij të famshme.

Të nesërmen e pushtimit italian të Shqipërisë Konica u intervistua në radio nga rrjeti kombëtar NBC. Konica aty dënoi ashpër agresionin italian dhe mbrojti me dinjitet e vendosmëri vendin dhe kombin e tij. Z. Grant Harris shpjegoi se intervista është pjesë e koleksionit të Bibliotekës së Kongresit dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ai tha se intervista u gjend në Bibliotekën e Kongresit në vitin 2004 prej atij vetë pas një kërkese të ardhur nga znj. Etleva Domi, zv. Drejtore e BKSH-së. Ai shtoi se, pas lejeve përkatëse, ndërtoi kopje të intervistës në dy disqe dhe ua dorëzoi ato ministrit të atëhershëm të Kulturës dhe Drejtorit të BKSH, për t’u bërë pjesë e koleksionit dhe arkivës së institucioneve të tyre në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Bibliotekën e Kongresit në Uashington me 9 dhjetor 2004.

"Lahuta e Malcisë" e Gjergj Fishtës është një nga librat e Konicës që iu kthye BKSH-së në janar 2016

 “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës është një nga librat e Konicës që iu kthye BKSH-së në janar 2016

Z. Alibali më tej foli për bibliotekën e famshme të Faik Konicës. Ai theksoi se biblioteka e Faik Konicës përbën një ndër objektet më të çmuara të kulturës e trashëgimisë kombëtare. Ai theksoi se vlerat e saj të jashtëzakonshme lidhen, së pari, me faktin se ajo i takonte njërit prej personaliteteve më erudite në kulturën botërore; ishte ndërtuar kryesisht jashtë Shqipërisë; përmbante libra me vlerë tejet të çmuar, ku përmendet ai i Nikollë Leonik Tomeut “De Varia Historie” e vitit 1532; paraqet vlera të posaçme shpirtërore pasi iu besua pas vdekjes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; për ruajtjen e saj u kujdes personalisht Fan S. Noli dhe kontribuan me dhjetëra anëtarë të Vatrës nga mbarë SHBA.

Z. Alibali theksoi se, falë punës këmbëngulëse dhe bashkëpunimit të frytshëm me BKSH-në dhe Ambasadën e Shqipërisë në SHBA, u mundësua gjetja dhe kthimi në Tiranë i mëse 270 librave në nëntor 2016, të ruajtura me kujdes nga familja e z. Andon Athanasi. Z. Alibali e ilustroi prezantimin e tij me libra të Bibliotekës së Kongresit Amerikan, kopje të të cilave janë edhe në Bibliotekën e Faik Konicës. Ai paraqiti aty kopjet e katër librave të parë të gjetur dhe dorëzuar në janar 2016 në BKSH. Ai njoftoi gjithashtu edhe për librin më të fundit të Bibliotekës së Konicës, “Saga e Kafesë”, i identifikuar me 11 shkurt 2017 në selinë e Vatrës në Nju Jork gjatë aktivitetit kremtues për nderim të shkrimtares dhe intelektuales së shquar Musine Kokalari.

Z. Harris duke folur për regjistrimin e intervistëa së Konicës për NBC me 8 prill 1939.

Z. Harris duke folur për regjistrimin e intervistëa së Konicës për NBC me 8 prill 1939

Z. Alibali përcolli foto të sapoardhura nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ku tregohej pjesa e kthyer e librave të Faik Konicës, e trajtuar me kujdes e profesionalizëm të veçantë, dhe ruajtur me përkushtim në Sallën Pal Petta të BKSH-së.

Ai njoftoi se librat e Konicës tashmë janë të kërkueshme edhe në katalogun online të BKSH-së, dhe paraqiti edhe faqen përkatëse të internetit me mëse 60 tituj nga librat e gjetura të Bibliotekës së Faik Konicës.

 

Autori Agron Alibali gjatë prezantimit në Bibliotekën e Kongresit.

Autori Agron Alibali gjatë prezantimit në Bibliotekën e Kongresit

Në fund z. Alibali pati bashkëbisedim me të pranishmit dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre.

Në aktivitet mori pjesë edhe Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, znj. Floreta Faber, e cila përshkroi angazhimin e Ambasadës në kthimin në Shqipëri edhe të shtampës së famshme EX LIBRIS F.K, me të cilën Konica përgatiste etiketat unikale që u vendoseshin librave të bibliotekës së tij.

Aktiviteti, i cili ishte njoftuar paraprakisht përmes faqes së internetit të Bibliotekës së Kongresit si dhe nga portale që mbulojnë aktivitetet e shumta në kryeqytetin amerikan u ndoq me interes nga të pranishmit dhe u mbulua edhe prej rrjetit televiziv Zëri i Amerikës.

Pjesëmarrës në prezantim

                                                                                                                                                                                 Pjesëmarrës në prezantim